Turqia zgjedh BRICS, paraqet kërkesën për anëtarësim
Turqia ka kërkuar zyrtarisht të bashkohet me bllokun ekonomik BRICS, pasi kërkon të krijojë lidhje të reja përtej aleatëve të saj tradicionalë perëndimorë. Lajmin e bëri të ditur Bloomberg, duke cituar persona që kanë dijeni mbi kërkesën.
Ankaraja raportohet se e ka paraqitur kërkesën për t'u bashkuar me grupin "disa muaj më parë". “Përçarjet” midis anëtares së NATO-s, Turqisë dhe vendeve të tjera anëtare të bllokut ushtarak mbi konfliktin në Ukrainë, mendohet se janë ndër arsyet për aplikimin e Ankarasë për BRICS.
Që nga shpërthimi i konfliktit midis Moskës dhe Kievit në vitin 2022, Ankaraja ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, e ka kritikuar strategjinë e aleatëve të tij për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe deklaroi se Turqia "nuk do të jetë palë në këtë luftë".
Ankaraja ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht konfliktit në Ukrainë, vë në dukje Bloomberg. Në shkrim përmendet edhe frustrimi i lidershipit turk për mungesën e progresit në drejtim të anëtarësimit në BE.
Turqia u shpall vend kandidat për në BE në vitin 1999. Parlamenti Evropian i pezulloi negociatat e pranimit 10 vjet më vonë për shkak të shkeljeve të dyshuara të të drejtave të njeriut.
Turqia nuk e ka konfirmuar depozitimin e kërkesës për anëtarësim në BRICS, por në qershor ministri i Jashtëm turk është shprehur se Ankaraja ishte e interesuar t'i bashkohej grupit.
BRICS u themelua në vitin 2006 nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, me Afrikën e Jugut që iu bashkua në 2011. Aktualisht, blloku kryesohet nga Rusia.
Kërkesa e Turqisë vjen pas anëtarësimit në fillim të këtij viti të Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Add new comment