Administrata do të shkurtohet 30 për qind

Postuar në 04 Dhjetor, 2013 02:47

Ministrat e qeverisë së pas 23 qershorit tashmë kanë në tryezat e tyre organigramën e re të mënyrës se si do të funksionojnë në punën e tyre. Burime të gazetës të gazetës “Dita” saktësojnë se ka qenë data 2 dhjetor, kur ministritë janë njohur me ndryshimet që do të pësojnë në staf dhe mënyrën se si do të punojnë. Nga këto ndryshime administrata shtetërore do të reduktohet me 30 për qind të stafit aktual, që do të thotë 22 miliardë lekë të kursyera në vit. Kjo pasi aktualisht fondi për personelin është 71,6 miliardë lekë dhe nga reduktimi 30 për qind, synimi është të shpenzohen 22 miliardë lekë më pak. Por ky riformatim i administratës në këtë mënyrë, sipas drafteve të përgatituara synon të mbajë në punë një staf eficient e larg burokracive zyrtare që administrata jonë ka disponuar për vite me radhë. Burime nga Ministria e Financave, qartësojnë se qëllimi i kësaj reforme është frenimi i rritjes së borxhit publik. Shpenzimet për personelin aktualisht janë 71,6 miliardë lekë dhe zënë 21 për qind të totalit të shpenzimeve koherente, të cilat me ndryshimet e fundit në buxhet u bënë 328 miliardë lekë nga 322 miliardë lekë të planifikuara që la qeveria ‘Berisha’. Mirëpo vitin që vjen, ministri Cani shpreson të kursejë rreth 22 miliardë lekë nga shpenzimet e personelit që përfshijnë administratën qendrore dhe institucionet e pavarura. Kjo reformë e cilësuar si masë e dhimbshme, është artikuluar më parë edhe nga kryeministri Edi Rama. Duke njoftuar se më e keqja tashmë kishte kaluar, ai ka lajmëruar reforma të dhimbshme për vitin 2014, pas të cilave qëndron plani i shkurtimeve në administratë. Gjithsej në administratën shqiptare janë të punësuar rreth 87 mijë punonjës, duke përfshirë edhe arsimtarët, mjekët dhe policët.

Janë shprehur për shkurtimet në administratë

Edi Rama

“Shkurtimet nuk do të bëhen si pjellë e idesë, hajde të shkurtojmë, por do të jenë të balancuara dhe të menduara. Sot kemi 21 % punonjësve që do i dedikohen financës dhe 14 përqind zhvillimit ekonomik dhe 14 për qind zhvillimit të energjisë. Nga 71 për qind e administratës që ishte Ministria e Jashtme tani ka shkuar në 61. Ndërsa Ministria e Integrimit nga 24 tani ka shkuar në 39 për qind. Kemi hequr hallkat e tepërta në menaxhim, struktura që i mbivendoseshin njëra-tjetrës dhe kemi vënë në shërbim të qytetarëve, ristrukturimin e nivelit të parë të qeverisë. Po të mos kishim shtuar dy ministri do kishin 20 % më pak shpenzime, por me këtë strukturë kemi risi, që do i shërbejnë qytetarëve të vendit”

Shkëlqim Cani

“Do t’i shihni shifrat shumë shpejt, që, sapo të miratohen strukturat nëpër ministri, do të jetë me një ulje, një ulje që unë do ta quaja edhe të nivelit drastik të shpenzimeve nga këto institucione, edhe të uljes së numrit të punonjësve duke e bërë edhe më mirë punën. Natyrisht, një administratë e fryrë, e bën më keq punën, sesa një administratë në numrin e kërkuar në optimumin e vet, nuk po flas për optimumin që në goditjen e parë, se ndoshta do të ketë nevojë edhe për një rishqyrtim, por kjo le t’i lihet kohës”.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.