Mesila Doda në pritjen e Ramës, demokratët i bëjnë gjyq në Facebook!

Postuar në 09 Dhjetor, 2013 02:43

Dje kishte dy aktivitete paralele për 23 vjetorin e Lëvizjes Studentore. Një që organizohej nga studentët e kësaj lëvizje dhe ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama dhe tjetri nga demokratët dhe PD-ja, të cilët e konsiderojnë dhe festë përfaqësuese të tyren. Në pritjen e studentëve kishte dhe një surprizë, pjesëmarrëse ishte dhe deputetja demokrate Mesila Doda. Ajo mbajti dhe një fjalim në këtë pritje ku “thumboi” kryeministrin për çështjen fotografisë së Enver Hoxhës. Më pas deputetja demokrate Mesila Doda ka rrëfyer dje në Facebook se si e kritikoi Edi Ramën, më 8 dhjetor, në 23 vjetorin e Lëvizjes Studentore, lidhur me portretin e Enver Hoxhës që u shfaq më 29 nëntor të këtij viti në Varrezat e Dëshmorëve.

Mesazhi
Ja çfarë shkruan Doda: “Sot isha e pranishme në ceremoninë e festës së 8 Dhjetorit organizuar nga Lëvizja Studentore Shqiptare. I kërkova zyrtarisht kryeministrit shqiptar, i pranishëm në këtë ceremoni, të distancohet nga shfaqja e portretit të Enver Hoxhës në ceremoninë zyrtare të 29 nëntorit.
Përgjigja ishte përsëri mëdyshëse, me një gjysëm zëri tentoi të thoshte se nuk kish lidhje për Enverin, por ende nuk e dëgjova të ngrinte zërin kundër kësaj shfaqjeje të shëmtuar. Ende pres një distancim të prerë nga forca qeverisëse për të dënuar krimet e komunizmit. Pres që për të mirën e shqiptarëve të na bashkohen në iniciativat ligjore për të zbardhur të kaluarën dhe për t’u ndarë përfundimisht me të”,- përfundon mesazhin e saj Mesila Doda. |

Reagimi i demokratëve
Mirëpo i menjëhershëm ka qenë reagimi i fansave. Ja çfarë shkruajnë disa prej tyre:
“Ishte gracke kjo e sotmja Mesila! Sidoqofte Rama fitoi me shume nga ç’i kerkove të humbte….”
“Prit gomar të mbijë bar, i thonë kësaj Mesila”
“Bravo Mesila, je e madhe, njashtu vazhdo se je mirë, të përgëzoj”
“Astrit, sot ajo zvogëloi madhështinë e saj”
“E para do të ishte rithemelimi i PD e nderuar…”
“Ndërroni kuajt e karrocës se u kanë rënë patkonjtë”.
“Duhet të ishe e “rrethuar” nga burra gazetarë ose miks. Vetëm njëra nga gazetaret ishte e vërtetë”.

Ceremonia
Kuptohet se ata që lexojnë faqen e Mesilës në Facebook janë më së shumti anëtarë ose simpantizantë të PD-së. Dhe mendoj se ata kanë kapur thelbin: Më e rëndë se shfaqja e fotografisë së ish-diktatorit, janë veset e diktatorit të manifestuara në mënyrë të thekshme në Partinë Demokratike ku bën pjesë Mesila. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj dje flakë për flakë deputetes së PD-së lidhur me këtë fakt.
“Ne me Mesilën kemi qenë gjithnjë në një mendje për Enverin e vdekur, aty ku jemi ndarë gjithë këto vite është te Enveri i gjallë, por me siguri 23 vjet janë një fjalë gojë por edhe një shpresë jetë, shumë shpresa, përplasje, ndarje, por edhe pa rigjetje si kjo e sotmja. Ju faleminderit që krijuat një mundësi shumë të veçantë për të pasur në podium dy protagonistë që janë nisur nga e njëjta korsi dhe sot janë në të njëjtën rrugë edhe pse janë në dy korsi të ndryshme unë majtas ndërsa Mesila djathtas. Por ju na dhatë mundësinë të dëshmoj se, kur dy korsitë janë pjesë e një rruge dhe gara bëhet kush ecën më shpejt në korsinë e vet e jo kush i bllokon korsinë tjetrit gjithmonë ka më shumë se një arsye për të shpresuar, jetuar dhe bindjen se në të gjitha rastet, pikërisht ekzistenca e një korsie tjetër bënë që gjërat të shkojnë më mirë në rrugën tonë të përbashkët” – deklaroi Rama.

