Dështojnë tratativat për blerjen e Belle Air 1 Dhjetor

Postuar në 01 Dhjetor, 2013 11:38

Dështojnë tratativat për blerjen e Belle Air
1 Dhjetor 2013 | : Ekonomi,Kryesoret | Autor: Gazeta Shqip

4
Bankat nuk japin kredi, borxhi 22 milionë euro. Telashe edhe për Blue Panorama

Dështojnë tentativat për blerjen e aksioneve të Belle Air, pas ndërhyrjeve të disa biznesmenëve dhe njerëzve me lidhje politike. Duket se kjo kompani nuk do të ketë mundësi të ristrukturohet duke rritur shanset për një shpallje falimenti nga Gjykata e Tiranës.

Odiseja Belle Air

Burime nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) shprehen se kompanisë Belle Air iu bllokuan llogaritë rreth një muaj më parë, çka detyroi drejtuesit të blinin karburant me lekë në dorë. Pasi kishin shteruar të gjitha mundësitë, këta të fundit pezulluan fluturimet duke lënë të shastisur mijëra shqiptarë, të cilët sapo kishin blerë bileta udhëtimi tek kjo kompani. Ditën e pezullimit të fluturimeve mësohet se kompania ka kryer lëvizjen e avionëve që ka n dispozicion. Dy avionë janë nisur në Ostrava në Republikën Çeke dhe dy në Tuluzë të Francës, ndërsa dhe dy të tjerë (ATR me helikë) janë ende në Rinas. Sipas zërave të sigurt brenda AAC-së, një ekspert holandez i këtij autoriteti kishte të birin pilot të kompanisë Belle Air dhe dyshohet se e ka favorizuar edhe për fluturime pa program. Sipas ligjit, ai nuk duhet të ishte punonjës i AAC-së sepse nuk mund të certifikonte djalin. Po atë ditë, drejtuesit e Belle Air kanë urdhëruar dhe punonjësit të marrin të gjitha dosjet. Burime nga Autoriteti i Aviacionit Civil thonë se kompania ka dorëzuar vendimin për pezullim fluturimesh po atë ditë që ka ndërprerë aktivitetin për shkaqe të njohura tashmë, ndërsa ligji e detyron ta komunikojë një gjë të tillë, minimumi një javë më parë. Pikërisht ky vendim i beftë shkaktoi dhe kaosin në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza”, ndërsa në lojë u fut Blue Panorama Airlines. Por kjo e fundit është një histori më vete…

Tratativa për blerje

Burime të sigurta brenda kompanisë shprehen se një nga aksionerët, shtetas i huaj, por mjaft i njohur për publikun shqiptar, i shiti aksionet e tij që në pranverë të këtij viti, duke qenë se ishte një vit elektoral dhe se zgjedhjet po afronin. Ndërkohë një biznesmen i suksesshëm, i përfolur për lidhje të ngushta me qeverinë e shkuar, tentoi jo pak herë të merrte aksionet kryesore, po asnjë nga bankat nuk e kreditoi pasi borxhet e Belle Air llogariteshin në 10 milionë euro, ndërkohë që mendohet që realisht të jetë shumë më i madh, deri në 22 milionë euro. Menjëherë pas kësaj, në lojë hyri një biznesmen tjetër, i përfolur për lidhjet politike me qeverinë aktuale. Pas emërimit si menaxher të Belle Air të një të besuarit të tij, edhe ky u tërhoq dy ditë më pas pikërisht për moskreditim nga banka. Më pas, të tjerë njerëz me peshë në biznes dhe politikë bënë tratativa të pasuksesshme për blerjen e aksioneve, ndërsa duket se kompania po shkon drejt shpalljes së falimentit.

Belle Air me shumë gjasa nuk do të arrijë të realizojë as ristrukturim as shitje të aksioneve, siç dhe e kërkoi në deklaratën e lëshuar prej saj, pasi bankat druajnë se marrëdhëniet jo të mira me qeverinë aktuale nuk do ta lejojnë kompaninë të rimëkëmbet. E në fakt burime të sigurta nga AAC thonë se kryeministri aktual ka pasur dy histori të hidhura me këtë kompani. Dy herë atiu iu mohua fluturimi; një herë me të ëmën dhe gruan dhe një herë tjetër me Taulant Ballën, kur nuk u lejuan të prisnin bileta për Vjenë.

Blue Panorama

Kjo kompani, e cila u fut në lojë nga Belle Air, nuk kishte bërë asnjë kërkesë pranë Autoritetit të Aviacionit Civil ditën kur qindra pasagjerë ishin lajmëruar se nuk do të fluturonin dot me linjat e kësaj kompanie. Kërkesa zyrtare mbërriti më vonë, ndërsa autoritetet po përpiqeshin të merrnin në dorë situatën duke lejuar fluturime. Por ndërkohë Blue Panorama, kompania ajrore e cila mbërriti si një bamirëse, është vetë në prag falimenti në Itali. Por ndërkohë, mijëra shqiptarë kanë prerë bileta me tarifën mbrojtëse prej 60 eurosh me linjë italiane. Ndërsa e gjithë gjullurdia me 52 mijë shqiptarë viktima vijon, Alitalia ka marrë miratimin për të shtuar fluturimet, ndërsa pritet të shtohet dhe kompania Fly Air dhe një kompani tjetër ende e panjohur. Deri më tani askush nuk di të shpjegojë se ç’do të bëhet me dhjetëra mijë pasagjerët e Belle Air.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.