Artan Hoxha: Historia e tropojanit që minonte shtyllat për Berishën

Intervistë më gazetarin Artan Hoxha i cili në vitet 1998-2002 ka ndjekur dhe hetuar rastet e shpeshta të hedhjes në erë të shtyllave të tensionit të lartë. Hoxha sjell si shembull tipik emrin e Riza Malës një personi të besuar të Berishës dhe mbështetës i flaktë i PD-së në Tropojë, i cili i ka pranuar gazetarit autorësinë e këtyre ngjarjeve…
Artan ju keni ndjekur si gazetar i kronikës disa raste të përsëritura të minimit dhe dëmtimit të shtyllave të tensionit të lartë pas vitit ’97. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Unë aktualisht jam në udhëtim dhe e kam të pamundur të sjell me detaje ngjarjet pasi disponoj një arkiv të detajuar të këtyre ngjarjeve dhe statistika shumë të sakta mbi to. Janë gjithsej 34 atentate dhe minime të shtyllave të tensionit të lartë të regjistruara në ato kohë.
Në çfarë harku kohor janë regjistruar këto akte?
Pas 14 Shtatorit filluan dhe kanë zgjatur deri nga viti 2001 dhe ndonjë akt sporadiK që mund të jetë regjistruar nga viti 2002 mendoj.
Cila ishte harta E kryerjes së këtyre akteve?
Shumica e akteve kanë qenë në zonën e Mamurrasit, në Milot në Malësinë e Laçit, në Tropojë, Pukë por ka pasur dhe 3-4 raste dhe në Fushë-Krujë. Duhet të mbani parasysh se aktet janë kryer gjithnjë në moment të agravimit dhe të tensionimit të marrëdhënieve të atëhershme mes qeverisë socialiste dhe opozitës së drejtuar nga Berisha. Gjithnjë objektiv kanë qenë shtyllat e tensionit të lartë sidomos ato kryesoret që kryenin dhe importimin e energjisë për shembull nga Mali i Zi. Pra pika strategjike. Madje në të gjitha rastet nuk synohej asgjësimi total i objektivit por dëmtimi i tij, pra e dëmtonin pjesërisht. Shpërthimet kanë qenë profesionale të kontrolluara.
Me siguri që autoritetet kanë hetuar asokohe mbi autorët e këtyre akteve. Gjatë kontakteve me autoritetet çfarë informacionesh merrje. Ku dyshonin ata?
Po ata e kishin bindje se grupet që i kryenin këto akte frymëzoheshin nga Berisha. Hetuesit nuk kishin dilema në këtë pikë.
Po a ka pasur persona të arrestuar apo të dënuar për këto akte?
Në mos gabohem ka pasur në dy raste persona që janë shoqëruar si të dyshuar në zonën Milot-Mamurras.
Dakord, po përse shkonte direkt dyshimi tek Berisha si arkitekt i këtyre akteve? Ka vërtetuar në ndonjë moment hetimi lidhjen direkte mes autorëve dhe ndonjë zyrtari të lartë në PD?
Mendoj se nuk ishte shumë e vështirë të kuptoje se kush kishte interes për të nxitur këto akte dhe më pas për të mbrojtur dhe publikisht autorët e tyre. Kush tjetër mund të ishte i interesuar ta bënte këtë gjë?
Po ekziston mundësia e kryerjes së akteve nga ndonjë shërbim i një tjetër shteti me qëllim krijimin e paranojës mes palëve politike në Shqipëri dhe destabilizimin e situatës, pse jo?
Atëherë i bie që Berisha ka qenë në sinkron me këto shërbime dhe sikur të jetë siç thoni ju. Menjëherë porsa ndodhnin aktet ai dilte dhe akuzonte SHISH-in e Fatos Klosit, njëherë akuzonte Fatos Klosin dhe Pandeli Majkon, njëherë akuzonte Fatos Klosin dhe Ilir Metën. Berisha akuzonte menjëherë palën shtetërore duke amnistuar dhe duke i krijuar mbrojtje politike dhe ombrellë autorëve të vërtetë, kushdo qofshin ata. Por ju po këmbëngulni për raste konkrete që lidhin Berishën apo PD-në me këto grupe që realizonin këto atentate. Po ju sjell në vëmendje rastin e Riza Malës që është tregues i drejtpërdrejtë i kësaj lidhje.
Çfarë përfaqëson Mala në këtë histori?
Mala është personazhi ndoshta më tipik i përfshirë në këto akte terrori(nëse i referohem përkufizimit që bënin asokohe hetuesit). Ai në një prononcim që i kam marrë në vitin 2003 më deklaroi pa të keq se kishte në plan shumë shpejt hedhjen ne erë të hidrocentralit të Fierzës. Kini parasysh se Riza Mala në 29 Nëntor të vitit 2000 ishte pjesë e grupit që sulmoi me antitank komisariatin e Tropojës dhe është implikuar në disa incidente më forcat Renea duke i sulmuar ata. Kur policia zhvilloi disa aksione për rrethimin dhe kapjen e tij, Berisha ka dalë publikisht dhe e ka mbrojtur. Në vitin 2005, kur Berisha erdhi në pushtet ai pësoi një aksident pasi i shpërtheu dinamiti në dorë. Riza Mala tha se kishte dalë për të peshkuar por mund të mos jetë tamam kështu historia. Në vitin 2007 ai u arrestua nga policia e Berishës pasi u gjet fajtor për gjobëvënie ndaj biznesmenit Ramë Geci. Në kohën që u arrestua ai kishte ftohur shumë marrëdhëniet politike me PD-në madje unë kam një histori të çuditshme që ka ndodhur natën e arrestimit të tij, pasi është arrestuar në një moment tepër të rëndësishëm për zbardhjen e këtyre ngjarjeve.
