Akuzat e ministrit Naço: Gjykatësit dhe prokurorët po fshehin pasuritë dhe shmangin kontrollet kufitare

Seanca në Komisionin e Integrimit. Qeveria paralajmëron stuhinë në KLD dhe Gjykatën e Lartë
Akuza ndaj KLD-së - “Mund t’ju them që vetëm në mbledhjen e fundit për 4 vende vakante në Gjykatën e Apelit në Durrës ishin 61 kandidatura dhe vetëm 4 kandidatë morën nga 11 vota, nuk mori asnjë tjetër. Besoj se kaq flet qartë se mbledhja ishte bërë diku tjetër”, tha Naço.
Herion Mesi
Sistemi gjyqësor dhe ai i drejtësisë në Shqipëri do t’i nënshtrohen një reformimi rrënjësor dhe për këtë qeveria ka hartuar një paketë antikorrupsion, për të cilën është kërkuar asistenca edhe nga Komisioni i Venecias. Kjo pasi qeveria dhe deputetë të mazhorancës kanë hequr dje dorashkat duke pranuar me zë të lartë ekzistencën e korrupsionit, i cili ka pllakosur të gjithë sistemin e drejtësisë. Gjatë seancës së djeshme dëgjimore me deputetët e Komisionit Parlamentar të Integrimit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, duke theksuar se denoncimi i korrupsionit nga emisioni Fiks Fare në Gjykatën dhe Prokurorinë e Pukës, deklaroi se kjo është vetëm maja e ajsbergut të metastazave që kanë përfshirë të gjitha hallkat e sistemit.
Pasuria e gjyqtarëve
Dhe duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve të mazhorancës në këtë komision, të cilët kërkuan ndëshkimin e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve, ai akuzoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë për klientelizëm me gjykatësit dhe akuzoi këta të fundit se fshehin makinat e shtrenjta e maskojnë udhëtimet jashtë vendit për të mos u kapur nga sistemi “TIMS” i kontrollit kufitar. “Mjafton të kërkosh deklaratat e pasurive, të shikosh sa herë ikin ata jashtë shtetit, se tani kanë nisur të ikin edhe nga Prishtina, sepse atje nuk i kap sistemi TIMS. Mjafton të ulen të gjithë aktorët, KLD-ja, ministri i Drejtësisë, Presidenti i Republikës, ILDKPKI, Prokurori i Përgjithshëm dhe të kenë vullnet, të jeni të bindur se gjërat dalin shumë qartë, të jeni të bindur”, theksoi Naço. Gjatë fjalës së tij, ministri tha se, KLD-ja mban nën presion kryetarët e gjykatave, duke mos i emëruar, por duke i lënë të komanduar. “KLD-ja ka emëruar vetëm 7 kryetarë gjykatash. Pjesa tjetër është e komanduar dhe ka qenë nën presion të këtij institucioni”, deklaroi ministri i Drejtësisë. Sipas tij, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. “Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë bërë pengesë për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Me gjyqtarët e rinj do të luftojmë korrupsionin në drejtësi, pasi gjyqtarët e vjetër janë në radhët e të korruptuarve”, tha Naço.
Ndërhyrjet
Duke folur gjatë raportimit të djeshëm para ligjvënësve në Komisionin e Integrimit, ministri Naço bëri publik edhe detajet e para sesi qeveria mendon të ndërhyjë në reformën për Gjykatën e Lartë, e cila për shkak të numrit të lartë të çështjeve në gjykim, rreth 10 mijë, duket sikur është shndërruar në Gjykatë të Shkallës së Parë, ku për këtë ndërhyrje paralajmëroi se do ketë dy mënyra veprimi. “Para nesh ngelet: ose do të shtojmë numrin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, gjë që është e papranueshme për një vend të vogël; ose duhet të kufizojmë kompetencat e Gjykatës së Lartë, që jo në çdo rast, çdo çështje duhet të shkojë në Gjykatën e Lartë”, tha ministri Naço.
Reforma në KLD
Ministri i Drejtësisë paralajmëroi një reformë të thellë edhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku sipas këtij sistemi, 2/3 e anëtarëve zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore, por që për kreun e Drejtësisë në vend, nuk funksionon siç duhet në vendimmarrjen e KLD-së. “Ne nuk kërkojmë të ndryshojmë numrin, por kërkojmë të vendosim kritere më të forta të atyre që do të zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore për në KLD. Pra, të mos jetë larje dhe dhënie borxhi me njëri-tjetrin, por të kemi një sistem realisht të përgjegjshëm”, tha Naço, i cili theksoi se është kjo lidhje mes gjyqtarëve dhe anëtarëve të KLD-së që pengon këtë institucion të promovojë magjistratët e rinj dhe t’i përfshijë ata në gjyqësor, duke iu referuar rastit të 8 studentëve të Magjistraturës, për të cilët KLD-ja prej më se një viti nuk pranon të mblidhet.
Deklaruan në komision
Taulant Balla - “Këshilli i Lartë i Drejtësisë është një ndër problemet më të mëdha që ka sot drejtësia në këtë vend dhe kushdo që i kundërvihet një reformë në KLD, sigurisht që nuk do që drejtësia në këtë vend të funksionojë”
Gramoz Ruçi - “Sistemin e drejtësisë ne nuk na e prish një gjykatë, një sekretare, një kancelare, një prokuror, një avokat. Kjo është maja e ajsbergut, që u duk, që u shfaq, që u kap, por është sistem dhe Puka është rasti i fundit”
Majlinda Bregu - “Çdo përpjekje e juaja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, jo se janë pasaporta, por se janë kritere të vendosura nga standardet në BE. Këto ndryshme që ju paraqisni kanë qenë pjesë e ligjit antimafia të vitit 2009 dhe është e vërtetë që nuk u votua nga opozita e atëhershme”
Seanca me kryeprokurorin
Lidhur me problematikat e ngritura dje në Kuvend nga ministri i Drejtësisë dhe në kuadër të nisjes së reformës në drejtësi dhe në gjyqësor, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është thirrur në një seancë dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë. Llalla do të raportojë më datë 12 dhjetor para ligjvënësve të Komisionit Parlamentar të Ligjeve ku pritet të bëjë një skanim të të gjitha shqetësimeve të ngritura gjatë këtyre ditëve nga përfaqësues dhe drejtues të lartë të gjyqësorit në vend. Temë kryesore ku pritet të përqendrohet i gjithë diskutimi do të jetë pikërisht lufta kundër korrupsionit në prokurori dhe gjykata.
Shqip
Add new comment