Verdikt Kushtetues: Partia Socialiste - një subjekt i posaçëm mes të gjitha partive

Postuar në 22 Dhjetor, 2023 18:50

Në datën 18 dhjetor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u shpreh mbi një kërkesë për kontroll kushtetueshmërie të Protokollit të 6 nëntorit 2023, mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë për migracionin. Kërkesa e dorëzuar ishte autorizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Në njoftimin e vet Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se:

Partia Demokratike e Shqipërisë, nuk legjitimohet ratione personae t’i drejtohet Gjykatës, pasi nuk provohet interesi i saj i drejtpërdrejtë në çështjen kushtetuese të ngritur, në kuptimin që protokolli të ketë sjellë pasoja negative për statusin ose funksionet e saj , ndaj vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, që do të thotë se kërkimet dhe pretendimet e kërkueses nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre

Vendimin e marrë Gjykata e ka argumentuar sa më poshtë:

Sipas nenit 134, pika 1, të Kushtetutës, partitë politike kanë të drejtën të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Megjithatë, sipas nenit 134, pika 2, të Kushtetutës ato kanë detyrimin për të provuar lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet interesave të tyre dhe çështjes kushtetuese të ngritur. I njëjti kusht për të provuar interesin në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare parashikohet edhe në nenin 52, pika 2, të ligjit organik të Gjykatës.

Gjykata vlerësoi edhe jurisprudencën e saj lidhur me legjitimimin e partive politike në procedurat e kontrollit abstrakt të akteve normative, në të cilën është shprehur se statusi i tyre, në kuptim të nenit 9 të Kushtetutës, si parti parlamentare ose roli që ato luajnë në formimin e vullnetit politik të zgjedhësve në të gjitha fushat e jetës publike, nuk prezumon të mirëqenë interesin e partive politike për vënien në lëvizje të Gjykatës në kuptim të nenit 134, pika 2, të Kushtetutës. Interesi quhet i justifikuar nëse arrin të provohet nga vetë partia politike se pasoja negative është e drejtpërdrejtë, reale dhe, sipas rastit, e lidhur ngushtë me funksionet e saj (shih v endimet nr. 28, datë 30.06.2021 të Gjykatës Kushtetuese).

Më interesantja vazhdon më poshtë:

Qëndrimi i mbajtur nga Gjykata në gjykimin kushtetues të marrëveshjes së detit (vendimi nr. 15, datë 15.04.2010) nuk është i zbatueshëm në rastin konkret, pasi në atë rast Gjykata legjitimoi partinë politike parlamentare në kontekstin e një situate të veçantë institucionale që lidhej me procedurat në zhvillim e sipër të konstituimit të legjislaturës së re parlamentare dhe verifikimit të mandateve të reja të deputetëve. Duke analizuar këtë jurisprudencë, Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se zhvillimet institucionale aktuale janë të ndryshme nga ato të rastit të marrëveshjes së detit, pasi legjislatura e Kuvendit është tërësisht funksionale dhe nuk ka ndonjë pengesë për subjektet e tjera të pakushtëzuara (përfshi 1/5-ën e deputetëve), siç ishte rasti në marrëveshjen e detit për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. Gjithashtu, vlen të përmendet se Gjykata është duke e shqyrtuar tashmë kushtetutshmërinë e protokollit “Për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”

Thelbi këtu është se Gjykata nuk ka legjitimuar një parti politike për një kërkesë për të cilën ajo nuk provon dot se ka lidhje mes çështjes në fjalë dhe interesave të saj. Referenca e Gjykatës me vendimin e vitit 2010 është një aneks që lë shije shumë të hidhur mbi standardet profesionale të kësaj gjykate dhe pra vetë llojit të drejtësisë që ajo servir. Nëse shohim vendimin e vitit 2010, aty është Kuvendi i Shqipërisë si palë e interesuar që kërkon moslegjitimimin e PS-së si palë pikërisht me argumentin që sot Gjykata Kushtetuese përdor për të rrëzuar kërkesën e PD-së. Në atë kohë Gjykata do të arsyetonte se:

Çështjen e legjitimimit të kërkuesit, (locus standi) Gjykata e vlerëson si një ndër aspektet kryesore që lidhen me inicimin e një procesi kushtetues. Në gjykime të kontrollit të kushtetutshmërisë së normës, subjektet inicuese që parashikohen në nenin 134/2 të Kushtetutës mund të bëjnë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Pavarësisht se çështjen e legjitimimit të kërkuesit Gjykata e ka shqyrtuar paraprakisht dhe lidhur me të është shprehur me vendimin e ndërmjetëm të dt.26.11.2009 të Mbledhjes së Gjyqtarëve, me të cilin, me shumicë votash u vendos legjitimimi vetëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë, për shkak të pretendimeve të paraqitura në seancën gjyqësore të zhvilluar për këtë qëllim, ajo e sheh të arsyeshme të ndalet më gjatë tek arsyet që çuan në legjitimimin e kërkuesit në këtë gjykim kushtetues.