Çfarë ka ndodhur natën e arrestimit të tij?
Bëhet fjalë për vitin 2007. Kam komunikuar në telefon me Riza Malën dhe më ka thënë: “Eja të bëjmë intervistë se t’i them unë të gjitha se kush i orkestronte ato shpërthimet në shtyllat e tensionit të lartë që më pyet ti prej vitesh”. Unë isha i qartë se Riza Mala në atë kohë ishte shumë i pakënaqur nga PD-ja dhe Berisha dhe kishte vendosur të bënte presion ndaj qeverisë nëpërmjet intervistës. Jam nisur natën me kolegun dhe operatorin tim Ervin Dajën për në Bujan të Tropojës. Sapo kemi mbërritur në Fierzë, shikojmë autokolonën e Reneas që po kthehej nga Bujani, pra në drejtim të kundërt me ne. Lidhem me ta dhe më thonë se kishin arrestuar Riza Malën në shtëpi. Pra i kishin hedhur prangat vetëm pak minuta përpara se të niste intervista që kishim planifikuar. Me pak fjalë e neutralizuan në kohë. Më pas e futën në burg dhe nuk ekzistonte më mundësia për të realizuar intervistën. Rasti i Riza Malës është tregues tipik i një personi të implikuar në ngjarje të tilla të hedhjes në erë të shtyllave të tensionit të lartë dhe të lidhur ngushtë me lidershipin e Partisë Demokratike. Dikur kam botuar në gazetë dhe një foto të tij të shumë-komentuar me Besnik Mustafajn dhe Fatmir Mediun. Pra ishte njeriu që priste e përcillte drejtuesit më të lartë të PD-së dhe opozitës së asaj kohe. Grupet e implikuara në këto ngjarje kanë qenë gjithnjë të përbëra nga kontingjente kriminalë të skeduar si të tillë dhe nga policia, por që sa herë kishte aksione për kapjen e tyre nga policia merreshin në mbrojtje me deklarata politike, publikisht dhe drejtëpërdrejtë nga Berisha.
Edhe Riza Mala vepronte me grup i bie?
Sigurisht që ishin grup. Por ka pasur dhe çudira se Rizai ishte më euforiku dhe tepër i ekspozuar por të tjerë kanë nxjerrë dhe përfitime nga këto akte. Mos u çudisni që ndonjë anëtar i grupit të Rizait pasi hidhte në erë shtyllën e tensionit të lartë bashkë me të, ca ditë më vonë të fitonte tenderin për rikonstruksionin e asaj shtylle. Pra ka pasur dhe persona të implikuar që e kanë parë si biznesmenë ngjarjen por që sigurisht kishin luksin të përfitonin se kishin ombrellë dhe mbrojtje të fortë politike nga krahu i Berishës.
Ju keni paralajmëruar disa ditë më parë ri-nisjen e këtyre akteve. Keni pasur ndërmend Berishën dhe ashpërsimin e marrëdhënieve të opozitës me qeverinë kur keni bërë publikisht këtë “predikim”, që rezultoi i vërtetë?
Patjetër që këtë kam pasur parasysh. Madje nuk e kisha parashikuar të ndodhte kaq shpejt pasi mendoja se do nisnin këto akte kur të ashpërsohej dhe ca moti dhe të ishte më ftohtë dhe efekti i ndërprerjes me energji elektrike të ishte më i ndjeshëm në popullatë.
* * *
Intervista e Riza Malës: Arrestimi im? Berisha është kuçedër që ha “këlyshët” e vetë?
Në korrik të vitit 2008, disa muaj pas arrestimit të tij, Riza Mala jep një intervistë nga burgu për gazetaret Klodiana Lala dhe Trëndafile Visha në GSH. Gjatë intervistës ai shpreh hapur jo vetëm përkeqësimin e marrëdhënieve të tij me Berishën pas ardhjes në pushtet, madje vetëklasifikohet dhe si “këlysh” i Berishës por që Berisha më pas e ka shitur pasi e ka përdorur. “Të dy jemi nga i njëjti vend, por Berisha, veçse tropojan nuk është. Tropojanët janë fisnikë dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me të parin e qeverisë tonë. Kuçedra e tërbuar nga uria ha dhe këlyshët e vet. Berisha ka vënë në pranga vetëm këlyshët e tij të PD-së, por nuk ka arrestuar asnjë socialist”, deklaronte i arrestuari Mala në këtë intervistë të vitit 2008. Në të njëjtën intervistë Mala ka pretenduar se dhe trajtimi që i bëhej në burg ishte diskriminues. “Jam shumë i mërzitur. Askush nuk të shërben këtu. Edhe ciflën që kam këtu në gjoks, infermieret refuzojnë të ma heqin”, – thoshte me zemërim i dënuari. Kërkesa e tij e vetme ishte ta lejojnë që të mbajë në dhomë ‘digitalb’, ndonëse është pothuajse i verbër e dëgjon me shumë vështirësi. “I kam kërkuar drejtorit të ma plotësojë këtë kërkesë, por ai e bën veshin të shurdhër, ndaj po iu them juve që ta bëni publike kërkesën time”, – pohon Malaj. / Intervistoi Habjon Hasani
DITA
Add new comment