Buxheti 2014 rrezikon të hyjë në fuqi në janar, ja dy zgjidhjet e Canit

Vonesat në hartimin e projektbuxhetit dhe paketës fiskale rrezikojnë seriozisht hyrjen në fuqi të buxhetit më janar të vitit 2014. Sipas kalendarit të përcaktuar tashmë në ligjin organik të buxhetit, më datë 25 nëntor duhet të kishte përfunduar miratimi në Kuvend për t’i lënë kohë azhornimit të institucioneve për të nisur konsumin e tij më 1 janar, por ndërkohë projekti ende është në fazën e konsultimeve.
Dy zgjidhje të tjera
Burimet nga Ministria e Financave pohojnë se janë të predispozuar që të miratojnë dhe nisin alokimin e buxhetit 2014 në afat, por siç duket vonesat e pashmangshme do të rrezikojnë këtë proces. Ministria e Financave e ka parashikuar këtë situatë. Puna e institucioneve dhe pagesat nuk do të bllokohen për shkak të moshyrjes në fuqi të buxhetit. Ligji organik në të cilin procedohet me buxhetin përcakton dy zgjidhje. E para, në rast se Kuvendi e miraton ligjin e buxhetit vjetor brenda vitit buxhetor, por nuk mund të hyjë në fuqi në datën 1 janar, ose koha e mbetur për përfundimin e procedurave të fillimit të zbatimit të buxhetit nuk është e mjaftueshme, ministri i Financave nxjerr një udhëzim të posaçëm, që rregullon procesin buxhetor deri në hyrjen në fuqi të ligjit të buxhetit vjetor dhe të përfundimit të procedurave të zbatimit të tij. Udhëzimi i posaçëm siguron vazhdimin e ofrimit të mallrave dhe shërbimeve, përfshirë zbatimin e projekteve të investimeve, të filluara në vitin buxhetor paraardhës, që parashikohet të vazhdojnë edhe në atë vit buxhetor. Por ka një alternativë tjetër, buxheti i përkohshëm. Në rast se Kuvendi nuk miraton buxhetin e propozuar deri në fillim të vitit buxhetor, Këshilli i Ministrave, me vendim, para ditës së parë të fillimit të vitit buxhetor, autorizon zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë, që fillon nga dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij. Shpenzimet buxhetore në buxhetin e përkohshëm, për çdo muaj dhe për çdo program, të çdo njësie të qeverisjes së përgjithshme, nuk mund të tejkalojnë 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës. Nëse të ardhurat e siguruara me ligj janë të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e parashikuara në buxhetin e përkohshëm, Ministri i Financave merr hua, çdo muaj, deri në 1/12 e huasë së përgjithshme, të përdorur për financimin e deficitit buxhetor në vitin buxhetor paraardhës. Fondet e miratuara në buxhetin e përkohshëm sigurojnë: a) ushtrimin, në përputhje me ligjin, të funksioneve dhe përgjegjësive të njësive të qeverisjes së përgjithshme; b) vazhdimësinë e ofrimit të të mirave dhe shërbimeve, përfshirë zbatimin e projekteve të investimeve, të filluara në Buxhetin e Shtetit të vitit buxhetor paraardhës dhe që parashikohet të vazhdojnë në vitin buxhetor.
Vonesat
Shkak për vonesën e buxhetit 2014 në afat këtë vit është bërë përpilimi i raportit të kompanisë ndërkombëtare audituese “Deloitte”, që është dorëzuar vetëm dje në qeveri. Raporti evidentonte borxhin që qeveria u ka bizneseve për punët publike që kanë realizuar deri më 31 gusht 2013, një shifër që ka arritur në 24.6 miliardë lekë. Një tjetër vonesë ka ardhur nga mbërritja më vonë se ç’pritej e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, i cili do të qëndrojë në vend deri më datë 17 dhjetor për të bashkëpunuar me qeverinë mbi buxhetin dhe paketën e re fiskale. Po në këtë datë, 17 dhjetor, do të mbyllen edhe të gjitha veprimet nga Thesari në Ministrinë e Financave, duke nënkuptuar mbylljen e pagesave të shtetit për këtë vit.
Mapo
Add new comment