Krerët e besimeve fetare në Bunk’Art: Harmonia, vlera jonë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/4991_146932.jpg?itok=vgr3AqBi)
Aseti më i çmuar i Shqipërisë është bashkëjetesa fetare. Këtë kanë thënë njëzëri krerët e institucioneve fetare në vendin tonë, ndërsa të ulur bashkarish në një panel në bunkerin e ish-diktatorit Hoxha, përbënë kartolinën më të bukur për ta dëshmuar këtë.
Ironia e fatit deshi që krerët e besimeve fetare të bashkoheshin në vendin e ndërtuar nga vetë diktatori që u përpoq të asgjesojë çdo besim fetar në vend, por për ta asgjë nuk mund ta zhdukte Zotin nga zemra e shqiptarëve. Këtë mesazh ka përcuar edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, i cili nuk la pa evidentuar faktin e pranisë së të rinjve në këtë ekspozitë muzeale në BUNK’ART.
“Më pëlqen ta nis me paqe dhe ndihem shumë mirë kur audienca është përfshirë nga të rinj. Nga eksperienca e parë me këtë ndërtesë më erdhën në mend ata persona që kanë kontribuar në ndërtimin e tij nëse do e kishin menduar se do të vinte një ditë që në këtë ambient të flitej për lirinë fetare. Historia bën të vetën, populli shqiptar ka përjetuar histori të dhimbshme. Është e lehtë të mohosh besimin me ligje, por besimi në Zot nuk hiqet dot nga zemrat e njerëzve. Respekti ndaj tjetrit që beson dhe mendon ndryshe është esenciale, edhe Zoti vlerëson atë që di të respektojë personin që ka përballë pa marrë parasysh diferencat etnike, politike e fetare”, tha Bruçaj.
Në ambientet e BUNK’ART një hapësirë e vecantë iu kushtua një ekspozite me foto e dëshmi të persekutimit që regjimi komunist i bëri besimit, të sjella këto nën kujdesin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) dhe Komitetit Shtetëror të Kulteve.
Dhame: Bashkëjetesa fetare, aset i çmuar. Ky bunker, dhuna e regjimit ndaj fesë
Drejtuesja e AKT-së, Julinda Dhame, tha se bashkëjetesa fetare në Shqipëri është një aset i çmuar që duhet njohur e vlerësuar edhe më gjerë. Ndërsa ndjekës të kësaj konference ishin të rinj, Dhame theksoi se brezi i ri duhet të njihet me këtë pjesë të dhimbshme të shoqërisë shqiptare.
“Temë e përditshme në një vend të pazakontë. Shumë prej jush nuk e keni idenë se çfarë ka ndodhur në vitet e diktaturës komuniste. Kemi qenë i vetmi vend komunist që zhdukëm zyrtarisht fenë, si në asnjë vend tjetër të botës komuniste shkatërruam kisha e xhami. Pati burgosje, vrasje ndarje nga njerëzit. Asnjë histori nuk njihet vetëm nga e tashmja. Në këtë bunker njiheni me një pjesë të pazakontë të dhunës së regjimit ndaj fesë. Kemi shumë objekte të kultit në vendin tonë, kush nuk do donte të njihej me objektet më të mëdha që i kanë rezistuar kohës, historisë së klerikëve. Bashkëjetesa fetare në vendin tonë është aseti më i çmuar. Nëse dikush dashurohet me një të fesë tjetër, në Shqipëri nuk është tabu, por kjo na bën qytetarë të konsoliduar në besimin në Zot, nuk na bën të pafe”, u shpreh Dhame.
Veliaj: Njerëzit e Zotit në bunkerin e Enverit i dhanë goditjen e fundit komunizmit
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj i pranishëm në këtë aktivitet, e vlerësoi si kartolinën më të bukur prezencën e të gjithë krerëve të besimeve fetare në vend të ulur në një panel e ku në sfondin e tyre në një video-projektor shfaqej ish-diktatori Enver Hoxha dhe rastet e dënimeve dhe persekutimeve të klerëve.
Veliaj tha se me ardhjen e tyre në këtë bunker, iu dha goditja e fundit atij regjimi që tentoi të vriste besimin, por që nuk mundi ta shfarosë nga zemrat e atyre që dhanë edhe jetën në emër të Zotit.
