Naço: Ashpërsim të dënimeve penale për të luftuar kriminalitetin tek të rinjtë

Ashpërsim të dënimeve penale për të luftuar kriminalitetin në rritje tek moshat e reja.
Kjo është politika e re ligjore që do të aplikojë Ministria e Drejtësisë, duke nisur nga janari i vitit 2014.
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, u shpreh pas mbledhjes së qeverisë se do të ashpërsohen ndëshkimet për veprat penale që parashikojnë dënime të rënda, ndërsa nga ana tjetër do të vendosen dënime të tjera alternative që ulin mbipopullimin në burgje.
“Ne do t’i drejtohemi shumë shpejt dhe Prokurorisë së Përgjithshme në bazë të ligjit për prokurorinë për të ndërtuar një politikë e të re dënimi. Që do të thotë se do të kërkojmë një ashpërsim për veprën penale që parashikojnë dënime të rënda dhe sigurisht që do të kërkojmë dënime të tjera alternative të parashikuara në Kodin Penal”, tha Naço.
Ashpërsimi i dënimeve penale do të synojë detyrimin për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose i drogës. Ndërsa ndër dënimet alternative parashikohet pezullimi i vendimit me burgim dhe kompensimi në kryerjen e një pune me interes publik.
Vitin e ardhshëm, Ministria e Drejtësisë do të kërkojë që shërbimi i provës të shtrihet në të gjitha rrethet gjyqësore dhe të aplikohet më shumë dënimet alternative.
E po ashtu synohet që mbikëqyrja elektronike, e cila aplikohet vetëm në Tiranë, të shtrihet në gjithë Shqipërinë.
Ministri Naço sqaroi kategoritë e të dënuarve që pritet të përfitojnë nga amnistia.
Drafti është miratuar në qeveri dhe do të dërgohet shpejt në parlament.
“Përfitojnë nga dhënia e amnistisë të dënuar deri në tre vjet burgim, përveç atyre rasteve kur ligji dhe neni 4 parashikon ndryshe dhe vë kufizime të veçanta; përfitojnë gratë nën moshën 55 vjeç, sigurisht përjashtohen ato raste të veçanta që janë të ndaluara nga neni 4 i ligjit, dhe burrat mbi 60 vjeç. Ajo që është kryesorja në hartimin e kësaj amnistie është për të dënuarit e mitur që janë deri në 18 vjeç”, theksoi ministri Naço.
Tema
Add new comment