Epoka e Artë e Amerikës*

Postuar në 22 Janar, 2025 15:43

Nisur nga reagimet e shumta dhe përmbajtja radikaslisht e ndryshme nga fjalimet e presidentëve të tjerë të SHBA, po sjellim këtu Fjalimin e inaugurimit të Presidentit të 47-t të SHBA, Donald J. Trump, sjellë në shqip nga kolegu Ilir Sinanaj të cilin e falenderojmë. Titulli shqip është i ResPublica. 

***

Donald J. Trump - President i 47-t i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Shumë faleminderit të gjithëve! Shumë, shumë faleminderit.

Zëvendëspresidenti Vans (Vance), Kryetari i Dhomës së Përfaqësueve Xhonson (Johnson), Senatori Thun (Thune), Kryegjyqtari Roberts, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Presidenti Klinton (Clinton), Presidenti Bush, Presidenti Obama, Presidenti Bajdën (Biden), Zëvendëspresidentja Harris dhe bashkëqytetarët e mi!

Epoka e artë e Amerikës fillon që tani. Nga kjo ditë e më tej vendi ynë do të lulëzojë dhe do të respektohet përsëri në mbarë botën. Do të jemi zilia e çdo kombi dhe nuk do ta lejojmë më veten që të na përdorin. Gjatë çdo dite të Administratës Tramp (Trump), unë, shumë thjesht, do të vë të parën Amerikën! Sovraniteti ynë do të rimerret. Siguria jonë do të rivendoset. Peshoret e e drejtësisë do të peshojnë siç duhet përsëri. Përdorimi i Departamentit të Drejtësisë së një armë e egër, e dhunshme dhe e padrejtë në qeverinë tonë do të marrë fund.

Dhe përparësia jonë kryesore do të jetë të krijojmë një komb që është krenar, i begatë dhe i lirë. Amerika së shpejti do të jetë më madhështore, më e fortë, si edhe shumë më e jashtëzakonshme se kurrë ndonjëherë më parë.

I rikthehem Presidencës me vetëbesim dhe optimist se jemi në fillimi të një ere të re drithëruese susksesi kombëtar. Një valë ndryshimi po përfshin vendin, drita e diellit po derdhet në të gjithë botën dhe Amerika ka shansin ta rroki këtë mundësi si kurrë më parë. Por, fillimisht duhet të jemi të ndershëm për sa u përket sfidave me të cilat përballemi. Edhe pse janë të shumta, ato do të asgjësohen nga kjo inerci e madhe, që bota ështu duke parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Teksa jemi mbledhur këtu, qeveria përballet me një krizë besimi. Për shumë vite ngrehina institucionale (establishment) radikale dhe e korruptuar ka nxjerrë prej qyetarëve tanë pushtet dhe pasuri, teksa kolanat mbajtëse të shoqërisë tonë qëndronin të thyera, dhe në dukje plotësisht të pariparueshme. Kemi një qeveri që nuk mund t’i japë drejtim edhe një krize të vogël të brendshme, dhe në të njëjtën kohë, duke u penguar në një katalog të vazhdueshëm ngjarjesh katastrofike jashtështetit. Dështon në mbrojtjen e qytetarëve tanë amerikanë renddashës të mahnitshëm, por jep strehim dhe mbrojtje për kriminelë të rrezikshëm, shumë prej të cilëve vijnë nga burgje dhe spitale psikiatrike, të cilët janë futur në mënyrë të paligjshme në vendin tonë nga e gjithë bota. Kemi një qeveri që ka dhënë fonde të pafundme për mbrotjen e kufijve të huaj, por që refuzon të mbrojë kufijtë amerikanë, apo, çka është më e rëndësishme, që të mbrojë popullin e vet.

