SHBA, 15 vjet mbrapa Kinës për energjinë bërthamore
Shtetet e Bashkuara janë gati 15 vjet pas Kinës në zhvillimin e energjisë bërthamore të teknologjisë së lartë. Kjo pasi qasja teknologjike e mbështetur nga shteti kinez dhe financimi i gjerë prej tij i japin përparësi.
Kina ka 27 reaktorë bërthamorë në ndërtim, me afate mesatare kohore të ndërtimit prej rreth shtatë vitesh, shumë më shpejt se vendet e tjera, thuhet në një studim të kryer nga Fondacioni i Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, një institut kërkimor jopartiak me bazë në Uashington.
"Ritmi i shpejtë me të cilin po shpërndahen në Kinë termocentrale gjithnjë e më moderne bërthamore po prodhon me kalimin e kohës ekonomi të konsiderueshme. Kjo të bën të kuptosh se ndërmarrjet kineze do të fitojnë avantazh në inovacionin në rritje në këtë sektor në vijim", citohet raporti nga Reuters.
Shtetet e Bashkuara kanë flotën më të madhe në botë të termocentraleve bërthamore dhe administrata e Presidentit Joe Biden e konsideron këtë burim energjisë elektrike praktikisht pa emetime si jetik për frenimin e ndryshimeve klimatike.
Por vitet e fundit nuk është ndërtuar asnjë reaktor bërthamor në SHBA.
Ndërkohë, në Kinë bankat shtetërore ofrojnë kredi deri në 1.4%, shumë më të ulëta se sa ato në ekonomitë perëndimore. Industria kineze e energjisë bërthamore ka përfituar nga mbështetja e qëndrueshme shtetërore dhe strategjitë e lokalizimit që e kanë lejuar Kinën të dominojë sektorë si energjia e rinovueshme.
Megjithatë, jo gjithçka është rozë edhe në Kinë. Shoqata e Energjisë Bërthamore e Kinës ka paralajmëruar për një tepricë të madhe në prodhimin e komponentëve bërthamorë, çka ka sjellë si pasojë konkurrencë të madhe dhe rrjedhimisht uljen e çmimeve, derisa shkaktohen humbje.
Add new comment