Një datë e mbingarkuar: çfarë të përkujtojmë më 23 gusht?
23 gushti është një datë të cilën politika dhe ndarja historike po e mbingarkon me shenjime që në të vërtetë ilustrojnë kohën që jetojmë dhe parathonë një të ardhme shumë të zymtë. 23 gushti 1939 përfaqëson një moment të rëndësishëm për Europën dhe rendin ndërkombëtar të Versajës pasi në këtë ditë u firmos Pakti Ribentrop-Molotov i mossulmimit mes Gjermanisë hitleriane dhe Bashkimit Sovjetik.
Pakti në fjalë përcaktonte në protokollet sekrete ndarjen e Polonisë në sfera influence dhe më 1 shtator 1939, Gjermania sulmoi Poloninë. Me këtë rast Bashkimi Sovjetik shtyu kufirin perëndimor duke shpallur një politikë mbrojtjeje sikundër kishte bërë që nga Lufta e Spanjës dhe mandej me Konferencën e Munihut 1938. Në terma territorialë, Pakti i 1939-ës nuk shton asgjë thelbësore krahasuar me heshtjen e plotë të Perëndimit për Anshlusin dhe mandej për ndarjen e Sudeteve nga Çekosllovakia(apo për injorimin e plotë të pushtimit të Shqipërisë).
Në terma gjeopolitikë, Pakti i 1939-ës asgjësoi politikisht Poloninë duke zyrtarizuar politikën e rishikimit territorial në kontient.
Mbi Paktin ka shumë debate, por Perëndimi ka adoptuar idenë se ai është karakteristikë e politikës ekspansioniste dhe revizioniste të dy fuqive të dëbuara nga rendi ndërkombëtar dhe vendimmarrja efektive. Përveç ish-këshilltarit të Sigurisë, Kissinger, që e quan paktin një politikë sovjetike difensive - brenda suazës së realpolitikës - përkundrejt mesazheve të Perëndimit për ta ndërsyer Gjermaninë kundër BS-së pas humbjes së 1918-ës, në përgjithësi Pakti shihet si epitomë e katastrofës europiane për paqen.
Për këtë arsye ndër të tjera, 23 gushti në Europë është caktuar si data e kujtesës së viktimave të stalinizmit dhe nazizmit, një shenjë barazie që ha shumë diskutime nëse mbahet parasysh se Stalini ishte aleati i Perëndimit dhe aktor në rendin ndërkombëtar të pas Luftës. Për më tepër që ka autorë që pretendojnë se me Jaltën, Stalini mori atë që iu premtua më 1939 nga Hitleri, e madje ca më shumë: republikat balltike, Besarabinë për të ardhur deri në Berlin.
Nga ana tjetër pala ruse e kujton 23 gushtin për dy ngjarje të tjera, por me simbolikë të kundërt: ambasada ruse në Tiranë shpërndante sot dy materiale që lidhen me këtë datë: së pari bombardimi i parë masiv i Stalingradit që për 3 orë mori 40 mijë njerëz dhe së dyti për Betejën e Kurskut që përcaktoi fundin e aktiviteteve mësymëse strategjike të Gjermanisë në Lindje.
Janë ngjarje që lidhen me fatin e Europës, fatin historik të saj, por edhe me faktin se historia ka nisur të riaktualizohet si predikat në militarizimin e shoqërive, duke e rindarë sërish kontinentin mes vijave të vjetra. Nuk ka dështim më të madh për projektin e Europës së Bashkuar që u shpresua se do të mbyllte plagët e vjetra, që kanë nisur të rrjedhin sërish.
s.zaimi
Add new comment