Basha takon përfaqësuesit e ODIHR-it: Shumica po shkel standardet zgjedhore
ryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi mëngjesin e së enjtes një takim me përfaqësuesit e misionit paraprak faktmbledhës të ODIHR-it, ku u diskutua mbi situatën parazgjedhore në Shqipëri.
Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga selia blu, gjatë takimit Basha ngriti shqetësimin për rrethanat e krijuara që shkojnë, sipas tij, kundër klimës dhe standardeve që kërkojnë zgjedhjet e lira e të ndershme.
“Ndarja administrative ishte një proces i njëanshëm i bërë nga qeveria, pa konsultime, pa konsensus, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në politikën e 25 viteve. Kjo ndarje është bërë për kalkulime elektorale, duke e dëmtuar që në nisje garën e ndershme e të barabartë”, citohet të ketë thënë Basha gjatë takimit.
Një tjetër çështje për të cilën Basha ngriti shqetësimin e tij ishte ajo e dekriminalizimit, lidhur me të cilën ai tha se mazhorancës i mungon vullneti për të ecur përpara me këtë proces.
Kryetari i PD veçoi edhe presionin e vazhdueshëm që, sipas tij, po i bëhet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar një akt të rëndë që dëmton frymën e këtij procesi.
“Blerja e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë dhe aministimi që i bëri mazhoranca kësaj vepre penale dëshmojnë se Rama dhe Meta e kanë pjesë të skemës së tyre shitblerjen e votave”, deklaroi Basha.
Ai u kërkoi përfaqësuesve të ODIHR që të sjellin në Shqipëri për zgjedhjet e 21 Qershorit misionin më të madh të mundshëm, duke parë premisat aspak të mira për zgjedhje të lira e të ndershme.
Basha theksoi se prania sa më e madhe e vëzhguesve do të ndihmonte për ruajtjen e standardeve dhe shmangien e pasojave që mund të vijnë nga cenimi i votës së qytetarëve.
/ Top Channel
Add new comment