Çfarë i ka mbetur më shkollës?

Postuar në 22 Qershor, 2024 14:33

Mediat në Kosovë raportojnë se pyetjet dhe përgjigjet e Testit të Maturës kanë dalë në mediat sociale. Edhe këtë vit. Çka nënkupton se ky është një zanat i konsoliduar. Me këtë rast janë publikuar edhe foto nga profile në mediat sociale që qarkullojnë testin.

Është një dukuri që e has rëndom në Shqipëri për çdo vit. Aq sa është një gjë qesharake të mendosh seriozisht se fëmija yt duhet të lodhet për provimet e një testimi që publikohet paraprakisht.

Është e vështirë që defektin e publikimit t’ia faturosh vetëm institucioneve, pasi shkolla në thelb presupozohet të jetë mjedis ku realizohet edukimi dhe arsimimi. Mesa duket autoriteti i vetëm, por edhe interesi që ka mbetur për shkollën mes shqiptarëve të këtij brezi, është diploma dhe provimi. Thënë shkurt, mundësia për karrierë formale, duke injoruar çdo lloj dijeje dhe gatishmërie për të konkuruar.

Problemi vjen e merr një përmasë shumë serioze për faktin se në mbarë Europën ka shpërthyer një lloj epidemie plagjiarizmi që dëshmon sa për faktin se me shkollën po instrumentalizohet shumë, aq edhe se sistemi ka shumë pore dhe vuan nga mungesa e kontrollit efektiv. Dallimi mes nesh dhe vendeve të mëdha është këto vende kanë mundësi dhe kapacitete për të korrigjuar, madje edhe për të bërë ndryshime radikale; kanë traditën, burimet por edhe ekonominë për këtë gjë.  

Në një vend si yni, ku familjariteti të çon edhe në kozmos po u desh, është shumë e vështirë të zhbësh një ligatinë si kjo e arsimit që ç’është më e keqja ka gjeneruar hierarki të rreme nga të cilat nuk heq më kush dorë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje vend si ky yni...
E ke per Kosoven apo Shqipnine?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.