“Të forcohet perspektiva europiane”
Gjatë takimit rajonal të Komisioneve të Jashtme Parlamentare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kreu i Kuvendit Ilir Meta, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministrja e Integrimit Klajda Gjosha theksuan se forcimi i perspektivës europiane do të inkurajojë vendin tonë për përballimin e sfidave të integrimit.
“Duhet ta shohim të ardhmen me një sy edhe më të mprehtë. Forcimi i perspektivës europiane është kyç për angazhimin e vendeve të rajonit”, deklaroi Meta.
Nga ana e tij, Ditmir Bushati nënvizoi se “paqja në Europën Juglindore nuk është e plotë”: “Kemi të bëjmë me një rajon që nuk është ende i harmonizuar as në rrafshin politik dhe as në rrafshin ekonomik. Dinamizimi i procesit të integrimit do të na inkurajonte.”
Ndërkohë, Klajda Gjosha, tha: “Perspektiva e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi me të drejta të plota në BE. Vetëm me anë të inkurajimit mund të përballojmë sfidat që na dalin përpara. Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik na bën që të mbesim prapa në plotësimin e kritereve. Integrimi mbetet mundësia e artë e transformimit të shoqërisë sonë. “
/ Top Channel
Add new comment