Vendi ynë nuk mundet më të japë shërbimet bazë në rast emergjencash, siç u tregua nga njerëzit e shkëlqyer të Karolinës së Veriut. Sa keq që u trajtuan! Si edhe shtete të tjera, që po vuajnë ende nga pasojat e një cikloni të disa muajve më parë. Apo së fundmi në Los Anxheles, ku po shohim zjarret, që vazhdojnë djegien tragjike, që nisi para disa javëve, pa as edhe një grimcë mbrojtjeje. Ato po përshkojnë shtëpi dhe bashkësi, duke prekur madje edhe disa prej individëve më të pasur dhe më të fuqishëm të vendit tonë, disa prej të cilëve janë ulur këtu me ne. Tashmë ata nuk kanë më shtëpi. Kjo është interesante. Nuk mund ta lejojmë të ndodhë këtë. Të gjithë e kanë të pamundur të bëjnë diçka për këtë. Kjo gjë do të ndryshojë.

Kemi një sistem të shëndetit publik, i cili nuk ka dhënë rezultate në raste katastrofash, e megjithatë shpenzohet më shumë para për këtë sektor sesa në çdo vend tjetër në botë. Dhe kemi një sistem arsimor që u mëson fëmijëve tani të kenë turp nga vetvetja, dhe në shumë raste të urrejnë vendin tonë, pavarësisht dashurisë për të cilën rropatemi aq shumë për t’ua dhënë. E gjitha kjo do të ndryshojë, duke nisur që sot. Dhe do të ndryshojë shumë shpejt.

Zgjedhja ime së fundmi është një mandat për të shpërbërë plotësisht dhe tërësisht një tradhti të tmerrshme, si edhe të gjitha këto tradhti të shumta që kanë ndodhur dhe për t’i dhënë popullit përsëri besimin, pasurinë, demokracinë, si edhe lirinë! Nga tani e tutje, rënia e Amerikës ka marrë fund. Liritë tona dhe fati i lavdishëm i vendit tonë nuk do të mohohet më dhe ne do të rivendosim menjëherë, integritetin, kompetencën dhe besnikërinë e qeverisë amerikane.

Gjatë tetë viteve të fundit, unë jam sprovuar dhe sfiduar më shumë se çdo president tjetër në historinë tonë 250-vjeçare dhe kam mësuar shumë në rrugë e sipër. Rrugëtimi për të rimarrë republikën tonë nuk ka qenë i lehtë, kaq mund t’jua them! Ata që duan ta ndalojnë kauzën tonë janë përpjekur të më marrin lirinë si edhe të më marrin jetën. Vetëm pak muaj më parë, në një fushë të bukur në Pensilvani, plumbi i një vrasësi më shpoi veshin. Por e ndieva atëherë, dhe e besoj më shumë tani, se jeta m’u kursye për një arsye. U shpëtova nga Zoti për ta bërë Amerikën përsëri madhështore!

Me patriotë amerikanë do të punojmë për ta pritur çdo krizë me dinjitet, me fuqi dhe me forcë. Do të lëvizim me qëllim dhe me shpejtësi për të sjellë përsëri shpresë, begati, siguri dhe paqe për qytetarët e çdo race, feje, ngjyre dhe ideje. Për qytetarët amerikanë, 20 janari 2025 është Dita e Çlirimit! Unë e shpresoj që zgjedhja presidenciale, së fundmi, do të mbahet mend si zgjedhja më e madhja dhe me më shumë ndikim në historinë e vendit tonë. Siç e tregoi fitorja jonë, i gjithë kombi është duke u bashkuar me të shpejtë mbrapa programit tonë mbështetje për të cilin po rritet në mënyrë dramatike nga çdo element i shoqërisë sonë; të rinj e të vjetër, burra e gra, afrikano-amerikanë, hispaniko-amerikanë, aziatiko-amerikanë, nga qytetet, nga rrethinat e qyteteve, nga zonat rurale. Dhe diçka shumë e rëndësishme ishte se korrëm një fitore të fuqishme në të gjitha shtetet e lëkundura. Dhe votën popullore e fituam me miliona njerëz.

