Buxheti, PD gati paketën e amendamenteve: Shëndetësi dhe legalizime falas

Postuar në 26 Dhjetor, 2013 08:12

Në seancën parlamentare të ditës së shtunë, ku është parashikuar të votohet nen për nenprojektbuxheti dhe paketa e re fiskale, PartiaSocialiste pritet që të ketë një përballje interesante. Kësaj here jo me grupin parlamentar demokrat, por me vetë premtimet kryesore që ajo lançoi gjatë fushatës elektorale, një pjesë e mirë e të cilavenuk u reflektuan në projektbuxhetin dhe paketën e re fiskale për vitin 2014. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike po jep dorën e fundit të 30 amendamenteve që do të propozojë të shtunën dhe që përmbledhin kryesisht premtimet e Partisë Socialiste.

Premtimet e PS

Një prej tyre është edhe premtimi për shëndetësi falas. Grupi parlamentar i PD-së ka bërë gati amendamentin për shëndetësi falas për të gjithë qytetarët shqiptarë, duke propozuar disa ndryshime në projektligjin “Për disa ndryshime të ligjit ‘Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”. Sipas argumentit të PD-së, “miratimi i këtij amendamenti do të ishte tregues i qartë se qeveria aktuale nuk i bëri premtimet e saj vetëm për të siguruar votat e tyre”. Sipas grupit të PD-së, miratimi i amendamentit do t’i hapte rrugë më pas ndryshimeve në projektbuxhetin e vitit 2014, duke parashikuar në buxhet fondin e nevojshëm për realizimin e premtimit të shëndetësisë falas për të gjithë qytetarët shqiptarë. Një tjetër amendim lidhet me legalizimin e banesave falas për të gjithë banorët e zonave informale. Në draftin e grupit parlamentar të PD-së thuhet se në faqen 36 të Programit të Qeverisë 2013-2017, parashikohet se qeveria do të realizojë pa pagesë legalizimin e banesave pa leje në zonat informale, duke iu referuar në të njëjtën kohë edhe një zotimi publik të kryeministrit Edi Rama se procesi i legalizimit do të përfundojë brenda mandatit të pare të qeverisjes dhe kostot e këtij procesi për të gjitha banesat do të merren përsipër nga shteti. “Nga analiza e Buxhetit të Shtetit rezulton se realizimi i procesit të legalizimeve falas nuk është reflektuar. Konkretisht, projektbuxheti parashikon që nga procesi i legalizimeve të arkëtojë rreth 1.300 milion lekë. Me qëllim që të bëhet realitet premtimi i Qeverisë aktuale për legalizime falas, propozojmë disa ndryshime në projektligjin për buxhetin e shtetit të vitit 2014”, – thuhet në argumentimin e PD-së. Heqja e plotë e tatimit mbi vlerën e shtuar për energjinë për të gjithë qytetarët shqiptarë është një tjetër amendim i grupit parlamentar të PD-së, por që i referohet në fakt një premtimi të pjesshëm të PS-së. “Ky premtim u përfshi në mënyrë të cunguar edhe në programin e qeverisë, ku në faqen 43 të tij thuhet se do të ulet dhe kompensohet TVSH-ja për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër. Nga analiza e projektligjit të dërguar në Kuvend, si dhe e projektbuxhetit rezulton se ky zotim “bujar” i Kryeministrit nuk është reflektuar”,- thuhet në argumentimin që PD-ja i jep amendamentit në fjalë. Heqja e taksës për biznesin e vogël është një tjetër propozim i PD-së, duke pretenduar se, “nga analiza e projektligjit të dërguar në Kuvend rezulton se taksa e biznesit të vogël nuk është hequr por është zëvendësuar me taksën/tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël”. Ndër amendimet kryesore që grupi parlamentar i PD-së ka përgatitur është edhe heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për ushqimet jetike të shportës për të gjithë qytetarët shqiptarë. “Ky premtim u përfshi në mënyrë të cunguar edhe në Programin e Qeverisë, ku në faqen 43 të tij thuhet se do të përgjysmohet TVSH-ja për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit. Nga analiza e projektligjit të dërguar në Kuvendi, si dhe e projektbuxhetit rezulton se ky zotim “bujar” i Kryeministrit (si për heqjen, ashtu edhe për përgjysmimin) nuk është reflektuar”,- thuhet në argumentimin e PD-së. Grupi parlamentar i PD-së kërkon gjithashtu përmes një tjetër amendamenti uljen e nivelit të deficitit në vlerën e 60.000 milion lekëve. Për këtë propozim PD-ja sjellë në vëmendje një tjetër qëndrim të kryeministrit Edi Rama të mbajtur në datën 11 Dhjetor 2012, sipas të cilit, “çuarja e borxhit mbi 62%, bie ndesh me interesin e çdo familje të zakonshme shqiptare”. Mos rritja e çmimit të naftës është një tjetër amendament i PD-së, ndërkohë që në paketën e saj përfshihen edhe propozime që tentojnë të rikthejnë disa taksa në nivelin e tyre aktual.

