Forca e shembullit, apo shembulli i forcës?!
Shumëkush e mban mend elegjinë e Edi Ramës për Saimir Tahirin. Mbi 1 orë e 30 minuta ndoshta për të na bindur se djalë si Saimiri nuk kishte, por detyra, parimet ishin imperativa kategorikë për Partinë Socialiste dhe kryeministrin.
Patjetër që Edi Rama nuk ishte naiv, as ekumenik në atëbotë, ndonëse rekrutimet majtas e djathtas zbulojnë ekumenën e posaçme të pushtetit.
Por z. Rama ndoshta shihte te Tahiri një investim që po humbej dhe ndaj elegjia që ishte vetiu një formë panegjirizmi për atë që do ta merrnim vesh më vonë si Forca e Shembullit.
Kanë kaluar ca vjet, shumë ka rrjedhur qysh atëherë, shumë dëme, të mëdha madje, i janë bërë këtij vendi. Mes proceseve që shohim të zbulohen qartë është edhe evoluimi i z. Rama, i psikologjisë së tij politike.
Bindjet për një rol historik, sado qesharake dhe patetike i kanë lënë vendin delireve personale që mbahen në këmbë vetëm duke e ushquer lodrën e pushtetit. Është një ligjësi, një skematizëm karakteristik i njerëzve dhe strukuturave që ekzistojnë mbi premisa demagogjike.
Shërben disi kjo parashtresë e shkurtër për të kuptuar disi më mirë sjelljen e paprecedentë e me deputeten Olta Xhaçka. Nuk ka asgjë sentimentale, njerëzore, apo personale në mbrojtjen e saj. Ka vetëm një logjikë politike, pushteti. Cila?
Kjo mund të ketë shumë përgjigje, por janë spekullime deri në sqarimin ligjor. Por ne mund ta gjejjmë një shembull të mbrojtjes ekstreme te vendimi i Sali Berishës për të mbrojtur Ilir Metën pas videos së 17 janarit 2011.
Siç rezultoi më vonë, përmes vetë gojës së Metës, Berisha donte zgjedhjet e parakohshme, por Meta e shantazhoi me një video të të birit. Që këtej vendimi që Meta vetëm të dorëhiqej si zv.kryeministër, akt për të cilin Meta më vonë do të shprehej se:
E kam dhënë njëhere dorëheqjen për Shkëlzenin
Çfarë e mban sot Olta Xhaçkën në Parlament? Ajo thjesht ka një mandat, që duket se nuk duan t’ia lënë që ta dorëzojë. Pse?
Do të duhet të presim pak kohë, por kjo mbrojtje me një investim prej dikujt që tashmë po kujdeset vetëm për vete është shumë e ndryshme nga çdo gjë tjetër. Edhe nga panegjiriku për Tahirin.
Ky është një shembull i ri, ai i forcës së kartonit, të cilin kaq shumë e stigmatizonte dikur si politikë të vjetër. Madje me rrezikun e vënies në diskutim të drejtësisë kushtetuese, diçka në linjë me vendimin e dikurshëm të Berishës për të mos zbatuar urdhërin e Prokurorisë pas 21 janarit për të arrestuar drejtues të Gardës.
Add new comment