Mblidhet Këshilli i Mandateve, Doshi kërkon kohë, Frroku nuk komenton
Rreth orës 17:00 ka nisur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvendin e Shqipërisë, me objekt shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e autorizimit për arrestimin e dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Ky Këshill drejtohet nga kryetari i Kuvendit, por në kushtet kur Ilir Meta është i akuzuar prej deputetit Doshi se qendron pas një tentative për ta vrarë, kreu i Kuvendit është tërhequr nga drejtimi dhe mbledhja kryesohet nga nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule.
Para se të hynte në Kryesinë e Kuvendit, anëtari demokrat i këtij këshilli, Eduart Halimi ripërsëriti qendrimin e opozitës në favor të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, por shtoi gjithashtu edhe kërkesën e demokratëve për dorëheqjen e Ilir Metës.
Para Halimit në Kryesinë e Kuvendit ka hyrë deputeti Tom Doshi.
Këshilli do të dëgjojë raportin e prokurorit të çështjes dhe argumentet e dy deputetëve, e më pas do të dalë me një përfundim që do të paraqitet në seancë plenare për votim. Duke qenë se si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca është mbështetur kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme, raporti pritet të propozojë në përfundim për votim në seancë plenare dhënien e autorizimit për Prokurorinë.
Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kallëzim i rremë”, “Kanosje për deklarata apo dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklarata të rreme përpara prokurorit”.
Tom Doshi kërkon shtyrjen e mbledhjes: Akuzat ndaj meje s'qendrojnë
I pari që ka lënë mbledhjen e Këshillit ka qenë deputeti Mark Frroku që nuk ka komentuar asgjë për mediat. Pas tij ka dalë deputeti Tom Doshi.
Ai deklaroi se ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes për t’u njohur me materialet e paraqitura nga Prokuroria kundër tij, megjithëse i kundërshtoi akuzat si të paqena.
“E para unë nuk kam bërë kallëzim në Prokurori. Hetimi nisi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pra kjo akuzë nuk qendron. Unë s’kam kanosur asnjë njeri dhe të trija akuzat nuk qendrojnë”, tha Doshi.
/ Top Channel
Add new comment