Mbahet forumi i FRESSH, Peleshi: Nga këtu lindin politikanët e rinj.
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ka zhvilluar një takim me të rinjtë socialiste në qytetin e Korçës, ku është mbajtur konferenca kombëtarë e FRESSH. Ndërsa u shpreh se majta tashmë është në një proces reformimi dhe reflektimi, numri 2 i qeverisë tha se në këto forume mund të lindin politikanët e rinj. Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Peleshi tha se “fushata e vitit të kaluar ishte fushata e parë ku e majta e djathta u ndanë qartazi sa i takon doktrinës ideologjike të tyre”.
“Në mbi 20 vite forumet rinore janë parë si një forcë elektorale për të mbështetur në fushata ato punë që s’i bëjnë dot partitë. Nga të rinjtë mund të burojë debati i mirëfilltë. Në këto forume mund të lindin politikanët e rinj. E majta sot është në një proces reformimi dhe reflektimi. E majta dhe e djathta ndryshojnë nga vlerat të cilave u besojnë. Kemi kaluar nga e majta tradicionale tek ajo moderne përmes drejtësisë sociale. Jemi zotuar se programi ynë nuk do jetë rotacion, por një tranzicion kryesisht i vlerave jo thjesht politike. Reformat tona kanë qenë standarde. Të konsultuara me partnerët e BE. Fushata e vitit të kaluar ishte fushata e parë kur e majta e djathta u ndanë qartazi sa i takon doktrinës ideologjike të tyre”, u shpreh Peleshi.
Më tej në fjalën e tij, zëvendëskryeministri është ndalur edhe tek politikat ekonomike në vend. “Taksa progresive është e drejta e detyrimi që kush fiton më shumë të paguajë më shumë. Reforma e pensioneve shpreh qasjen tonë ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë”, tha zv.kryeministri Peleshi.
Add new comment