Pse nuk tregohen cinikë Kastrati dhe Dulaku të mbrojnë në Arbitrazh 200 mln eurot e Bazës së Sarandës?

Postuar në 17 Mars, 2024 19:22

Në fjalën e mbajtur para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka prekur për herë të parë çështjen e portit të Limjonit në Sarandë, vendosur nën sekuestro preventive nga GJKKO, nën arsyetimin se ka shkelur sigurinë kombëtare. 

Absurdi arrin deri në pikën ku merret penge me sekuestro preventive në emër të NATO-s, një investim me rëndësi strategjike prej 200 milionë eurosh në Limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për marinë turistike. Prej dy a tre vjetësh, rri i bllokuar se hetohet mënyra si është lidhur kontrata.

Unë nuk dua të komentoj arsyet e atij hetimi, por ama nuk duhet një diplomë në juridik, për të kuptuar se të hetosh marrëveshjen e shtetit me sipërmarrjen private, ta bllokosh investimin dhe këtë ta bësh në emër të NATO-s dhe sigurisë kombëtare duke bërë NATO-n të qeshë dhe të ndërhysh në kompetencën e një pushteti të pavarur që është sovran për sigurinë kombëtare. Ky është arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte qimet e kokës shtetit shqiptar në rast se investitorët do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh. Kjo buron nga një arbitraritet që lidhet me mendësinë e një hetuesi

është shprehur kryeministri.

Që ka dalë këtu me tri qëndrime me rëndësi: së pari se nuk e lëshon ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Së dyti, se gjykon vendimet e një pushteti të pavarur duke e nënçmuar punën e tij me “mendësinë e një hetuesi” dhe së treti se ai ka mirëkuptimin e investitorëve që nuk po e çojnë shtetin në Arbitrazh pasi nuk janë cinikë.

Investitorët siç dihet janë Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku, ky i fundit i akuzuar se ka bërë ndërtim pa leje në afërsi të Butrintit. Mirëpo pse këta të dy nuk mbrojnë interesat e tyre që sipas z. Rama çmohen në 200 milionë euro në Arbitrazh? Çfarë i pengon këta dy zotërinj të veprojnë në kushtet kur sipas vetë kryeministrit të vendit hetimi dhe vendimi i gjykatës kanë të bëjnë me mendësinë e një hetuesi?

Zoti Rama këtu ka zbuluar se ai është në krye të ekzekutivit me mendësinë e vet të likujdimit të të gjitha venddislokimeve të forcës detare, sepse mesa duket ka vizione të tjera për mbrojtjen. Dhe nga mendësia e njërit te mendësia e tjetrit, ne shohim sesi ideja për shtetin dhe veprimi i shtetit shndërrohet në një seri aktesh që delegjitimohen nga qëndrime si këto, pasi në fund të fundit ka vetëm një pushtet. Ai që mesa duket mban të lidhur dhe larg cinizmit Dulakun dhe Kastratin, të kudondodhur në Shqipëri.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Tek degjon ligjerimet e fundit te Rames te duket sikur po degjon deklaratat e Putin. Edhe ky i joni po pergatitet per pushtetin absolut dhe vota plebishitare si qemoti nò kohen e dajkos.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.