Fyle i telefon Ramës për mbështetje, Cameron shton dozat e skepticizmit

Afatet - Gjashtë muaj kohë i është lënë Shqipërisë deri në provimin e radhës përpara Këshillit të Ministrave të BE-së, për marrjen ose jo të statusit kandidat.
Kushtet - Pavarësisht mospranimit të kërkesës për status, Shqipërisë nuk iu dhanë detyra shtesë për t’u kryer gjatë kësaj kohe pritjeje në kërkim të statusit të munguar.
Situata - Shqipëria, për katër vite me radhë nuk arrin dot të marrë këtë status, pavarësisht përpjekjeve teknike dhe politike të bëra, duke shënuar një precedent negativ.
Statusi
Komisioneri për Zgjerimin jep mbështetjen e palëkundur ndaj Shqipërisë
Cameron - Kryeministri britanik ka kërkuar që BE-ja të kufizojë lëvizjen e personave që vijnë nga shtetet e reja të varfra të Unionit, si dhe të kenë kujdes me zgjerimin
Rama - Kryeministri Edi Rama, në një qëndrim të qeverisë për refuzimin e statusit, u angazhua për vijimin e reformave nga Shqipëria dhe rezultate konkrete për angazhimet.
Venizelos - Kreu i diplomacisë greke ka kërkuar nga ambasadori grek që të informojë zyrtarët shqiptarë se Greqia mbështeti në mbledhjen e fillimjavës dhënien e statusit për Shqipërinë.
Merkel - Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishte një nga liderët që vulosi mosdhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, duke kërkuar më shumë përpjekje nga qeveria.
Skeptikët - Holanda, Danimarka, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca ishin pesë shtetet, të cilat bllokuan marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria këtë muaj.
Fatjona Mejdini
Komisioni Europian dhe presidenca greke e BE-së e cila nis në janar kërkojnë që Shqipëria të mos dekurajohet nga mosmarrja e statusit të vendit kandidat, por të vijojë reformat, sepse ndihma nuk do të mungojë. Vetë komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, zhvilloi një telefonatë me kreun e Ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, për ta siguruar këtë të fundit për mbështetjen e palëkundur të KE-së për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sinjale pozitive erdhën dje dhe nga ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, të cilat vlerësohen dhe për shkak të faktit se Greqia do të ketë presidencën e radhës së BE-së, kohë që përkon dhe me riparaqitjen e Shqipërisë përpara Këshillit për statusin kandidat. Në një njoftim të ministres së Jashtme greke, theksohet se shteti fqinj do të ndihmojë Shqipërinë në arritjen e këtij objektivi, nisur dhe nga fakti se ishte pro dhënies së statusit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së të mbajtur në fillimin e javës. Ndërkaq, nga Gjermania, një nga vendet bllokuese për dhënien e statusit këtë muaj, vinë sinjalet se për marrjen e tij nevojitet një implementim i strategjisë kundër korrupsionit, të shoqëruar me hetime pro aktive. Britania e Madhe ndërkohë ka shtuar më tej skepticizmin e saj për zgjerimin e BE-së. Dozat e skepticizmit erdhën nga Kryeministri britanik, David Cameron, gjatë samitit të djeshëm të BE-së në Bruksel, ku kërkoi që të tregojnë kujdes me politikat e zgjerimit.
Fyle
Komisioneri për Zgjerim në KE, Stefan Fyle, ka preferuar të kontaktojë në mënyrë direkte me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për keqardhjen në kuadër të mosmarrjes së statusit dhe inkurajimin për vijimin e reformave. Fyle shkroi në rrjetin social Twitter në lidhje me një telefonatë që zhvilloi me Ramën dhe faktin se komisioni do të vijonte të mbështeste Shqipërinë në rrugën drejt këtij objektivi. “Sigurova Kryeministrin e Shqipërisë për mbështetjen e palëkundur të KE”, theksoi Fyle në statusin e tij. Ky solidarizim me Shqipërinë vjen dhe në kohën, kur KE u kishte sugjeruar vendeve anëtare dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, nisur nga fakti se vendi ynë i kishte përmbushur kriteret teknike. Madje, Fyle përveç rekomandimit zyrtar të KE-së, u kishte shkruar një letër 28 ministrave të Jashtëm të BE-së, ku u shpjegonte se pse këtë vit Shqipëria e meritonte statusin. Pavarësisht mosdhënies së tij, KE është angazhuar se do ta ndihmojë Shqipërinë për ta arritur objektivin e saj në muajin qershor të vitit tjetër. Telefonata e Fyles duket se ka ardhur pas qëndrimit të mbajtur nga Kryeministri Rama, i cili në emër të qeverisë shqiptare shprehu rezerva për vendimin për mosmarrjen e statusit.
