Kreditimi i bujqësisë, prezantohet Fondi Kombëtar i Garancisë

Postuar në 25 Maj, 2015 12:06

Qeveria dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantuan Fondin Kombëtar të Garancisë në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që synon rritjen e kreditimit në sektorin bujqësor, përmes garancisë së shtetit dhe BERZH-it.

“Sipërmarrësit të prodhojnë, të mbështetur prej nesh dhe të mos merren me letrat që duhet të çojnë në bankë. Këtë do ta bëjmë ne dhe ne garantojmë së bashku me BERZH që bankat të kenë një risk minimal, në mos inekzistent. Ndaj, gjithë ato para që keni nëpër arka duhet t’i nxirrni e t’i hidhni në bujqësi, sepse është sektori pa asnjë rrezik”, deklaroi Rama.

“Flasim me shifra konkrete për të justifikuar edhe atë bashkëpunim mes jush si financues dhe bankave dhe shtetit shqiptar, për të realizuar financimin e bujqësisë. Nuk bëhet fjalë për dhjetëra milionë, por ndoshta edhe 100 milionë euro për të shndërruar bujqësinë në lokomotivë të zhvillimit të ekonomisë shqiptare”, tha nga ana tjetër ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.  

Përfaqësuesi i BERZH për Shqipërinë, Kristof Denk tha se Fondi Kombëtar i Garancisë në Bujqësi dhe Zhvillim Rural është elementi që do të zhbllokojë kreditimin në sektorin bujqësor. 

“Për të dyja këto lloj produktesh, linjat e kreditit dhe ndarjes së riskut ka një element thelbësor dhe këtu hyn Fondi Kombëtar i Garancisë. Ideja në këtë pikë është që kjo hua dhe këto portofole të përfitojnë nga i ashtuquajturi mbulim i parë i humbjes, që do të thotë humbjet e para që padyshim mund të ndodhin në një portofol huash, do të mbulohen nga fondi që e siguron këtë dhe është i financuar nga grantet”, nënvizoi Denk. 

Ndërmjetëse mes bankave dhe sipërmarrësve është Agjencia e Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë, e cila do të marrë përsipër procesin e informimit, trajnimit dhe mbledhjes së projekteve e depozitimit të tyre tek bankat.

/ Top Channel 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.