Reagimi i Mesila Dodës në ‘DITA’

Dje në mbrëmje, deputetja demokrate Mesila Doda, iu përgjigj gazetës ‘DITA’ për reagimet kundër saj në Facebook. Doda tha se “Në të vërtetë unë nuk shqetësohem nga këto reagime në Facebook. Është e drejta e gjithsecilit të shprehet dhe të thotë atë që mendon. Kjo është demokracia, që në fakt ai zotëria (Rama) nuk e bënte kur ishte në opozitë. Mua më pëlqen fryma, kur mendimet thuhen hapur. Ne kemi kurajën të marrim pjesë në këto takime dhe t’i themi gjërat hapur, ta kritikojmë Kryeministrin për gjëra parimore dhe që bien ndesh me idealet tona, me integrimin e vendit dhe me demokracinë në vend. Në të vërtetë unë dje prisja që Kryeministri Rama të kërkonte një ndjesë publike për foton e diktatorit që u shfaq para disa ditësh. Ai nuk e bëri këtë dhe kjo më zhgënjeu. Duhet të jenë ndjerë të zhgënjyer edhe shumë shqiptarë. Gjithsesi në do të vazhdojmë të jemi pjesë e proceseve jo vetëm në parlament, por edhe në forume, në takime dhe nuk do të ngurrojmë ta bëjmë këtë hapur duke iu kundërvënë veprimeve dhe sjelljeve të mbrapshta” tha ndër të tjera deputetja Mesila Doda.

23 vjet lëvizje studentore, Rama: Shqipëria sot gjithnjë e më pranë Europës

Lëvizja Studentore Shqiptare 90-91 ka zhvilluar dje një aktivitet me rastin e 23 vjetorit të ndryshimit pluralist. Në aktivitet mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Ai vlerësoi edhe një herë rëndësinë e lëvizjes së dhjetorit dhe deklaroi se nëse Europa në atë kohë ishte më tepër prodhim I imagjinatës Shqipëria sot është gjithnjë e më pranë Europës. “Me siguri 23 vjet janë një fjalë goje por janë edhe një pjesë jete. Shumë shpresa shumë dëshira shumë përpjekje shumë përplasje por edhe jo pak rigjetje si kjo e sotmja. Këto 23 vjet janë edhe shumë ëndrra, ëndrra e atij dhjetori “E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe “Liri demokraci”, sot e gjithë ditën mbeten sfida për të gjithë ne. Është forca e atyre ëndrrave që e sjell Shqipërinë gjithmonë e më pranë Europës. Një Shqipëri shumë më ndryshe ato ditë ku të gjithë e jetonim ëndrrën si të ishte një realitet. Evropën asokohe nuk mund ta kishim asgjë tjetër veçse prodhim të imagjinatës.”- deklaroi Rama. Ai theksoi se lëvizja e dhjetorit qëndron si një dinamikë unikale për shoqërinë shqiptare.

Rama kujtoi se edhe në këtë muaj dhjetor pas 23 vitesh Shqipëria ka ende ëndrrën europiane. “Lëvizja e dhjetorit e jetoi të tashmen me forcën që përkuli të gjithë kufijtë, tejkaloi kufijtë e të shkuarës. Një ëndërr që mori forcë nga bashkimi dhe i bashkoi të gjithë. Kjo është një ëndërr që edhe sot na jep fuqi për të ecur para. Edhe në këtë dhjetor kemi ende ëndrrën e Shqipërisë europiane. Por jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa, por për t’u bërë europianë, për të ndërtuar një model të suksesshëm, për ta bërë Shqipërinë pjesë të lëvizjeve të ndryshme. Falë asaj lëvizjeje, sot shqiptarët e kanë Europën pjesë të përditshmes së tyre. Mbetet ende legjitime krenaria për atë dhjetor. Përpjekjet dhe kërkesat e asaj lëvizjeje janë dhe mbeten gjithmonë burim i një jehone të fuqishme për të vënë në lëvizje transformime të shoqërisë tonë” – tha kryeministri.

PD feston 23- vjetorin e themelimit, Basha: Dita e nderimit të heronjve

Partia Demokratike ka organizuar një koncert në pallatin e sportit “Asllan Rusi” për të festuar 23-vjetorin e themelimit të saj dhe 23-vjetorin e pluralizmit politik në Shqipëri, nën moton “Festojmë lirinë”. Në aktivitet është i pranishëm kreu i PD-së, Lulzim Basha, shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij dhe ish kryetari Sali Berisha, të cilët janë pritur me brohoritje nga të pranishmit.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, dolën në protesta paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. Me lëvizjen u bashkuan pedagogë, akademikë, intelektualë qytetarë të Tiranës dhe të qyteteve të tjera kryesore .

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.