Bashkësive me ngjyrë dhe hispanike, ju, dua t’ju falenderoj për vërshimin e jashtëzakonshëm të dashurisë dhe besimit që më keni treguar me votën tuaj. Kemi vendosur rekorde dhe unë nuk do ta harroj! I kam dëgjuar zërat tuaj në fushatë dhe mezi po pres të punoj me ju në vitet në vijim. Sot është Dita e Martin Luter Kingut (Martin Luther King Day) dhe në nder të tij – ky do të jetë një nder i madh – në nder të tij ne do të punojmë së bashku për ta bërë ëndrrën e tij një realitet. Ne do t’ia plotësojmë ëndrrën.

Bashkimi kombëtar tashmë është duke u rikthyer në Amerika. Vetëbesimi dhe krenaria po kapin majat, si kurrë më parë. Në gjithçka që bëjmë, administrata ime do të frymëzohet nga përpjekja për të arritur standarde të shkëlqyera dhe nga një qëndrim i paepur për sukses. Ne nuk do ta harrojmë vendin tonë. Ne nuk do ta harrojmë kushtetutën tonë. Dhe ne nuk do ta harrojmë Zotin tonë! S’mund ta bësh këtë.

Sot do të firmos një sërë urdhrash ekzekutivë historikë. Me këto veprime do të nisim restaurimin e plotë të Amerikës dhe revolucionin e bonsensit. Është e gjitha çështje bonsensi. Së pari do të shpall gjendje emergjence kombëtare në kufirin tonë jugor. Çdo hyrje e paligjshme do të ndalohet menjëherë dhe do të nisim procesin për të rikthyer përsëri miliona e miliona kriminelë të huaj në vendet nga erdhën. Ne do t’i rikthehemi përsëri politikës time “Qëndro në Meksikë”. Unë do t’i jap fund praktikës kap dhe lësho. Dhe do të dërgoj trupa në kufirin jugor për të zmbrapsur pushtimin katastrofik të vendit tonë. Me urdhrat që firmos sot, ne gjithashtu do t’i përcaktojmë kartelet si organizata të huaja terroriste. Dhe duke u bazuar mbi Ligjin për Armiqtë e Huaj (Alien Enemies Act) të vitit 1798, unë do ta drejtoj qeverinë tonë të përdorë të gjithë fuqinë e elementeve të forcave federale dhe shtetërore të rendit për të eliminuar praninë e të gjitha bandave të huaja dhe rrjeteve kriminale që sjellin krim shkatërrimtar në tokën e Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë qytetet tona dhe qëndrat e mëdha urbane. Si Komandant i Përgjithshëm nuk kam përgjegjësi më të madhe se ajo që të mbroj vendin tona nga kërcënime dhe pushtime. Dhe pikërisht këtë gjë do të bëj. Do ta bëjmë në një shkallë të atillë sa askush se ka parë ndonjëherë.

Më pas do të drejtoj të gjithë anëtarët e kabinetit tim të përdorin të gjithë pushtetin e gjerë që kanë në dispozicion për të mundur atë çka ishte inflacion rekord dhe për të ulur me shpejtësi kostot dhe çmimet. Kriza e inflacionit u shkaktua nga shpenzime të tepërta të mëdha dhe përshkallëzime çmimesh të energjisë. Kjo është edhe arsyeja pse sot, gjithashtu, do të shpall një emergjencë kombëtare të energjisë. Ne do të shpojmë e do të shpojmë!

Amerika do të jetë përsëri një komb i prodhimit industrial. Dhe ne kemi diçka, që asnjë komb i prodhimit industrial nuk ka për ta pasur ndonjëherë; sasinë më të madhe të naftës dhe gazit se çdo vend tjetër në botë. Dhe ne do ta përdorim! Do ta përdorim! Do të ulim çmimet, do t’i mbushim përsëri rezervat tona strategjike deri sa të jenë plot dhe do të eksportojmë energji amerikane në mbarë botën. Do të jemi përsëri një komb i pasur dhe është ai ar i lëngët poshtë këmbëve tona që do të na ndihmojë. Me veprimet e mia sot ne do t’i japim fund Marrëveshjes së Re të Gjelbër (Green New Deal) dhe ne do të shfuqizojmë mandatin e makinave elektrike, duke ruajtur kështu industrinë e automjeteve dhe duke mbajtur kështu betimin tim të shenjtë ndaj punëtorëve amerikanë të industrisë së automjeteve. Me fjalë të tjera do të keni mundësinë të bleni makinën që dëshironi. Do të ndërtojmë automjete në Amerikë përsëri me një shpejtësi të atillë saqë askush as do ta kishte ëndërruar pak vite më parë. Faleminderit punëtorëve të industrisë së automjeteve të kombit tonë për votën tuaj frymëzuese të besimit. Patëm rezultate të jashtëzakonshme me votën e tyre.

