Shqipëria e Vërtetë e Onkologjikut
Ajo çfarë ka dalë në sipërfaqe nga hetimet e njoftuara sot nga Prokuroria për spitalin Onkologjik në Tiranë nuk përbën më lajm. Mjekë që manipulojnë me gjendjen e të sëmurëve, spitali që degdis familjarët në farmaci për të blerë ilaçet që duhet të jenë të rimbursuara janë gjëra që nuk ka shqiptar që nuk i kë hequr në lëkurë nëse ka shkruar në spital.
Që mjeku do para, infermieri po ashtu, po edhe roja dhe sanitari këtë e pamë të gjithë sidomos gjatë pandemisë.
Grabitja dhe krimi që konsumohet në këtë vend nga sektori i shëndetësisë është çështje përditmërie dhe kush del e thotë se nuk mund të futen të gjithë në një thes do të duhet të kalonte nga spitali.
Ajo çfarë plotëson kuadrin e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë që shkon nga lart poshtë është lajmi se aparatura e kobalto-terapisë është lënë në kushte teknike jashtë standardeve duke u kthyer në rrezik edhe për vetë personelin. Është një investim jo i pakët që bëhet në një fushë të shërbimit mjekësor që ka shumë rëndësi dhe shoqërohet me probleme zinxhir. Këtu kemi të bëjmë me një tallje të madhe edhe me atë që drejton qeverinë që nuk është e qartë nëse ia ka idenë se çfarë bëhet me paratë që firmos e vulos. Në vitin 2020, z. Rama shpallte me krenari ndryshimin epokal në mjekësi pikërisht duke u kapur te një aparaturë kobalti, që hetimi i sotshëm e ka nxjerrë se një e ngjashme është mes hedhurinave të spitalit.
Po flasim për spitalin kryesor terciar të vendit dhe jo një ambulancë lagjeje. Kjo është Shqipëria në fakt, ajo e vërteta që po dëbon njerëzinë.
Comments
Tmerri me i madh
Tmerr me i madh sesa kjo qe po del tani eshte interpretimi qe shqiptaret i bejne fenomeneve te tilla! Ose jane totalisht indiferente ose relativizojne korrupsionin dhe abuzimin ne institutionet e shtetit me ate qe po te ishte opozita ne pushtet me zi do bente, prandaj nqs nuk e ben Edi Rama Shqiperine askush nuk mundet ta beje e keshtu me mire te ikim jashte ne emigracion!
Me kete mentalitet qe kane shqiptaret vetem shtet bananesh mund te ndertojne!
Add new comment