Gjobë 100 milionë lekë biznesmenit, arrestohet ish-truproja e Berishës

Policia e Tiranës ka vënë në pranga ish-truprojën e familjes Berisha, gardistin Fatos Skeja, së bashku me shtetasin Gojart Loci. Burime nga policia e kryqytetit bëjnë me dije se arrestimi i Skejës është bërë pas vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën arrest me burg për gjobënie.
Ish-gardisti, pjesë e “grupit të zjarrit” në ngjarjen e 21 janarit akuzohet se ka gjobitur me 100 milionë lekë biznesmenin shqiptaro-amerikan, Ramazan Hima. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në muajin gusht të këtij viti, ku biznesmeni nga Kalaja e Dodës, ka denoncuar se persona të paidentifikuar i kishin vënë gjobë 100 mijë euro.
Ai ka deklaruar për policinë se prej vitesh jeton në SHBA, ku ka në pronësi tre hotele. Hima ka denoncuar se persona të panjohur me anë të telefonit, e kishin kërcënuar me jetën e familjarëve të tij, duke i kërkuar 100 mijë euro. Në këto kushte, denoncuesi ka kërkuar ndihmën e policisë për identifikimin e autorëve të shantazhit që po kryhej ndaj tij. Skeja dhe Loçi po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Shqip
Add new comment