Llalla ngre grup pune për shqyrtimin e dosjes “Imami”

Postuar në 13 Dhjetor, 2013 09:43

Ngrihet në Prokurorinë e Përgjithshme një grup pune për dosjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Padia e ngritur nga ministrja Mimi Kodheli ndaj paraardhësit të saj për abuzim me detyrën do të shqyrtohet nga një grup prej 5 prokurorësh.

Shqyrtimi i dosjes “Imami” nisi pas kthimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla nga Londra.

Procedura

Burime nga organi i akuzës i thanë dy ditë më parë gazetës DITA se pasi numri një i akuzës të kthehet nga vizita e punës, pritet të mblidhet grupi i prokurorëve në prezencë të tij për të shqyrtuar materialin në Zyrën e Protokollit dhe më tej nëse ka elementë të pranueshëm për hetim, do të bëhet regjistrimi dhe më tej hetimi i dosjes. “Dosja nuk mund të regjistrohet, pasi kjo është çështje e rëndësisë së veçantë, ku përfshihet një ish-ministër funksionar i lartë dhe deputet. Duhet patjetër sipas ligjit prezenca e kryeprokurorit”, shpjeguan burimet. Në lidhje me afatet e regjistrimit, theksohet se nuk ka asnjë problem, pasi afati është deri në 30 ditë. Pasi të protokollohet, dosja do i kalojë një apo më shumë prokurorëve që zgjidhen me short. Dosja do hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, për faktin se i denoncuari është ish-ministri Arben Imami, aktualisht deputet dhe për një arrestim të mundshëm të tij kërkohet patjetër leja e Parlamentit, ashtu si dhe për kontroll banese dhe fizik.

Hetimet

Dosja e denoncuar përmban një material me 220 fletë, e përgatitur nga Auditi i Brendshëm i MM dhe specialistët e saj, bashkë me ekspertë të Antikrimit Ekonomik. Janë gjetur të gjitha dokumentacionet rreth tenderit me selektim të zhvilluar në muajin prill 2013, para fushatës elektorale, për rreth 1 miliardë lekë të vjetra, për 3 spote publicitare dhe 3 dokumentarë, që i janë dhënë pa tender publik dy televizioneve kombëtare, TV KLAN dhe TVSH, por gjithashtu është favorizuar një kompani si fituese që sapo ishte ngritur. Ka dyshime gjithashtu se vetëm gjysma e parave është xhiruar për transmetimin dhe gjysma tjetër nuk dihet se ku ka devijuar, ndaj dhe do hetohet më tej. Për këto veprime akuzohet si përgjegjës kryesor ish-ministri Arben Imami, që ka lëshuar urdhra për tenderin e drejtpërdrejtë dhe anashkalimin e procedurave të prokurimit. Gjithashtu ky tender është legalizuar si i ligjshëm nga ish-drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Shkëlqim Berisha, aktualisht zyrtar te ILKPD, ish-këshilltari mediatik Mentor Beqa, ish-shefja e Logjistikës, Nilka Sina dhe Sokol Neziraj, ish-nëndrejtori i Qendrës Kulturore të Botimeve të Ushtrisë, që ka bërë dhe lëvrimin e parave. Të katër këta zyrtarë janë denoncuar në të njëjtën dosje, po me 3 akuza si dhe ish-ministri Imami.

Akuzat

Në deklaratën për shtyp të dy ditëve më parë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, garantoi se dosja është përgatitur nga një grup ekspertësh që kanë shqyrtuar deri në detaje aferën korruptive. Ish-ministri dhe ish-punonjësit dyshohen se kanë konsumuar 3 veprat penale të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal, “shpërdorim i detyrës”, neni 256, “shpërdorim të kontributeve të dhëna nga shteti” dhe neni 258, “shkelje të barazisë në tenderë dhe ankande publike”.

Edhe 4 dosje të tjera do dërgohen në Prokurori

Por burime nga dikasteri i mbrojtjes thanë se ekspertët po përgatisin edhe 4 dosje të tjera në ngarkim të Imamit dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës. Dosja e parë është ajo e kontrabandës së armëve me vende nën embargon e OKB-së, si në Libi, Jemen, Siri dhe në Afrikën Jugore. Konkretisht është tregtia e bërë me Slobodan Tesiç, të cilit i është gjetur dosja e kontratave, ndërsa ishte person i përfshirë në listën e zezë të OKB-së. Vetë OKB ka kërkuar sqarime nga Imami për këtë person dhe arsyet përse e ka takuar në Tiranë. Dosja e dytë është ajo e përgjimeve ndaj opozitës dhe blerjes së pajisjeve speciale, ku është aktivizuar me këtë detyrë Drejtoria e SHIU-t. Po kështu dosja e blerjes së pajisjeve dhe armatimeve një ditë para 21 janarit 2011, shpenzimet marramendëse abuzive dhe korrupsioni me 1 milionë litra karburant para zgjedhjeve, ku ushtria u përdor për fushatë elektorale të Partisë demokratike.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.