Protesta si subversion në regjimet ballkanike. Perëndimi akuzohet në Serbi, "partia e rublave" në Shqipëri

Postuar në 18 Gusht, 2024 18:56

Një pjesë e serbëve po protestojnë kundër kontratës së shfrytëzimit të litiumit në Jadar. Ekologjistë, opozitarë, janë bërë bashkë, shtuar këtu edhe akademikë të ndryshëm, për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj një projekti që ka shumë pasiguri. Beogradi zyrtar ndodhet para një problemi politik që nuk mund ta injorojë; kauza është e drejtë, nëse protesta persiston, do gjenerohen probleme edhe për palën gjermane. Që ka mbyllur sytë p.sh për manipulimet zgjedhore në Serbi, për të cilat foli jo pak muaj më parë.

E megjithatë, presidenti serb është kapur te një kontradiktë logjike për të skualifikuar gjenunitetin e protestave; sipas tij ato sponsorizohen nga Perëndimi. Departamenti Amerikan i Shtetit ka hedhur poshtë kategorikisht një gjë të tillë, ndërkohë që Aleksander Vulin, një politikan pa adresë të qartë në Serbi, këmbëngul se Perëndimi qëndron pas protestave. Sipas DASh, është Rusia madje që po shfrytëzon protestat për ta mbajtur të lidhur Vuçiç.

Për analogji, protesta në Shqipëri u lidhën me “partinë e rublave”, meqenëse në vendin tonë, e keqja vjen vetëm nga Lindja. Në të dyja rastet kemi një lloj ballkanizimi nga pushteti që refuzon të jaëp llogari dhe të bëjë transparencë dhe zgjedh alibi konveninte dhe populiste. P.sh z. Rama po fal të vetmin ishull që ka Shqipëria te dhëndri i Trump. Asnjë protestë nuk ka për derën që po i mbyllet të gjithëve. Të imagjinojmë pak nëse do të protestonte kush: cili shtet do të akuzohej se inspiron destabilizim?

Është rasti tipik kur një kulturë e të vështruarit të demokracisë si përgjegjësi që ushtrohet nën protektorat, riaktualizohet në interesin e politikës që provincializmin e vet ta konservojë dhe projektojë në mbarë shoqërinë, e cila tentohet të intimidohet me “legjitimitetin” gjeopolitik të kauzave. Kur është e qartë si drita e diellit se çfarë po ndodh. Për këtë arsye suksesi i protestës për Jadarin në Serbi do të ishte sinjal i një kthese, sidomos tani kur Perëndimi ka braktisur demokracinë, ka braktisur çdo gjë që propagandonte dhe gradualisht po kthehet në një mjedis të ngjashëm me botën e para LIIB.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Problemi në Shqipëri është se edhe kritikët që nuk rreshtohen pas kryetarit të opozitës cilësohen të shitur paçka se kryetarët janë kapur mat disa herë duke shitur kauzat opozitare për përfitime personale. Kjo ka bërë që opozita të diskreditohet e të mos arrijë të bindë më qytetarët përkrahës të saj por edhe ata që janë të pakënaqur me këtë qeverisje. Kjo ndodh sepse alternativa opozitare me figura të stërkonsumuara është një film që i ka neveritur njerëzit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.