Marrëdhëniet Shqipëri-KiE

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se Shqipëria dhe Këshilli i Europës janë në fazën e partneritetit mes tyre. Gjatë konferencës “Anëtarësimi i Shqipërisë në KiE, nga asistenca në partneritet”, ai vlerësoi ndihmën e kësaj organizate, ndër të parat që asistoi Shqipërinë në hapat fillestarë të demokratizimit dhe ndërtimit të shtetit ligjor.
Kryetarja e delegacionit parlamentar shqiptar në këtë organizëm, Valentina Leskaj kërkoi heqjen e statusit monitoriues, duke renditur ecurinë në katër drejtime: avancimin e reformave, zgjedhjet e 23 qershorit, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës, si dhe bashkëpunimin mes partive politike në Parlament.
“Unë dua të shfrytëzoj rastin e sotëm që të kërkoj që shqipëria të dalë nga statusi i monitorimit për të kaluar në atë të post-monitorimit”, deklaroi Leskaj.
Parlamentari britanik Jonathan Evans, njëkohësisht një prej raportuesve të Asamblesë Parlamentare të KiE-së për Shqipërinë, tha se monitorimi është i rëndësishëm.
“Shqipëria ka rënë dakord për këto në vitin 1995 dhe ka marrë angazhime përsipër. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse jemi të kënaqur, nëse bindemi se këto angazhime janë respektuar, sepse kjo është tërësisht kyçe përsa i përket Shqipërisë. Dhe ne mund të themi që Shqipëria i ka respektuar këto angazhime, siç tha dhe zoti ministër, përsa i përket objektivit të Shqipërisë për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Europian”, deklaroi Evans.
E pranishme në këtë konferencë ishte dhe Verena Taylor, që foli për rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe KiE-së, në fushat kryesore, të përqendruara tek integrimi europian i vendit.
Në kuadër të kësaj konference u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Akademisë Diplomatike të MPJ-së dhe shkollës së studimeve politike të Këshillit të Evropës.
Top Channel
Add new comment