“Kanë prodhuar sot kartolinën më të bukur që Shqipëria mund të kishte menduar ndonjëherë në këtë bunkerë dhe jashtë tij. Unë jam fëmijë oficerësh, prindërit e mi kanë qenë ushtarakë gjatë asaj kohe. Të tjerë si unë, e dinë fare mirë që çmimin më të madh e kanë paguar fëmijët e ushtarakëve se angazhoheshin në një luftë imagjinare dhe kishin më pak kohë për fëmijët. Kishte projekte të çmendurive të këtyre përmasave që tregon ky bunker më vjen keq për atë pjesë të humbur të fëmijërisë ku humbnin kohë me këto projekte të çmendura. Kemi një provë të gjallë që dashuria e mund urrejtjen, drita e mund errësirën. Sot jemi për të folur për atë bunkerin që secili e ka, e zemra e tij ndonjëherë mbyllet për ndjenja të reja. Fakti që jemi të ndryshëm na bën të jemi të veçantë. Me këtë kartolinë treguan një Shqipëri që nuk ka vetëm bekimet e Zotit, po ka edhe një pasuri të thellë njerëzore që u dëshmua gjatë vizitës së Papës, përurimit të Katedrales së Re etj. Regjimi komunist ka marrë goditjen e fundit, njerëzit e Zotit janë sot këtu falë një qeverie që çliron bunkerë për hapësirë publike, por çliron edhe bunkerin në mentalitet. E mira fitoi në Shqipëri, ky bunker iu kthye qytetarëve, njerëzit që besojnë sot janë të respektuar dhe na japin kartolinën më të bukur”, tha Veliaj.
Peshkop Andoni: E zhdukën besimin se binte ndesh me propagandën e tyre të egër
Për Peshkon Andonin nga Kisha Ortodokse, regjimi komunist e zhduku fenë për faktin e vetëm se besimi në Zot e drejtësi binte ndesh me propagandën totalisht të kundërt të atij regjimit: urrejtja ndaj njëri-tjetrit.
“Është interesat fakti se si i vetmi vend në botë, Shqipëria jo vetëm u instalua një diktaturë e egër, por i vetmi vend që me krenari shpalli që nuk besonte në Zot, pra një shtet ateist. Lufta ndaj tyre arriti deri në skaje, pa kompromis, këto regjime diktatoriale shikonin se besimi te Zoti, e drejta për drejtësi ishin parime që binin ndesh me propagandën e egër komuniste që kultivonte urrejtjen për njëri-tjetrin”, theksoi pastor Andoni.
Imzot Frendo: Besimi në Zot përmirëson marrëdhëniet me tjetrin
Imzot George Frendo, ipeshkv ne katedralen e “Shën Palit” e sheh besimin në Zot si mundësinë më të mirë për të përmirësuar marrëdhëniet jo vetëm me veten, por mbi të gjitha edhe me tjetrin.
“Një sociologe e besimeve thotë se nuk është e vërtetë që njeriu i sotëm ka humbur fenë. Në besim gjejmë shpresë për jetën tonë, gjejmë thelbin për jetën. Njeriu fetar ka qenë gjithmonë i bindur se marrëdhëniet e tij me Zotin përmirësojnë marrëdhëniet e tij me të tjerët. Citime nga Bibla: Mos e shtyp të huajin sepse edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit. Shpaguani të keqen me diçka më të mirë, dhe dikush që është larg nga ju se është armik do të bëhet mik i vërtetë”, u shpreh imzot Frendo.
Pastor Alikurti: Modeli për të ecur para, besimi. Ktheni sytë nga Zoti
President i Vëllazërisë ungjillore të Shqipërisë Pastor Alikurti, tha se i vetmi model integrimi që një popull i skllavëruar nga një regjim i egër, është vetëm besimi. Ai iu drejtua të rinjve me apelin për t’i kthyer sytë nga Perëndia.
“Unë i përkas një brezi të pas viteve ‘44 që e kam parë me sytë e mi dhe e kam prekur persekutimin komunist edhe mbi klerin. Dhe bëj një pyetje: Ku janë sot persekutorët, ku janë sot ata që ideuan persekutimin e klerit të besimit dhe të popullit, ku janë sot figurat e besimit, ata që shkrinë jetën e tyre për kombin e besimin e tyre.
Nuk ka një fuqi të shkulë këtë mbretëri nga zemrat e njerëzve. Nëse sot kemi liri të besojmë kjo është për shkak se të parët tanë kanë ruajtur këtë mbretëri të perëndisë në zemrat tona. Unë dua t’i them të rinjve, të ndjekin rrugën e besimit, se do të gëzojnë jetën e tyre dhe do të jenë një bekim për pasardhësit e tyre. T’i jemi mirënjohës perëndisë, për harmoninë që kemi në mesin tonë dhe sëbashku në këtë mënyrë mund t’i shërbejmë kombit tonë, se ky popull që vjen nga një skllavëri komuniste, ku do ta gjejë ky vend modelin? Do ta gjejë tek njerëzit e besimit!”
Add new comment