Kamëz, ekzekutohet me plumb në kokë 50-vjeçari para fëmijës së tij

Postuar në 16 Dhjetor, 2014 04:36

TIRANE - Një atentat me armë zjarri ndaj një 50 vjeçari ka tronditur mëngjesin e sotëm kryeqytetin. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 pranë shkollës “Ibrahim Rugova në Kamëz, ku viktima Qerim Skaci është qëlluar me dy plumba pistolete, një në kokë dhe një në trup, nga një person rreth të 30-ave, identiteti i të cilit dihet ende.

Mësohet se autori ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dy herë në drejtim të viktimës në momentin që ky i fundit sapo kishte dalë nga banesa e tij dhe ishte me djalin e tij për ta dërguar në kopësht.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, atentatori i është afruar viktimës, kur ky i fundit kishte hyrë në dyqan për të blerë ashtu si çdo mëngjes një kroasant, që ia jepte të birit me vete. Në këtë moment autori i është afruar nga pas duke e pyetur nëse është ai Qerim Skaci, për t’u siguruar për personin që do të ekzekutonte duke hedhur kështu dyshimet se mund të jetë një vrasje me pagesë.

Ky ka qenë edhe bashkëbisedimi i vetëm ndërmjet autorit dhe viktimës, ku pas të shtënave atentatori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u fshehur përmes komplekseve të pallateve.

Burime nga policia e Tiranës bëjnë të ditur gjithashtu se autori 30 vjeçar nuk ka qenë i vetëm, por se në momentin e largimit nga vendi i krimit ai është pritur nga një person tjetër me një automjet, ku së bashku me të janë larguar.

50 vjeçari Qerim Skaci, fillimisht ka mbetur i plagosur rëndë, por pavarësisht dërgimit të tij me urgjencë në spital, ai sërish nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë.

Nga verifikimet paraprake të policisë rezulton se viktima ka qenë një person me precedentë penalë, dhe se dyshohet se atentati ndaj tij mund të ketë ndodhur për konflikte të mëparshme të 50 vjeçarit.

Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, ka shoqëruar në komisariat 6 dëshmitarë për t’i marrë në pyetje, si dhe janë ngritur një sërë postblloqesh në kryeqytet me qëllim ndalimin dhe arrestimin e atentatorit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.