Mbetjet kimike tek Uzina Dajti, Panariti ngre dyshime për ndotjen

Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Edmond Panariti ka shprehur shqetësimin e saj për zonën tek ish-uzina Dajti pas lëvizjes së mbetjeve kimike nga kjo uzinë. Ajo ka kërkuar nga ministria e Mjedisit, që drejtohet nga Lefter Koka sqarim për situatën mjedisore në këtë zonë.
“Ndërkohë për shkak të shqetësimeve të ngritura si pasojë e lëvizjes së një sasie të konsiderueshme mbetjesh kimike nga ish uzina Dajti me përmbajtje cianur, Ministria e Bujqësisë është në pritje të sqarimit nga Ministria e Mjedisit lidhur me situatën mjedisore për kontaminimin e mundshëm të kësaj zone pas zhvendosjes së këtyre mbetjeve”, sqaron ministria e Bujqësisë në njoftimin e saj të sotëm.
Në ish-uzinën Dajti në Tiranë, sot magazina e tregut të shumicës pranë rrugës “5 Maji”, prej 20 vjetësh qëndronin të mbyllura 700 kilogram cianur, pluhur hekuri dhe lëndë të tjera të rrezikshme.
Prej një muaji ekspertët e mbrojtjes dhe mjedisit kanë bërë paketimin e cianurit dhe lëndëve të tjera në kuti plastike. Procesi i largimit të cianurit nga magazinat e ish-uzinës “Dajti” u bë nga ekspertët e mbrojtjes. Zona u rrethua për disa metra katrorë. Specialistët punonin me veshje dhe maska specifike ndërsa fare pranë rrethimit media dhe tregtarët lëviznin lirshëm në zonë. 700 kilogramë mbetje të rrezikshme nga ish-uzina “Dajti” do të vendosen në Elbasan.
Mapo
Add new comment