Muret tona të brendshme ndaj Lirisë
Irani është një republikë fetare, ose demokraci fetare siç quhet vetë. Me përkufizimet e zakonshme ne jemi mësuar të dëgjojmë se Irani është diktaturë, autokraci nën drejtimin e disa gangsterëve që nuk e kanë gjë jetën e njeriut. Se zgjedhjet janë formalitet e kështu me radhë, çka në mënyrë intuitive na çon në reflektimin se në Iran nuk flet dot lirisht.
Në Iran së afërmi mbahen zgjedhjet presidenciale dhe garojnë gjashtë kandidatë, gjithçka pas vdekjes në aksident të presidentit Ebrahim Raisi. France24 ka marrë disa qytetarë që flasin për zgjedhjet, kandidatët dhe aty mund të konstatosh mosbesimin e zgjedhësve, si dhe faktin se ata i shohin kandidatët si shërbëtorë të Liderit Suprem. Opozitarizmi është sheshit pra në një Iran që nuk duket të jetë ai regjimi represiv ekstrem siç interpretohet rëndom.
Kthehemi në Shqipërinë demokratike. E cila përjeton reformat më të mëdha demokratizuese që nga 1912, që është një vend që ka përparim të paprecedent dhe ku liria e shprehjes është e garantuar. Dëgjoni si flasin njerëzit për përgjegjësitë e kryebashkiakut në aferën 5D:
https://www.youtube.com/watch?v=_GbqE9OmoXY&t=79s
Zhvejkizmi është këtu agjent kërpudhor i shpirtit të shqiptarit, që e urren thellë – thellë lirinë, të cilën ia dhuruan dhe preferon të bëjë sikur nuk kupton, vetëm e vetëm se jeta e tij është kryesisht llogaria e ditës. Sigurisht që ky është një problem shumë i thellë që nuk lidhet strikt me një pushtet apo një ekip që drejton; shërbimi, kameleonizmi, një lloj bizantinizmi në raportet ndërpersonale, janë tipare të ngulitura të një psikologjie servi që burimisht duhen kërkuar gjetkë. I kemi në familje, në fis, gjitoni, punë, kudo.
Fytyra që shndërrohen e tjetërsohen për një “interes” të prekur, një kulturë harbutërie dhe hakmarrjeje për gjënë edhe më të vogël, karaktere që “dinë të falin” kur duhet, por jo se falin sepse ndjejnë. Një hipokrizi e përgjithshme, organike që patjetër do të manifestohet edhe në rrugë. Dhe është në kulm ironike mandej kur ne si shoqëri e lirë që refuzojmë ta ushtrojmë lirinë, sepse na cenon interesin, strehojmë këtu një grupim si MEK, që është ku e ku më hermetik sesa “shoqëria e mbyllur” iraniane e Ajtallohave.
Sigurisht që një episod nuk mund të përgjithësojë shumëçka, por duhet thënë se etiketat mediatike mbi vende dhe shoqëri të ndryshme, janë shndërruar në klishe prej nga ka mandej mbulohen apo i shpëtojnë mbikëqyrjes, probleme reale dhe që persistojnë. Ndoshta ne kemi qenë më të lirë brenda vetesn më 1989-ën sesa sot, teksa shohim ngado murin e hipokrizisë, dështimit dhe integrimit në interesa që funksionojnë në të kundërt me parimin demokratik të të qenit të Lirë dhe vepruar mbi parimin e Lirisë. Ky është një lloj represioni i brendshëm, një Diktaturë personale mbi Unin, një mur kinez ndaj të jashtmes që është ku e ku më rrëgjues sesa kloni i dikurshëm.
s.zaimi
Comments
Pikerisht kete ndjesi e kam
Pikerisht kete ndjesi e kam patur edhe une, kur kam pare per here te pare dokumentare per Iranin. Me dukej si paradoks. Mirepo, fale internetit dhe mundesive te pafundme qe te jep per te pare gjithcka, ne cdo cep te botes, dhe nga cdo aspekt i'u perafrova opinionit te pare qe kisha per Iranin.
Perceptimi qe kemi per shume vende te botes, varet nga klishete e pashmangshme per to. Irani nje republike islamike, ku sundon ligji i sheriatit. Kaq mjafton per klishene, e cila nga ana e saj eshte e prirur per te shkuar ne skaj; qe ketej edhe habia pastaj, kur shohim qe realiteti nuk qenkesh ai qe ne paskeshim imagjinuar se eshte.
Kjo liri shprehjeje, kaq sa eshte, ne Iran eshte e kuptueshme dhe normale, po te kihet parasysh konteksti politik-social ne ate vend. Kete e kam vene re edhe ne dokumentare te tjere per sulltanate ne vendet aziatike ku, megjithese sheriati ( i frikshem) ishte fuqiplote, kishte megjithate njelloj lirie shprehje qe te jepte menjehere ate ndjesine e paradoksit.
Keto lloj shoqerish kane menyra te ndryshme nga ato perendimore per te kontrolluar turmat; e ketu i ndihmon pikerisht ligji islamik, shenjteria e te cilit eshte e padiskutueshme nga shumica derrmuese e popullsise.
Add new comment