Ndërtimet pa leje, Corriere della Sera: Nga Tirana, në Vlorë, fjalën e ka tritoli

Postuar në 07 Dhjetor, 2013 14:36

Që diçka kishte ndryshuar, u kuptua vetëm mëngjesin e 20 tetorit të shkuar, ditë e diel.

Të gjithë televizionet informative po transmetonin direkt një ndërtesë katërkatëshe në periferi të Tiranës.

Në orën 13:11, një zhurmë u dëgjua, kamerat u dridhen, më pas tym dhe pluhur. Struktura ishte ende sërish në këmbë. Misioni shkoi deri në gjysmë, më pas ishin fadromat që e shkatërruan godinën.

Por në këtë cep të vogël të Evropës, kjo është një risi.

 

Plaga e ndërtimeve pa leje

Ky ishte gjesti i parë, dramatik, kundër ndërtimeve pa leje. Një fenomen për të cilin nuk ka shifra apo vlerësime të sakta. Dihet se ka mijëra ndërtime, mes tyre pallate, vila, restorante e bare për t’u hedhur poshtë për shkak se janë ngritur në këmbë në anarki të plotë.

Pas rënies së diktaturës- në sajë të kthimit gradual të tokës së konfiskuar gjatë komunizmit- shumë pronarë nisën të ndërtojnë përgjatë detit dhe lumenjve, ngjitur me fabrikat e mëdha, pranë spitaleve, pak centimetra larg pallateve të tjera.

Rezultati: pas 20 vitesh demokraci, bregdeti shqiptar është mbushur me apartamente, hotele dhe qendra turistike. Nga Shëngjini në veri, në Ksamil, gati në kufi me Greqinë. Në rrugë të caktuara, sidomos në kryeqytet, është e vështirë që të kalosh në këmbë. Aq sa në rast zjarresh apo urgjencash mjekësore, nuk futen dot as zjarrfikësit dhe ambulancat. Pak vite më parë, për të shuar flakët në një ndërtesë në Tiranë, u desh të ndërhynte një buldozer, që prishi muret e dyqaneve dhe shtëpive.

 

Kursi i ri

Më pas erdhi Edi Rama. Piktor, socialist, ish- kryebashkiak i Tiranës, i zgjedhur kryeministër në zgjedhjet e 23 qershorit të shkuar.

“Mjaft me këto ndërtime të paligjshme. Do pastrojmë Shqipërinë,” deklaroi ai. Dhe kështu nisi dërgimi i eksplozivit për të hedhur në herë monstrat e çimentos. Në kryeqytet, të cilin kryeministri e njeh si xhepat e tij. Por edhe në zonat turistike. “Është vetëm fillimi,” zotohen nga qeveria e majtë. Koha- d.m.th katër vitet në detyrë- do tregojnë nëse është vetëm një flakë kashte apo një kapitull i ri për vendin.

 

Shkatërrimet

Shtatë ditë pas Tiranës, kamerat u spostuan në Vlorë. Shëtitorja, një godinë me shtatë kate. Pak sekonda para orës 2, pallati reduktohet në copa. U deshën 285 kilogram me C4, të futur në rreth dy mijë vrima.

Katër ditë më vonë ruspat nisin punën në Durrës, pranë bregut. Shkatërrojnë një godinë që do shërbente si restorant, bar dhe hotel. Muret rrëzohet pa një autorizim. Ose më mirë, pronari e kishte një leje, por për të ndërtuar një dyqan për shitje lulesh. Një tjetër aty pranë kishte ndërtuar një godinë pa leje. Ai nuk pret ruspat. Nis të shkatërrojë atë që sapo kishte përfunduar. Të tjerë ndërkohë nuk duan t’ia dinë, mbyllen brenda dhe kërkojnë kohë. Është kështu në çdo cep të qytetit dhe të bregdetit. Dhe të humbur janë kryesisht ata që kanë blerë shtëpi në godina të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Emigrantët shqiptarë në Itali, Greqi, Franca e SHBA. Por edhe ata kosovarë që duan një vend në det. Çfarë do bëhet me apartamentet e tyre? Për momentin nuk e di askush. Disa kanë arritur që të marrin njëfarë kompensimi, të tjerët shpresojnë për ndonjë fitore në gjykatë.

 

Politikanët ndërtues

Çështja është bërë edhe politike. Mes (shumë) ndërtuesve abuzivë ka më shumë se një politikan. Ndërtesa e fundit në radhë për t’u prishur është kompleksi rezidencial “Jon”, pranë detit në Vlorë. Mes ndërtuesve figuron edhe vjehrri i Lulzim Bashës, kryebashkiaku aktual i Tiranës dhe kreu i Partisë Demokratike, aktualisht në opozitë. Ai flet për sulm politik. Qeveria përgjigjet se ligji është i barabartë për të gjithë dhe se“çdo gjë e paligjshme do të shkatërrohet”.

Ne linkun me poshte gjeni shkrimin e Corriere della Sera:

http://www.corriere.it/esteri/13_dicembre_06/albania-guerra-palazzi-abus...

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.