Eksplozivi në makinën e prefektit të Vlorës, policia gjen gjurmë gishtash

Policia shkencore ka arritur të gjejë gjurmë gishtërinjsh në letrën e natribanit, e cila u përdor për të mbështjellë eksplozivin e vendosur në makinën e Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, raporton Ora News.
Në bazë të verifikimeve të kryera deri tani nga ekspertët e laboratorit të policisë kriminale këto gjurmë nuk i përkasin asnjë personi me precedentë penalë, të cilët ndodhen në skedarët e Policisë së Shtetit.
Për këtë arsye me kërkesë së prokurorëve të çështjes, policia i ka kërkuar firmës Aleat, e cila prodhon dokumentet e identifikimit në Shqipëri të bëjë krahasimin se të kujt janë këto gjurmë gishtërinjsh, nëse ai person është pajisur me dokumente biometrike.
Pavarësisht se kërkesa ka disa ditë që është bërë, ende nuk ka një përgjigje nga kompania. Policia e shtetit në këtë rast është e detyruar të presë përgjigje, pasi në kontratën e nënshkruar nga Ministria e Brendshme me këtë koncesionar, ministria nuk disponon të gjithë gjurmët e gishtave të personave që aplikojnë për dokumente, sepse të dhënat janë në pronësi të firmës “Aleat”.
Nga grupi hetimor mësohet se pista kryesore mbi të cilën po hetohet është ajo për shkak të detyrës së Besnik Dervishit si prefekt i Vlorës. Hetime ka pasur edhe për persona të veçantë, ku nën lupën e hetimit janë dy persona tashmë të dënuar për vrasje dhe që ndodhen në qeli, të njohur si organizatorë të rrjetit të vendosjes së bombave me aparat celular.
Kryesisht hetimet po kryhen në rrethin shoqëror të këtyre dy personave, të cilët dyshohet se janë vendosësit e C4 në makinën e prefektit. Ndërkohë që policia dhe prokuroria vazhdojnë të marrin në pyetje shumë persona, të cilët kanë pasur kontakte ditët e fundit me makinën e Besnik Dervishit.
DITA
Add new comment