Cani: Na e lanë Shqipërinë me borxhe si në kohën e Sudes

Ministri i Financave akuzon shtetarët e djeshëm për presione
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka akuzuar qeverisjen e PD-së se ka vepruar me financat e shtetit shqiptar ekzaktësisht si: Në “kohën e Sudes” në vitin ’97. Në emisionin ‘Si të bësh ekonomi në News 24 ministri u shpreh se: Duket instinkti i tyre i 97-s. Mua më bie për herë të dytë t’i përvishem e të pastroj ‘97-n si asokohe e më pas u rregullua ekonomia dhe ja ku jemi sërish në 2013-n. Përsëri na dhanë votën për të pastruar ato që lanë pas. Për çudinë tuaj edhe shifra që u deklarua me piramidat ishte e përafërt me 1 miliard dollarë dhe nuk është çudi që të dalë po 1 miliard edhe borxhi. Atëherë ia morën popullit, gabuan popullin me Suden e të tjerë, tani nuk kishin më objektiv popullin, por e hëngri biznesi”. Po kështu, Cani ka akuzuar drejtuesit e djeshëm të shtetit shqiptar dhe të afërmit e tyre se pasi bënë një sërë aferash të dyshimta me financat e vendit po bëjnë presione nga më të ndryshmet për t’i shpëtuar drejtësisë. Teksa është pyetur në lidhje me borxhet që biznesi i ka shtetit Cani paralajmëroi: Le të vazhdojë punën secili organ i ftohtë nga të gjitha veprimet se sa herë nxjerrim nga një gjë egërsohen njerëzit, fillojnë e bëjnë presione. Presione që diku edhe mund të japin efekt. Kështu që unë dua t’i lë njerëzit e mi të bëjnë punën që u takon, por edhe organet e tjera të shtetit të bëjnë punën e tyre. Do dalin të gjitha në kohën e vet. Mund të zvarriten pak, sepse ende nuk i kemi të gjitha gjërat në dorë janë po të njëjtët njerëz që ndoshta dhe rezistojnë, ndoshta janë edhe vet të përzier. Por ne jemi të vendosur drejt kësaj rruge kështu që do dalë. Po na kanë, dhe ky borxh është me dhjetëra miliarda dollarë. Në shumicën e rasteve nuk përputhen ai biznes që na ka dhe ai që i kemi. Janë me pak shpresë se janë lënë prej shumë vitesh pa u mbledhur ose krejt të harruara. Tempi është trefishuar i këtyre të ardhurave, por ende është i vogël. Do të jemi shumë të rreptë me mbledhjen e borxhit dhe u them kush i ka borxh shtetit t’ia japë se do fillojmë të sekuestrojmë pasuritë dhe ata do të verifikohen. Nuk është se kushdo që më thotë më keni borxh 1 milion lekë apo 1 miliard lekë do t’i marrë menjëherë, patjetër që do t’i verifikojmë. Në këtë rast po flas për TVSH-në, por patjetër edhe punimet në terren. Ndërkohë ministri ka folur dhe për buxhetin e viti 2014 duke deklaruar se ky buxhet nuk është buxhet krize, por ai i kthesës së madhe dhe se ekonomia do të vijojë rritjen pas 6-mujorit të parë. “Një herë është e sigurt që nuk është buxhet krize, por është buxhet zhvillimi. E them këtë për një arsye të thjeshtë se jemi munduar disa herë që ta argumentojmë që para se të bëhej buxheti që si do të bëjmë nga gjendja që gjetëm ekonomike dhe fiskale. Ishte një gjendje vërtet do të guxoja të thosha dramatike për arsye se jo vetëm që borxhi që trashëguam po që nuk është që nuk e dinim, por nuk e dinim në këto përmasa dhe çdo ditë zbulonim të reja dhe kjo doemos që të demoralizon. Së dyti, nisem edhe nga një faktor tjetër për të mos renditur gjithë ata faktorë se ndoshta më mirë të flasim për të ardhmen sesa për të shkuarën, por të gjesh një thesar që ka me muaj, me dhjetëra e me mijëra fatura në pritje për t’u paguar për një shumë rreth 100 milionë dollarë ose 10 miliardë lekë është depresive dhe mendon që qenka një gjendje e tejskajshme dhe doemos që duhet t’i kthehesh një buxheti për të eliminuar krizën. Pastaj me kohë bëmë balancat, punuam për tre muaj me FMN-në dhe Bankën Botërore dhe e cekuam ekonominë dhe vazhdon akoma. E vërej te publiku dhe opozita që spekulon me të që a janë zbuluar të gjitha”. Ndërsa për sa u përket taksave të reja, Cani deklaroi se çdo buxhet sheh në mbledhjen e të ardhurave. “Ne kemi marrë qeverisjen për t’i shërbyer qytetarit, për t’ju dhënë juve energjinë, për t’ju dhënë ujin, për t’ju dhënë ndihmën mjekësore, për t’ju dhënë arsimin më të mirë. Të gjitha këto përkthehen në para dhe doemos që t’i përkthesh në para dikush duhet të paguajë. Ne nuk kemi hezituar të deklarojmë që jo shtresat e varfra për arsye që varfëria në Shqipëri është shtuar vitet e fundit dhe nuk duam (të më falni se nuk është krejt e vërtetë) të nxjerrim dhjam nga pleshti. Ata janë të varfër, ne t’i mëkëmbim për të paguar më shumë taksa nesër. Një pjesë e shoqërisë do të detyrohet që deri diku në një aspekt të paguajë”.
SHQIP
Add new comment