Taksa e banesës

Në grupin e amendamenteve të propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike përfshihen edhe amendamente që lidhen me taksën e banesës edhe pse për këtë të fundit ka pasur reflektim edhe nga ana e PS-së. Në paketën e re fiskale propozohet që për banesat e ndërtuara para vitit 1993, të dyfishohet taksa mbi banesat, nga 15 lekë/m2 në 30 lekë/m2. Ky ndryshim, sipas argumentit që do të sjellë PD-ja,  prek të gjitha kategoritë shoqërore, veçanërisht shtresat më në nevojë. Për këtë arsye, PD-ja do të propozojë që të mos bëhet kjo rritje, por të qëndrojë në fuqi vlera ekzistuese, pra 15 lekë/m2 për banesat e para 1993. Një tjetër amendim i PD-së lidhet me barazimin e kontributit të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit dhe fermerët, që propozohet në paketën e re fiskale. PD sqaron se deri më sot fermerët në zonat fushore paguanin 280 lekë/muaj dhe ato të zonave malore paguanin 168 lekë/muaj. Me propozimin që është bërë në paketën fiskale, të gjithë fermerët do të paguajnë 1294 lekë/muaj. Sipas PD-së, kjo përkthehet në kosto shtesë vjetore për fermerët në zonat fushore në masën 12168 lekë/vit dhe për fermerët në zonat malore 13512 lekë/vit. Amendamenti i PD-së do të synojë jo vetëm që të mos bëhet kjo rritje e barrës mbi fermerët, por kjo barrë të hiqet e gjitha. Për propozimet në fjalë, grupi parlamentar i PD-së është mbështetur në nenin 75 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku specifikohet se: “Çdo deputet ose Këshilli i Ministrave ka të drejtë të paraqesë në seancë plenare amendamente për projektligjin ose ndryshimet e propozuara nga komisioni përgjegjës, me kusht që ato të jenë të regjistruara paraprakisht në sekretari të paktën 24 orë para fillimit të seancës plenare dhe t’u jenë shpërndarë deputetëve të tjerë”.

 

Amendimet kryesore të Grupit parlamentar të PD-së: 

LEGALIZIMI I BANESAVE FALAS PËR TË GJITHË BANORËT E ZONAVE INFORMALE

(OBJEKTI: ‘PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2014”’)

SHËNDETËSI FALAS PËR TË GJITHË QYTETARËT SHQIPTARË

(OBJEKTI:     ‘PËR DISA NDRYSHIME NËPROJEKTLIGJIN “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10 383, DATË 24.2.2011 “PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR”’)

MOSRRITJA E CMIMIT TË NAFTËS

HEQJA E TAKSËS SË QARKULLIMIT MBI BENZINËN DHE GAZOILIN QË PËRDORET PËR BUJQËSINË DHE AKTIVITETET RURALE TË NGJASHME

(OBJEKTI:     ‘PËR NJË  NDRYSHIM NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9975, DATË 28.7.2008, “PËR TAKSAT KOMBËTARE”, TË NDRYSHUAR)

HEQJA E TAKSËS PËR BIZNESIN E VOGËL

(OBJEKTI:     ‘PËR NJË  NDRYSHIM NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR”)

HEQJA E TAKSËS SË QARKULLIMIT MBI BENZINËN DHE GAZOILIN QË PËRDORET PËR BUJQËSINË DHE AKTIVITETET RURALE TË NGJASHME

 

MOSULJA E NIVELIT AKTUAL TË TË ARDHURAVE PËR KATEGORINË E PUNONJËSVE ME PAGË DERI MË 30 000 LEKË

(OBJEKTI:‘PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2014”’)

NIVELI I DEFICITIT TË JETË MË I VOGËL DHE KONKRETISHT NË VLERËN E 60.000 MILION LEKËVE .

(OBJEKTI:‘PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2014”)

PESËFISHIMI I INVESTIMEVETË SHTETIT PËR TË GJITHË FERMERËT SHQIPTAR DHE INVESTIMI I 40 MILIONË DOLLARË NË VIT PËR UJIN NË PARCELA DHE SISTEMIN E KULLIMIT

FALJA E GJOBAVE TË VENDOSURA GJATË PERIUDHËS 1 JANAR – 15 SHTATOR 2013 PËR TË GJITHË TATIMPAGUESIT

(OBJEKTI:     ‘PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.5.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”’)

HEQJA E AKCIZËS SË NAFTËS PËR BUJQËSINË DHE AKTIVITETET RURALE TË NGJASHME PËR TË GJITHË FERMERËT

(PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 61/2012, “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”’)

HEQJA E PLOTË E TATIMIT MBI VLERËN E SHTUAR (TVSH) PËR ENERGJINË PËR TË GJITHË QYTETARËT SHQIPTAR

(OBJEKTI:‘PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.  7928 DATË 27.4.1995 “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, I NDRYSHUAR”’)

HEQJA E TATIMIT MBI VLERËN E SHTUAR (TVSH) PËR USHQIMET JETIKE TË SHPORTËS PËR TË GJITHË QYTETARËT SHQIPTAR

(OBJEKTI:     ‘PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.  7928 DATË 27.4.1995 “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR”, I NDRYSHUAR”)

TË MOS KETË RRITJE TË TAKSËS PËR BANESAT E NDËRTUARA PARA VITIT 1993, POR TË QËNDROJË NË FUQI VLERA EGZISTUESE, PRA 15 LEKË/m2.

TË MOS KETË RRITJE TË BARRËS PËR FERMERËT

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.