Konflikt me policin rrugor, Prefekti i Vlorës, Dervishi, shoqërohet në polici

Prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi, është bërë sërish personazh mediatik jo për punën e tij por për problemet që e ndjekin ngado. Këtë herë ai duket se nuk është viktima por agresori pasi është shoqëruar në polici pas një konflikti me një polic rrugor për parkim të gabuar. Pak ditë më parë në makinën e tij u gjet eksploziv i vendosur me telekomandë, ndërsa sot ai ka qënë në Komisariatin Nr.1 të kryeqytetit për të sqaruar konfliktin me policinë rrugore.
Ngjarja është shënuar tek “Rruga e Elbasanit” teksa Dervishi kishte parkuar tek kjo rrugë me automjet. Policia bën me dije se prefekti i Vlorës kishte parkuar gabim, dysh, ndaj efektivët i kanë tërhequr vërejtjen. “Shoqërimi u bë për fyerje e mosbindje të efektivëve”, bëjnë të ditur burime nga policia.
Ndërsa vetë prefekti ka thënë se po spekulohet me këtë incident. “Mos spekuloni për gjëra që janë të pavërteta”, tha Dervishi. Sipas tij, prezenca në policia është si e çdo qytetari normal, pas një ankese kundër tij. “Nuk kam asnjë lloj incidenti të paktën sa më përket mua. Është një lajm i rremë, unë jam në gatishmëri të organeve të rendit. Jam në mbrojtje të organeve të rendit aktualisht. Ju dukem si person i shoqëruar? Jam këtu si çdo qytetar që drejtohet në komisariat për ndonjë ankesë”, tha Dervishi.
MAPO
Add new comment