Përhumbjet e Joe Biden, metafora e strategjisë së Perëndimit sot edhe në Ballkan

Postuar në 14 Qershor, 2024 16:28

Dje, ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill, shprehej se njohja e Kosovës nuk është kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, edhe në referencë të Marrëveshjes së Ohrit, normalizimi i marrëdhënieve është pjesë e detyrueshme. Kjo deklaratë bën pjesë në atë politikë të akomodimit të Serbisë, madje të Serbisë së Aleksander Vuçiç, që ka për synim zyrtar apo publik, mbajtjen e saj sa më larg Rusisë.

Ne nuk i dimë synimet e pathëna, as nuk mund të hamendësojmë sesi mund të evoluojë kjo strategji që po shtron rrugën e ndryshimit të ekulibrave në Ballkan. Por një gjë të qartë mund ta themi: Perëndimi dhe SHBA nuk kanë politikë të mirëfilltë për Ballkanin. Madje as për Europën. Ne jemi para faktit të kryer se edhe politika në Ukrainë është me karakter reaktiv, në funksion dhe pritje të veprimeve ruse duke marrë iniciativën vetëm për një gjë: jo armëpushim apo paqe pa e mposhtur Rusinë në terren dhe pa i shkaktuar atë që Moska e quan “dështim strategjik”.

Të deklarosh se njohja e Kosovës nuk është kusht për anëtarësimin e Serbisë, do të thotë t’i thuash Beogradit se çdo politikë është e pranueshme sa kohë ai qëndron larg Moskës, ndërkohë që vetë ky konceptim e zhvlerëson të gjithë qëllimin e procesit të normalizimit që në finale do të çojë në njohje. Përndryshe z. Hill mund të na thotë një rast të marrëdhënieve mes dy vendeve që janë normale, por që refuzojnë njohjen reciproke. Si mund të ndodhë kjo?

Aq më tepër merr kuptim një qëndrim i tillë – qoftë edhe nëse formalisht e lidhim këtë me faktin se njohja nuk shprehet qartë në Marrëveshjen e Ohrit – kur Kosovës iu refuzua anëtaësimi në KiE pse nuk pranoi procedurën për krijimin e Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Si mundet që për njërin vend një kërkesë me natyrë organizative që implikon detyrimisht njohjen të mos aplikohet për vendin tjetër? 

Këtu nuk ka më përgjegjësi as Kosova dhe as Serbia. Një ditë më pas deklaratës së Hill, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi të kundërtën e asaj që tha diplomati amerikan.

E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së

citon ai kancelarin Scholz.

Ky është realiteti diplomatik i kohës sonë. Një realitet që e prezanton Perëndimin si një entitet që nuk di çfarë të bëjë, si të reagojë, si të formulojë interesa të tjera përveç atyre ekonomike, si të ndërtojë politikë të jashtme efektive dhe si të afirmojë në fund autoritetin e vet si një pol që mundet dhe di të mbajë apo kontribuojë në rendin ndërkombëtar. Është ironike dhe parathënëse për keq, madje për shumë keq, që situatën e sotme të Perëndimit e ilustron apo metaforizon më së miri paparashikueshmëria instinktive e Donald Trump dhe sjelljet lunatike të Joe Biden që dëgjon zëra dhe i buzëqesh një universi të paperceptueshëm.

s.zaimi

Comments

Submitted by Hasudja (not verified) on

Kosova nuk eshte shtet. Kosova eshte Serbi dhe Serbia eshte shtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.