Pikëpyetje mbi komunikimin sekret mes Elon Musk dhe Putin

Postuar në 26 Tetor, 2024 14:05

Miliarderi Elon Musk ka qenë në kontakt të rregullt me ​​presidentin rus, Vladimir Putin, që nga fundi i vitit 2022, sipas një shkrimi të The Wall Street Journal.

Kjo e fundit pretendon se Musk dhe Putin kanë vijuar kontaktet edhe këtë vit, edhe pse Musk filloi t’i shtonte kritikat ndaj mbështetjes ushtarake të SHBA për Ukrainën dhe u përfshi në mënyrë aktive në fushatën zgjedhore të kandidatit republikan dhe ish-presidentit Donald Trump.

Putini raportohet se në një nga këto komunikime i ka kërkuar sipërmarrësit të shmangte aktivizimin e shërbimit të tij satelitor të internetit Starlink mbi Tajvan, si një favor për presidentin kinez Xi Jinping.

Lajmi vjen në një kohë kritike të fushatës zgjedhore në SHBA, ndërkohë që ndikimi i biznesmenit shtrihet shumë përtej politikës, nëpërmjet platformës së rrjetit të tij social X dhe kompanisë së tij teknologjike SpaceX, përmes së cilës ai ka kontrata të mëdha qeveritare dhe leje sigurie të nivelit të lartë.

Shërbimi i tij i internetit satelitor Starlink nxjerr në pah një aspekt kyç të ndikimit të Musk: Miliarderi i dha Ukrainës akses falas në sistemin e tij pasi Putini nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Kjo nismë u përshëndet si një mjet i rëndësishëm në aftësinë e Ukrainës për të luftuar kundër forcave ruse, por marrëdhëniet midis Musk dhe autoriteteve ukrainase u ftohën gjatë rrjedhës së luftës dhe Musk ndaloi financimin e terminaleve për Ukrainën dhe madje kufizoi përdorimin e Starlink nga ushtria e saj për të kontrolluar dronët.

Në tetor 2022, Musk propozoi disa një seri pikash të Kremlinit për luftën, të cilat ai i paraqiti si një plan për paqen, por kjo shkaktoi reagim të madh nga zyrtarët e lartë në Kiev, madje edhe nga vetë presidenti Volodymyr Zelenskyy.

Në fillim të vitit 2024, raportet e inteligjencës ushtarake ukrainase thanë se shërbimi satelitor i Musk po përdorej nga ushtria ruse në frontin ukrainas.

Sipas zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, komunikimi i vetëm i Kremlinit me Musk ishte një telefonatë në të cilën ai dhe Putin diskutuan "hapësirën, si dhe teknologjitë aktuale dhe të ardhshme".

Informacioni mbi kontaktet e Musk në Kremlin duket se është një sekret i ruajtur mirë në administratën amerikane, sipas The Wall Street Journal, madje disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk ishin në dijeni të tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.