Batutat për taksat te Inegrimi. Dokle i përgjigjet ironisë së Bregut: Mos u kruaj me mua!

Komisioni i Integrimit ka miratuar dje vetëm me votat e maxhorancës katër ligjet e paketës fiskale, taksimin progresiv, heqjen e TVSH-së për barnat, ndryshimin e akcizave dhe sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Taksimi progresiv nuk është kuptuar nga vetë deputetët, të cilët, në tentativë për të zbërthyer formulën e re të qeverisë “Rama”, kanë marrë si shembull dhe pagat e tyre.
Deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë mbledhjes kërkoi shpjegime nga specialistët për tatimin që do të paguante për sigurimet shoqërore, por përgjigjet ishin teknike dhe nuk u kuptuan nga vetë deputetët. “Se prandaj e hapa edhe borderonë e Kuvendit, unë e kam pagën 156, nga këto 10% tatim shteti dhe më mban edhe 11.2 % sigurime!”, tha Kryemadhi.
Por, për kryetaren e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, nga vendimi i qeverisë një gjë ishte e sigurt: “Monika të jesh e bindur që do paguash më shumë, për këtë të jesh e sigurt”. Ndërkaq, ish-ministrja Bregu dhe Namik Dokle u përfshinë në debat për premtimin e qeverisë për shëndetësi falas.
“Ne për këtë program jemi votuar. Kur të mërzitet populli me këtë program, mbase voton programin tuaj, por me këtë nismë që kemi nisur nuk mendoj se do të mërzitet populli, se për atë mendojmë”, tha Dokle, por ky diskutim u shoqërua me ironinë e Bregut: “Shumë mirë, zoti Dokle, që mendoni për popullin!”. “Shiko se po fillove me ironinë, unë të çoj në thanë e të hedh në kumbull pastaj. Në rregull. Unë me ironi kam lindur, prandaj mos u kruaj me mua”, iu drejtua Dokle-Bregut.
Kjo e fundit iu përgjigj: “Po mirë edhe nga thana mund të shkojmë, tani të flasim për kujdesin shëndetësor se edhe thana, edhe kumbulla të bëjnë mirë për shëndetin”.
PANORAMA
Add new comment