Do të filloj menjëherë rishqyrtimin e sistemit tonë tregtar për të mbrojtur punëtorët dhe familjet amerikane. Në vend që të taksojmë qytetarët tanë për pasuruar vende të tjera, ne do të vendosim tarifa dhe taksa për vendet e huaja për të pasuruar qytetarët tanë. Për këtë qëllim po themelojmë Shërbimin e të Ardhurave të Jashtme (External Rvenue Service), për të mbledhur të gjitha tarifat, taksat dhe të ardhurat. Do të jenë shuma të mëdha parash që derdhen në Thesarin tonë, që vijnë nga shërbime të jashtme. Ëndrra amerikane së shpejti do të rikthehet, duke lulëzuar si kurrë më parë.

Për t’i rikthyer kompetencën dhe efektivitetin qeverisë sonë federale, administrata ime do të themelojë Departamentin e ri të Efikasitetit të Qeverisë (Departament of Government Efficiency). Pas vitesh e vitesh përpjekjesh federale të paligjshme dhe jo kushtetuese për të kufizuar lirinë e të shprehurit, unë gjithashtu do të firmos një urdhër ekzekutiv për t’u dhënë fund menjëherë të gjithave formave të censurës nga qeveria dhe do të rikthej lirinë e të shprehurit në Amerikë. Kurrë më pushteti i madh i shtetit nuk ka për t’u përdorur si armë për të përndjekur kundërshtarët politikë. Është diçka për të cilën jam në dijeni. Ne nuk do ta lejojmë të ndodhë. Nuk ka për të ndodhur më. Nën udhëheqjen time, ne do të rivendosim drejtësi të ndershme, të barabartë dhe të paanshme sipas sundimit kushtetues të ligjit. Dhe ne do të rikthejmë ligjin dhe rendin në qytetet tona.

Këtë javë, unë gjithashtu do t’i jap fund politikës qeveritare që bën përpjekje të projektojë modele sociale të racës dhe gjinisë në çdo aspekt të jetës private dhe publike. Ne do të farkëtojmë një shoqëri që nuk bën dallime ngjyrash si edhe të bazuar mbi meritën. Që nga sot, këtej e tutje do të jetë politika zyrtare e qeverisë së Shteteve të Bashkuara sipas së cilës ka vetëm dy gjini; mashkull dhe femër.

Këtë javë do të kthej në detyrë çdo ushtarak që u dëbua pa të drejtë nga ushtria jonë për shkak të kundërshtimit të rregullores për vaksinën e COVID-it, duke ua paguar të plota rrogat e prapambetura. Dhe do të nënshkruaj një urdhër që ndalon që luftëtarët tanë t’u nështrohen teorive politike, radikale dhe eksperimenteve sociale teksa janë në detyrë. Do të marrë fund menjëherë. Forcat tona të armatosura do të jenë të lira të përqendrohen në misionin e tyre të vetëm; të mposhtin armiqtë e Amerikës.

Si në vitin 2017, ne do të ndërtojmë përsëri ushtrinë më të fortë që të ketë parë ndonjëherë bota. Ne do ta matim susksesi tonë, jo vetëm me betejat që fitojmë, por edhe me luftërat që u japim fund, dhe, ndoshta më e rëndësishme, me luftërat tek të cilat nuk përfshihemi. Trashëgimia ime, për të cilën do krenohesha më shumë, do të ishte ajo e paqebërësit dhe e bashkuesit. Kështu dua të jem; një paqebërës dhe një bashkues. Kam kënaqësinë t’ju them se që nga dje, një ditë para (19 janar 2025) se të merrja mandatin (20 janar 2025), pengjet në Lindjen e Mesme do të kthehen sërish në shtëpi tek familjet e tyre.

