Çështje kohe - Eurobondet do të vijnë

Postuar në 27 Nëntor, 2011 04:01

 

Në Eurozonë ka shumë probleme. Jo vetëm normat e interesit për obligacionet shtetërore italiane dhe greke janë rritur sërish në nivel të rrezikshëm, por edhe Franca, Holanda, Finlanda dhe Austria - vende të cilat ashtu si Gjermania gëzojnë notën më të lartë të bonitetit - duhet të pranojnë norma më të larta interesi për titujt e tyre shtetërorë të borxhit. Të mërkurën (23.11.2011), edhe Gjermania, e cila konsiderohet si ishulli i fundit i shpëtimit, nuk arriti të gjente blerës të mjaftueshëm për obligacionet e saj dhjetëvjeçare.

Tre variante

Kur vende të veçanta të një unioni monetar nuk arrijnë të rifinancohen në tregun financiar, ose iu duhet të pranojnë interesa shumë të lartë, është logjike të mendohet për obligacione të përbashkëta. Nga Komisioni i BE-së prezantohet tre variante të eurobondeve. Së pari: në vend të obligacioneve kombëtare të emetohen vetëm obligacione të përbashkëta. Kështu të gjithë përgjigjen bashkarisht për të gjitha borxhet. Në variantin e dytë borxhet e një vendi mbështeten deri në masën 60 për qind të produktit të brendshëm bruto nga vendet e tjera. Pjesa e mbetur e deficiteve duhet financuar nga vetë vendet përkatëse. Ekziston edhe varianti i tretë, "i butë" i eurobondeve: sipas tij çdo vend përgjigjet me një përqindje të caktuar për euro-obligacionet.

Kancelarja Merkel vazhdon t'i refuzojë eurobondet

Nga të gjitha variantet do të përfitonin vendet me borxhe të larta, të cilat me siguri do të paguanin interesa më të ulëta për rifinancimin. Ndërsa për vende si Gjermania, pesha e interesave do të rritej. Pra nuk është habi që kundërshtarët e kësaj ideje, i gjen kryesisht në Gjermani. Eksperti për financat Max Otte argumenton: "Bëhet fjalë për konflikt sistemi mes vendeve në veri dhe atyre në jug të Evropës, mes atyre që kursejnë dhe atyre që hyjnë në borxhe. Dhe nëse do të fusnim tani në qarkullim eurobonde nën këtë trysni, kam frikë se vendeve në borxhe do t'iu bëhet shumë e lehtë."

Pikërisht për këtë arsye kancelarja Merkel nuk heq dorë nga qendrimi i saj refuzues ndaj eurobondeve. Ajo u shpreh e zemëruar në parlamentin federal gjerman (Bundestag) ndaj planeve të Komisionit të BE-së:

"Efekti komunikativ do të jetë, që përmes ndarjes së peshës së borxheve në më shumë supe, mund të shpëtojmë nga mangësitë strukturore të unionit monetar evropian. Por pikërisht kjo nuk do të jetë e mundur."

Fillimisht ndryshim i marrëveshjeve, pastaj eurobondet

Këtu mangësi strukturore kërkon të luftojë tani kancelarja. Së bashku me aleatin e saj më të rëndësishëm, presidentin francez Nicolas Sarkozy, Merkel do të bëjë propozime për ndryshime të marrëveshjeve të BE-së, përpara samitit të BE-së në 9 dhjetor. Në thelb fjala është për të drejta ndërhyrjeje në planfikimet e buxheteve kombëtare. Kjo do të thotë që çdo vend i Eurozonës duhet t'ia paraqesë projekt-buxhetet fillimisht Komisionit të BE-së, Parlamentit Evropian apo një instance të re, të krijuar enkas, përpara se të miratohen nga parlamentet kombëtare. Kjo duhet t'i japë fund krijimit të borxheve pa kufi dhe të pengojë kriza të këtyre përmasave në të ardhmen.

Kështu ndërmerren hapat e parë drejt një unioni fiskal. Nëse administruesja e krizës Merkel e arrin këtë, Udo Steffen nga School of Finance në Frankfurt, mendon se kancelarja nuk do t'i refuzojë më gjatë eurobondet: "Nuk është fjala vetëm për një 'po' ose 'jo' për eurobondet. Bëhet fjalë për gjetjen e momentit të përshtashëm. Gjermania, dhe veçanërisht kancelarja, druhen se nëse lëshojnë nga duart këtë gur të fundit, do të bjerë trysnia ndaj vendeve evropiano-jugore për të ndërmarrë reformat e nevojshme."

Strategji me rreziqe

Parë kështu, eurobondet janë një mjet për t'i bindur vendet e tjera të dorëzojnë ca më shumë sovranitet tek BE-ja. Por edhe kjo strategji mbart jo pak rreziqe. Së pari sa i takon kohës, ekziston gjithnjë rreziku për të humbur momentin optimal. Në këtë rast pacienti "euro" mund të vdiste, para se mjekët të binin dakord për ilaçin e duhur.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese gjermane mund t'i anulonte planet e kancelares, edhe nëse bien dakord vendet e tjera. Pasi gjykatësit kushtetues shohin me shumë kujdes se sa shumë kompetenca mund të kalojnë nga Berlini në Bruksel.

Deutsche Welle

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.