Venizelos
Ministria e Jashtme greke bëri të qartë dje se qëndrimi i saj ka qenë për dhënien e menjëhershme të statusit të vendit kandidat, Shqipërisë, duke mos e shtyrë atë në qershor të 2014-s. Ky qëndrim i diplomacisë greke, i mbajtur nga ministri i Jashtëm, Evangelos Venizelos, është shumë i rëndësishëm, për shkak se fqinji ynë jugor pret të marrë Presidencën e BE-së, që zgjat nga janari deri në qershor të vitit 2014. Periudhë e cila kur Shqipëria do të rivlerësohet për çështjen e statusit të vendit kandidat. “Greqia është e angazhuar për ta ndihmuar Shqipërinë pa hezitim në arritjen e këtij objektivi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Kreu i diplomacisë greke Venizelos pak javë më parë ishte një vizitë zyrtare në Tiranë ku theksoi nevojën e hapjes së një kapitulli të ri mes dy vendeve.
Gjermania
Në një prononcim për radion gjermane “Deutsche Ëelle” një zëdhënës i qeverisë gjermane flet dhe për hapat që duhet të marrë vendi për të marrë statusin e vendit kandidat në qershorin tjetër. Sipas tij, Shqipëria duhet të ndërmarrë përpjekje të mëtejshme për implementimin e strategjive reformuese në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit, të zgjerojë legjislacionin përkatës dhe pret hetime të mëtejshme proaktive, si dhe ndjekje penale edhe në fushën e kriminalitetit të organizuar. Përkthyer me fjalë të tjera Gjermania dhe vendet skeptike kërkojnë që Shqipëria të japë prova konkrete se është e aftë për të luftuar korrupsionin, duke çuar përpara angazhimin e marrë për rezultate konkrete në këtë fushë. Dy ditë më parë, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkoi më shumë përpjekje nga qeveria për miratim ligjesh dhe reformash.
Cameron
Kryeministri britanik ka kërkuar që BE-ja të kufizojë lëvizjen e personave që vijnë nga shtetet e reja të varfra të Unionit apo të atyre vendeve që synojnë t’i bashkohen familjes europiane. Deklarata e Cameron u lëshua dje nga Brukseli para mbajtjes së samitit të BE-së. Ai u kërkon homologëve të tij që të mos bëjnë gabimet e njëjta si me dy shtetet e reja anëtare, Bullgarinë dhe Rumaninë. Nisma e tij, sipas mediave angleze, synon që të marrë mbështetjen e euroskeptikëve konservatorë, të cilët janë të shqetësuar për një dyndje të mundshme të rumunëve dhe bullgarëve, kur ata të marrin të drejtën më 1 janar të vitit 2014 për të punuar në Britaninë e Madhe. Shqipëria dhe Serbia janë në pritje t’i bashkohen Unionit, deklarata e Cameron shton më tepër skepticizmin e shteteve ndaj vendeve që duan të jenë pjesë e familjes europiane. Ai ka theksuar se shtetet e reja anëtare duhet të kenë një nivel të ardhurash për frymë ose niveli ekonomik, përpara se të gëzojnë të drejtat e plota për lirinë e lëvizjes në hapësirën e BE-së. Sot, krerët e qeverive anëtare të BE-së pritet të diskutojnë mbi sigurinë, ku nuk përjashtohet as diskutimi për zgjerimin e BE-së.
Shqip
Add new comment