Në Sundern të Gjermanisë bëhet zbulimi i shtatores së Nënë Terezës

Postuar në 28 Nëntor, 2011 13:45

 

“Ne sot po bëjmë zbulimin e një skulpture të bronztë të Nënë Terezës. Kjo shtatore me siguri dikënd  e befason, sepse kjo dhuratë vjen nga marrëdhëniet me komunitetin shqiptar, që jeton dhe punon në  Sundern. Secili qytetar e njeh hijen e lehtë të Nënes Terezë. Unë besoj se vetëm një pakicë e di, se Nëna Terezë ka origjinë shqiptare. Të 200 shqiptarët, që jetojnë sot në Sundern , atdheut të tyre të dytë, Sundernit, sot po i japin një dhuratë të mrekullueshme, shtatoren e Nënës Terezë", u shpreh ndër të tjera kryebashkiaku i Sundernit, Detlef Lins. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt mbi Majn, Astrit Zemaj, zëvendësministri për Kulturë, Rini dhe Sport në qeverinë e Kosovës, Hajdin Abazi, si dhe kryebashkiaku i komunës së Malishevës, Isni Kilaj.

Zbulimin e shtatores së punuar nga skulptorja Marlies Hof e bënë kryebashkiaku i  Sundernit, Detlef Lins dhe Hajdin Abazi, zëvendësminisër për Kulturë, Rini dhe Sport i   Kosovës. Zëvendësministri Hajdin Abazi, duke folur për humanisten shqiptare Nëna Terezë, tha se "ajo ishte e vogël me trup, mirëpo në shtatin e saj të vogël kishte një shpirt të madh... Kjo shtatore e Nënës Terezë me modesti madhështore do të na kujtojë nevojën e pashueshme midis njerëzve për dashuri, respekt të ndërsjellë, për bashkëjetesë dhe për ndihmë ndaj njëri tjetrit", theksoi z. Abazi.

Ndërkaq Astrit Zemaj, konsul i Kosovës në Frankfurt, tha se: „Nëna Terezë është nënë e gjithë botës. Ne jemi shumë krenarë që si komb i vogël botës ia kemi dhënë një njeri të madh!“.

Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë aktivitet Valter Ibrahimi, ambasador i Shqipërisë në Berlin, të pranishëmve u kishte dërguar një telegram urimi, ku ndër të tjera shkruante:"Iniciativa juaj për vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në qendër të qytetit Sundern është një iniciativë, që krenon çdo shqiptar, që jeton në Gjermani dhe më gjerë.“

Pas   zbulimit të shtatores, kryetari i komunës së Sundernit, Detlef Lins, ka shtruar një drekë pune për mysafirët  kosovarë dhe gjermanë.  Me atë rast Fadil Bytyqi, kryetar i shoqatës gjermano-kosovare, kryebashkiakut i dorëzoi çerifikatën për shtatoren e Nënës Terezë.

 

Halil Rrustemaj; Deutsche Welle 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.