Falemnderit!

Amerika do të rimarrë vendin që i takon si kombi më madhështor, më i fuqishëm, më i respektuar në botë, duke frymëzuar mahnitje dhe duke u çmuar nga e gjithë bota. Në një hapësirë të shkurtër kohore, ne do të ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës duke e quajtur Gjiri i Amerikës. Dhe ne do t’i rikthejmë emrin e një presidenti të madh, Uilliam Mekinli (William McKinley), malit të Mekinlit (Mount McKinley), ku duhet të jetë dhe ku i përket.

Presidneti Mekinli e bëri vendin tonë shumë të pasur nëpërmjet tarifave dhe talentit. Ai ishte një biznesmen i lindur dhe i dha paratë Tedi Ruzveltit (Teddy Roosevelt) për të bërë gjërat e mëdha që bëri, duke përfshirë edhe Kanalin e Panamasë, që në mënyrë ta paarsyeshme i është dhënë shtetit të Panamasë pasi Shtetet e Bashkuara... Shtetet e Bashkuara, dua të them, mendojeni këtë, shpenzuan më shumë para për këtë sesa në çdo projekt tjetër dhe humbën 38 mijë jetë në ndërtimin e Kanalit të Panamasë. Jemi trajtuar shumë keq nga kjo dhuratë e paarsyeshme, që nuk duhej të ishte bërë kurrë dhe premtimi i Panamasë ndaj nesh është thyer. Qëllimi i marrëveshjes sonë dhe fryma e traktatit tonë është shkelur plotësisht. Anijet amerikane po mbitarifohen rëndshëm dhe s’po trajtohen fare ndershmërisht në asnjë lloj mënyre, dhe kjo gjë përfshin edhe Marinën e Shteteve të Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, Kina është duke operuar në Kanalin e Panamasë; dhe ne nuk ia dhamë Kinës, ia dhamë Panamasë. Dhe do ta marrim mbrapsht!

Mbi të gjitha, mesazhi im për amerikanët sot është që ka ardhur përsëri koha për të vepruar me guxim, me zell dhe me gjallërinë e qytetërimit më madhështor të historisë. Pra, ndërsa e çlirojmë kombin, ne do ta udhëheqim atë në lartësi të reja fitoresh dhe suksesesh. Ne s’kemi për t’u stepur. Së bashku do t’i japim fund epidemisë së sëmundjes kronike, në mënyrë që të kemi fëmijë të sigurt, të shëndetshëm dhe pa sëmundje. Shtetet e Bashkuara përsëri do ta konsiderojnë veten një komb në rritje, që rrit pasurinë, që zgjeron territorin, që ndërton qytetet tona, që i ngre pritshmëritë dhe që e çon flamurin tonë në horizonte të reja dhe të bukura. Dhe ne do ta ndjekim Fatin e Shkruar nëpër yje, duke nisur astronautët për të vendosur yjet dhe rripat (metaforë për flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës) në planetin Mars!

Ambicia është gjaku që ushqen një komb të madh dhe në këtë moment kombi ynë është më ambicioz se çdo herë tjetër. Nuk ka komb tjetër si kombi ynë. Amerikanët janë eksploratorë, ndërtues, njerëz që sjellin risi, sipërmarrës dhe pionerë. Fryma e tejkalimit të kufijve është e shkruar në zemrat tona. Thirrja e aventurës së madhe të radhës jehon përbrenda shpirtrave tanë. Paraardhësit tanë amerikanë e kthyen një grup të vogël kolonish në cep të një kontinenti të gjerë në një republikë të fuqishme qytetarësh nga më të jashtëzakonshmit në botë. Askush nuk i afrohet. Amerikanët ecën përpara përmes mijëra kilometrash visesh të ashpra të pazbutura, kaluan shkretëtira, ngjitën male, përballuan me guxim lloj-lloj rreziqesh, ngadhënjyen mbi perëndimin e egër, i dhanë fund skllavërisë, shpëtuan miliona njerëz nga tirania, nxorën miliarda njerëz nga varfëria, shfrytëzuan energjinë elektrike, ndanë atomin, e nisën njerëzimin drejt qiejve dhe e sollën gjithësinë e njohurisë njerëzore në pëllëmbën e dorës njerëzore.

