99-vjet shtet, politika feston e ndarë, Berisha: Sot festojmë dhe Clirimin

Postuar në 28 Nëntor, 2011 05:40

TIRANË-Këtë përvjetor politika shqiptare e festojn e ndarë festën e Pavarësisë. Axhenda e Presidentit, Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit si dhe e kryetarit të PS-së ishtë e ndryshme për ditën e sotme festive.
Paradite Kryeministri i vendit, Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në 99 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë kanë kryer homazhe në varrezat ‘Dëshmorët e Kombit’. Me radhë, Topalli , Berisha dhe Basha kanë vendosur kurora me lule në memorialin ‘Nënë Shqipëri’. Zyrtarë të lartë të vendit kanë nderuar këtë ditë me kurora lulesh. Pas vendosje së kurorave në varrezat ‘Dëshmorët e Kombit’ banda e ushtrisë ka luajtur himnin shqiptar. 
Presidenti Bamir Topi paraditen e sotme ndodhej në Sheshin e Flamurit, në qytetin e Vlorës, pikërisht aty, ku Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi, për të shpallur në 1912, pavarësinë e Shqipërisë. Topi shprehu prej aty nderimet me te larta per Ismail Qemalin.

Vetëm në mbrëmje, rreth orës 19:00 pritet ndoshta që të gjithë të bashkohen, në pritjen zyrtare që do të organizojë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ashtu si çdo vit.  
Kreu i opozitës do të festojë sot, me shqiptarët e Kosovës, pas takimeve të shumta që ka zhvilluar atje për dy ditë me radhë. Opozita do të nderojë nesër dëshmorët e Kombit, me ceremoni të thjeshtë, në Varrezat e Dëshmorëve, ashtu siç ka vepruar përherë.
Ashtu si çdo vit, pritet që epiqendra e kësaj feste mbarëkombëtare të jetë qyteti i Vlorës, aty ku në 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti Flamurin Shqiptar.
Edhe në Kosovë, kanë filluar manifestimet me rastin e 28 Nëntorit, ndërsa kjo ditë festohet nga gjithë diaspora shqiptare në mënyra të ndryshme.

TOPI NË VLORË FESTON DITËN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË 
VLORE-Presidenti Bamir Topi ka vizituar Vlorën, aty ku 99 vjet më parë Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi, simboli i shpalljes së pavarur të Shqipërisë. “Në këtë përvjetor, nderimi ynë për Ismail Qemalin”. 
Më tej Kreu i Shtetit theksoi se 28 nentori i vitti 1912 pasoi në vitin 2008 me datën 17 Shkurt, ditën e madhe për Kosovës, shpallja e pavarësisë së shtetit më të ri në Botë. 
Topi, theksoi mes të tjerash se “Të gjithë duhet ta dinë dhe të jenë të ndërgjegjshëm se, Pavarësia e Shqipërisë në ato rrethana historike, u realizua nëpërmjet luftrave dhe përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme, por ajo u realizua sidomos nga idealizmi, nga toleranca, nga dashuria dhe vetmohimi për këtë truall”. 

BERISHA: NDEROJMË ATA QË LUFTUAN PËR PAVARËSINË E SHQIPERISE DHE KOSOVËS
Kryeministri Berisha pas homazheve të kryera në memorialin ‘Nëna Shqipëri’, deklaroi se sot është 99-vjetori i pavarësisë, i lindjes së kombit shqiptar, ndërkohë që vendi nderon me respekt të rënët në luftë. 
“Sot është 99 vjetori i pavarësisë. Kjo është dita e mirënjohjes së thellë ndaj mijërave grave dhe burrave shqiptarë që me jetën dhe gjakun e tyre hodhën rrënjët e lirisë që gëzojmë sot. Pavarësia e Shqipërisë është akti më madhor në historinë tonë kombëtare. Sot nderojmë themeluesit e saj”,- deklaroi Beruisha. 

Kryeministri theksoi se kombi shqiptar përulet ndaj gjithë burrave dhe grave kosovare që vendosën shiritin e tyre në themel të pavarësisë së Kosovës. 
“Kombi përulet me nderim të madh para Adem Jasharit dhe të gjithë ata që vendosën shiritin e tyre në themele të Kosovës së Pavarur. Sot është dita kur ne projektojmë të ardhmen”,- u shpreh Berisha

Ndërkohë shefi i qeverisë theksoi se sot shqiptarët festojnë edhe clirimin e Shqipërisë. 
“Sot nderojmë një datë të rrëndësishme . Clirimin e Shqipërisë, ditë e cila do të jetë gjithmonë në historinë si lufta nacional çlirimtare. Përbën një faqe të ndritur të historisë së Shëipërisë. Nder të madh të gjithë ato që luftuan dhe ranë për pavarësinë e Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe flamurin e saj”,- uroi Berisha. 

RAMA NGA KOSOVA: URIMI I PARË JAHJAGËS, GËZUAR TË GJITHËVE! 
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama që ndodhet ende në Kosovë në ditën e tretë të vizitës përcjell urimin për festën e Pavarësisë në rrjetin social personal, Twitter. Rama në statusin e tij tregon se sapo ka zhvilluar një vizitë me Presidenten Atifete Jahjaga. “Urimin e parë të kësaj dite të festës së Flamurit ia bëmë Presidentes së Kosoves. Ditë me diell e atmosferë festive. Gëzuar të gjithëve!” 

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.