Zgjedhjet zhytin në pasiguri politike aleatin më të madh të SHBA në Azi
Japonezët votuan kundër partisë në qeveri prej shumë vitesh në zgjedhjet e së dielës, duke e zhytur ekonominë e katërt më të madhe në botë në një periudhë të rrallë pasigurie politike.
Partia Liberale Demokratike e Japonisë, e cila ka qeverisur pothuajse vazhdimisht që nga viti 1955, ka humbur shumicën parlamentare në Dhomën e Ulët për herë të parë në 15 vjet.
Zemërimi i publikut dhe mosbesimi ndaj qeverisë u ndikuan edhe nga një skandal i madh të financimit politik në zemër të LDP-së.
LDP dhe partneri i saj i koalicionit Komeito siguruan vetëm 215 nga 465 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërkohë që duheshin të paktën 233 për të arritur një shumicë, sipas transmetuesit publik NHK.
Rezultati është një goditje e madhe për kryeministrin Shigeru Ishiba, përpjekja e të cilit për të forcuar pozicionin e tij përmes zgjedhjeve rezultoi autogol.
Dobësimit të jenit, ngadalësimit të ekonomisë dhe inflacionit të lartë iu shtua edhe një skandal në të cilin u përfshi qeveria e Ishibës muajt e fundit. Emrat e implikuar direkt nuk u mbështetën zyrtarisht në zgjedhje nga partia LDP e Ishibës, por ia dolën të hyjnë në lista si të pavarur.
Vetë kryeministri i ri i Japonisë është tërhequr nga shumë prej premtimeve dhe ideve që ka hedhur vetë pak javë më parë. E tillë është mbështetja e një ligji që u lejon grave të martuara të mbajnë emrat e tyre të vajzërisë, për të cilën më vonë tha se kërkonte "diskutim të mëtejshëm".
Si ministër i mbrojtjes, Ishiba para zgjedhjeve propozoi një version aziatik të NATO-s, një ide që ai me sa duket e ka hedhur poshtë pasi u kundërshtua nga SHBA.
Zgjedhjet në Japoni vijnë pak më shumë se një javë përpara se Shtetet e Bashkuara të votojnë për presidentin e ri. Ishiba e ka bërë prioritet forcimin e marrëdhënieve të Japonisë me SHBA-në dhe kërkon lidhje më të thella me aleatët mes sfidave në rritje të sigurisë në Azi, duke përfshirë një Kinë gjithnjë e më të sigurt dhe Korenë e Veriut luftarake.
Partneriteti me Japoninë ka qenë prej kohësh qendror në strategjinë e SHBA-së në rajonin Azi-Paqësor dhe paraardhësi i Ishiba-s, Kishida këtë vit zgjeroi bashkëpunimin e mbrojtjes të Japonisë me aleatin e saj kryesor. Ishiba ka bërë thirrje për një marrëdhënie më të ekuilibruar, duke përfshirë mbikëqyrjen më të madhe të bazave ushtarake amerikane në Japoni, raporton Reuters.
Pak ditë më parë, Ishiba u tha gazetarëve se Japonia "do të forcojë edhe më shumë lidhjet me Shtetet e Bashkuara" dhe do të ruajë "marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira Japoni-SHBA dhe do të punojnë për të forcuar rendin e lirë dhe të hapur ndërkombëtar".
Si figurë politike, Ishiba është parë si i gatshëm për të kritikuar dhe për të shkuar kundër partisë së tij. Kjo ka bërë që të ketë armiq në parti, por nga ana tjetër e ka bërë atë të dashur për më shumë anëtarë në bazë dhe për publikun.
Tani, gara për pushtet do të nisë me të gjitha partitë që kërkojnë aleanca për të siguruar vende të mjaftueshme për të formuar një qeveri.
E ardhmja politike e Ishiba dhe LDP është e pasigurt dhe një nga ekonomitë më të rëndësishme në botë përballet me një periudhë jostabiliteti deri në zgjedhjet e Dhomës së Lartë verën e ardhshme.
Add new comment