Një version paraprak i tabelës së re të taksave që pritet të nisë nga 1 janari

Postuar në 05 Dhjetor, 2013 15:24

Dy ditë pasi ministri Ahmetaj përgënjeshtroi tabelat e përhapura nga mediat për skemën e re të taksave në vend, versione të tjera të paketës së re fiskale të përgatitura nga Ministria e Financave kanë nisur të qarkullojnë. Një draft tjetër është publikuar sot nga televizioni TCH, i cili dy ditë më parë publikoi një skemë që më pas u përgënjeshtrua nga qeveria. Qeveria thotë se ajo është në negociata me FMN dhe nuk ka marrë ende një vendim final, se cili do të jetë kuadri i ri i taksave pas 1 janarit.

Sipas variantit paraprak të përhapur sot, paketa e re fiskale ndryshon një sërë taksash: Tatimi mbi Vlerën e Shtuar preket në disa zëra, si në ulje ashtu dhe në rritje. Kështu nga një janari Qeveria heq TVSH-në për ilaçet dhe shërbimet shëndetësore, e përgjysmon atë për shportën e ushqimeve bazë nga 20 në 10 për qind dhe po në të njëjtin nivel taksa do të zbresë edhe për shërbimet akomoduese dhe hotelerinë. Kjo është pjesa lehtësuese e kësaj takse.

Në kahun rritës ndryshimet parashikojnë rikthimin e TVSH-së në masën 20 për qind për arsimin, të hequr nga Qeveria e mëparshme dhe vendosjen e kësaj takse në operacionet hidro-karbure apo dhe importet e makinerive për kompanitë koncesionare që shfrytëzojnë naftën në Shqipëri.

Grupi i dytë i taksave që ndryshojnë është ai i pushtetit vendor. Qeveria heq nga një janari, taksën mbi biznesin e vogël dhe ul Tatimi mbi Fitimin për këtë grup sipërmarrjesh nga 10 në 7.5 për qind. Ndërsa taksa e ndërtesave që përdoren për qëllime biznesi dhe ajo e shtëpive të dyta do të rriten me dyfish nga niveli aktual.

Veç taksave lokale ndryshime të forta do të ketë edhe për akcizën, ku më kryesoret janë ajo e rritjes me 20 lekë të kësaj takse për çdo paketë cigare dhe heqjen e përjashtimit nga akciza për të gjitha lëndët djegëse që kompanitë prodhuese të naftës përdorin për nevojat e veta.

Grupi i fundit që ndryshon është ai i taksave kombëtare. Sipas propozimit, renta minierare për kompanitë koncesionare të naftës do të rritet nga 10 për qind që është aktualisht në 15 për qind. Po kështu rritje me pese lekë për litër mund të ketë edhe për taksën e qarkullimit, e cila paguhet nga qytetarët në çmimin e karburantit që ata blejnë, ndonëse për këtë nuk ka ende një vendim final të dakortësuar. Paralelisht Tatimi mbi Fitimin për bizneset që kanë xhiro mbi 8 milionë lekë në vit rritet nga 10 në 50 për qind, ndërsa për ato kompani të cilat zhvillojnë aktivitetin në bazë të marrëveshjeve që kanë me qeverinë si koncesionarët, tatimi mbi fitimin bëhet 20 për qind.

“Paketa e re fiskale ndryshon jo pak shpërndarjen e barrës së taksave. Ajo lehtëson konsumatorët, vecanërisht shtresat me të ardhura të pakta dhe takson më fortë, kompanitë që shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit si naftën dhe kromit. Veç politikës së taksave pritshmëritë janë që ndryshime të ketë edhe në politikat buxhetore, ku më kryesoret është ai i ngrirjes së pagave në sektorin publik, dhe përqëndrimit të burimeve kryesore të buxhetit tek finalizimi i projekteve të papërfunduara. Kjo konfirmohet edhe nga një dokument konfidencial që Qeveria ka dërguar në sekretarinë e Këshillit Kombëtar” – analizon televizioni TCH

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.