Berisha sulmon FMN: Besoi mashtrimet e Ramës

Ish-kryeministi Sali Berisha ka akuzuar Fondin Monetar Ndërkombëtar se nuk ka verifikuar të dhënat dhe i besoi mashtrimeve të Ramës. Duke folur në takimin e tretë të Partisë Demokratike me biznesin fason për paketën fiskale dhe buxhetin 2014, Berisha tha se FMN duhet të ulet me opozitën për të faktuar të dhënat.
“Kjo që bën kësaj here është një turp i madh për shqiptarët. Të lexojnë raportin që kanë shkruar e të mos i besojnë mashtrimet e Ramës se kjo do të thotë prishje e marrëdhënieve të shqiptarëve me FMN-në. Të ulet me përfaqësuesit e opozitës dhe ti faktojnë që raporti i shtatorit është i drejtë. Ka një borxh të fiksuar në këtë raport, gjithçka është online. Nuk ka audit më të mirë në botë se FMN dhe ka kompetencën më të madhe se çdo institucion, kurse te ne pranoi auditin e asaj që s’mund të pranohej kurrë të një kompanie të kapur në të katër anët me interesa”,-tha Berisha.
Berisha nuk ka harruar të përsërisë thirrjen ndaj qytetarëve për ti thënë Ndal politikës së qeverisë me paketën fiskale, duke akuzuar kryeministrin Rama se po e rrënon ekonominë dhe po e tërheq vendin me shpejtësi drejt recesionit.
“Po flas si ish-kryeministri i vendit, si një ish- kryeministër që është përpjekur shumë për një klimë biznesi, vendosi një model jo të përsosur, por i dha frymëmarrje biznesit, do i lejoj vetes të bëj apel te ndërgjegjja qytetare e çdo shqiptari. Në një moment kritik për vendin, kur një ekip i papërgjegjshëm i paaftë në historinë e vendit do të trajtojë këtë vend si një lopë për ta tërhequr zvarrë, rrugëve, shesheve, fshatrave dhe qyteteve, ne duhet t`i themi jo me gjithë forcën këtij akti të papërgjegjshëm. Duhet të bëjmë atë që bëri një bukëpjekëse në lagjen “Don Bosko” që i shkoi për vizitë dhe ia përplasi në fytyrë siç e meritonte. Duhet të bëjmë atë që i bëri një invalide me karrocë që i tha ku e kam pensionin, pse s’ma jep. Ne nuk mund të ulim kokën përpara kësaj që po ndodh. Po i lë taksat. Unë po ju them që asnjë taksë nuk është rritur përveç naftës. Po ky është një krim i shëmtuar. Dua t`ju siguroj dhe t`ju them se ai që preket më pak nga nafta është ai që ka veturën dhe ai që preket më shumë nga nafta është ai që s`ka veturën dhe mos e konceptoni këtë si një taksë për ata që kanë vetura. Rritja e çmimit të naftës në një vend kur çmimi i saj është nga më të lartit është absolutisht firmosje për ta rrëzuar vendin si një lopë dhe për ta tërhequr në recesion”,-tha Berisha.
Ndërsa kreu i demokratëve Lulzim Basha, ritheksoi se buxheti i ri dhe paketa fiskale kanë efekte shkatërrimtare për biznesin.
“Duket qartë se në fund të ditës vetëm duke marrë këto kosto shtesë biznesi i vogël paguan më shumë seç paguan në kushtet aktuale. Agrobiznesi, subjektet e kësaj kategorie janë regjistruar si biznes i madh . Paketa fiskale dhe buxheti i ri ka efekte shkatërrimtare. Tatimi mbi fitimin rritet mbi 50% për biznesin e madh duke e tharë fitimin deri në pikën e fundit. Taksa e pasurisë po kështu për të gjitha pronat e biznesit me sipërfaqe mijëra metra katror është taksë pasurie vrastare. Masoneria po kështu e regjistruar si biznes i madh. Shohim si opozitë se nuk ka asnjë sektor shqiptar që nuk e shef këtë paketë fiskale si kërcënim personal të mirëqenies dhe stabilitetit të familjes sonë. Këtu nuk ka asnjë ndryshim as në nuancë as në pikëpamje por ka një vullnet të zhveshur nga çdo interes politik. Jemi këtu sepse jemi thellësisht të shqetësuar se ku na çon kjo paketë fiskale. Në atë greminë ku e kemi të vështirë se çfarë pasojash do ketë gjithsecili prej nesh”,- deklaroi Basha.
Shqip
Add new comment