Nëse punojmë së bashku nuk ka asgjë që nuk do të mundemi ta bëjmë dhe nuk ka ëndërr që nuk do të mundemi ta arrijmë. Shumë njerëz menduan se ishte e pamundur për mua që t’ia dilja me një rikthim politik historik të këtillë. Por siç e shihni ja ku jam sot. Populli amerikan foli. Qëndroj përpara jush tani si dëshmi e asaj që nuk duhet kurrë të besoni se ka diçka të pamundur, e cila nuk bëhet dot. Në Amerikë, e pamundura është ajo që bëjmë më së miri. Nga Nju Jorku në Los Axheles, nga Filadelfia në Feniks, nga Çikago në Majemi, nga Hjustoni në Uashington D.C., pikërisht këtu ku jemi, vendi ynë u farkëtua dhe u ndërtua nga brezat e patriotëve që dhanë gjithçka që kishin për të drejtat tona dhe për lirinë tonë. Ata ishin ushtarë dhe fermerë, kaubojsa dhe punëtorë fabrikash, punëtorë çeliku dhe minatorë qymyri, oficerë policie dhe pionerë, të cilët ecën përpara, marshuan përpara dhe të cilët nuk lanë asnjë pengesë që t’u mposhte shpirtin apo krenarinë. Së bashku ata shtrinë hekurudha, ngiritën qiellgërvishëse, ndërtuan autostrada të mëdha, fituan dy luftëra botërore, mposhtën fashizmin dhe komunizmin dhe ngadhënyen mbi çdo lloj sfide, me të cilën u përballën.

Pas gjithë asaj që kemi kaluar së bashku, jemi duke qëndruar në pragun e katër viteve madhështore në vijim të historisë amerikane. Me ndihmën tuaj ne do ta rimëkëmbim Amerikën. E premtoj! Dhe ne do ta rindërtojmë kombin që e duam dhe që me të vërtetë e duam shumë! Ne jemi një popull, një familje dhe një komb i lavdishëm me Zotin sipër nesh. Kështu, për çdo prind që ëndërron për fëmijën e vet dhe për çdo fëmijë që ëndërron për të ardhmen e vet, unë jam me ju, unë do të luftoj për ju dhe unë do të fitoj për ju. Kemi për të fituar si kurrë më parë.

Falemnderit!

Në vitet e fundit kombi ynë ka vuajtur shumë, por ne do ta rimëkëmbim dhe do ta bëjmë përsëri madhështor, më madhështor sesa ka qenë ndonjëherë. Do të jemi një komb si askush tjetër plot me dhembshuri, guxim dhe me veçanti të shquar si askush tjetër (exceptionalism). Fuqia jonë do t’i ndalojë të gjitha luftërat dhe do të sjellë një frymë të bashkimit në një botë që ka qenë e zemëruar, e dhunshme dhe tërësisht e paparashikueshme. Amerika do të respekohet përsëri, do të çmohet përsëri përfshirë edhe nga njerëz të fesë, besimit dhe me vullnet të mirë. Ne do të jemi të begatë! Ne do të jemi krenarë! Ne do të fortë dhe ne do të fitojmë si kurrë më parë. Nuk do të pushtohemi! Nuk do të mund kush të na ushtrojë presion! Nuk do të thyehemi dhe nuk do të dështojmë. Nga kjo ditë e tutje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë një komb i lirë, sovran dhe i pavarur. Ne do të qëndrojmë trimërisht! Ne do të jetojmë me krenari! Ne do të kemi ëndrra të guximshme dhe asgjë nuk ka për të na e prerë rrugën sepse ne jemi amerikanë! E ardhmja është e jona dhe epoka jonë e artë sapo ka filluar. Faleminderit!

Zoti e Bekoftë Amerikën!

Faleminderit të gjithëve!

Faleminderit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.