Gjykata vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae në kuptim të rregullimit të parashikuar nga neni 134, shkronja “f” i Kushtetutës dhe neni 52/2 i ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (më poshtë: ligji për Gjykatën Kushtetuese). Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) është një parti politike e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e krijuar me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë, nr.36/1, dt.15.08.1991. Aktualisht ajo është partia më e madhe opozitare në vend. Në hyrjen e statutit të kësaj partie parashikohet se: “PSSH vepron në respekt të Kushtetutës, të ligjeve, të shtetit të së drejtës dhe të formës parlamentare të qeverisjes për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, rendit dhe drejtësisë....PSSH ndjek objektiva politikë përmes të cilave synon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave dhe të interesave kombëtare...”.

Gjykata vlerëson se partitë politike janë organe kushtetuese në kuptim të nenit 9 të Kushtetutës shqiptare. Bazuar në nenin 1 të ligjit nr.8580, dt.17.02.2000 “Për partitë politike”, ato janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve ose të interesave të përbashkët politikë, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit. Më tej, në nenin 2 të këtij ligji parashikohet se partitë politike “marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike, kryesisht nëpërmjet ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike, nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike dhe evidentimin e aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore.”

Partitë politike janë faktorë qendrorë të formimit të vullnetit politik të zgjedhësve duke marrë përsipër rolin ndërmjetës midis qytetarit dhe organeve shtetërore në një shtet demokratik. Ky rol realizohet jo vetëm nëpërmjet zhvillimit të fushatave zgjedhore për formimin e parlamentit nga i cili del edhe qeveria, por edhe gjatë gjithë periudhës së qeverisjes, sidomos nga partitë opozitare. Pra, partitë politike janë aktorë kryesorë të formimit të vullnetit të popullit, të cilin ato (partitë) përpiqen ta transformojnë në vullnet shtetëror, nëse fitojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Rezultatet e këtij procesi shfaqen kryesisht në zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes të cilave, çdo qytetar voton sipas bindjeve dhe vullnetit të tij të pavarur politik.

Gjykata thekson se demokracia përfaqësuese nuk mjaftohet vetëm me mobilizimin e shtetasve për zgjedhje. Angazhimi i pandërprerë në procesin e krijimit të vullnetit politik dhe ruajtja e dinamikës së vetë demokracisë është detyrë e përhershme e të gjitha partive politike, si të atyre që janë në pushtet, ashtu dhe të atyre që janë në opozitë. Partitë politike opozitare luajnë një rol të rëndësishëm në kontrollin që ushtrojnë me mjetet e posaçme të parashikuara për këtë qëllim ndaj qeverisjes në përgjithësi. Ky kontroll realizohet nëpërmjet mjeteve të tilla si: pyetjet, interpelancat, komisionet hetimore, mocioni i mosbesimit, të cilat konsiderohen si mekanizma politikë të kontrollit. Gjithashtu, një mjet tjetër efikas konsiderohet edhe mundësia për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me qëllim kontrollin e akteve normative nëse janë apo jo në përputhje me Kushtetutën.

...

Gjykata, për shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit, sipas nenit 52 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, vihet në lëvizje edhe nga një ose disa parti politike, me kusht që çështja të lidhet me interesin e saj/tyre. Gjykata, për të vlerësuar interesin në çështjen në gjykim, nuk mbështetet vetëm në dokumentet e themelimit dhe statutin e partive politike, por edhe në shtrirjen e anëtarësisë, veprimtarinë dhe shkallën e përfaqësimit politik të tyre në organet e zgjedhura. Në këtë vështrim, si kriter referues, merret dhe e drejta që i është njohur nga kushtetutbërësi jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese të pakondicionuar me një interes të veçantë.

Në çështjen në shqyrtim, Gjykata vëren se PSSH është një subjekt politik që në zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit 2009 arriti të siguronte 65 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ky fakt e bën atë një subjekt të posaçëm midis partive të tjera politike. Bazuar në këtë nivel përfaqësimi, duke patur parasysh karakterin dhe rëndësinë e veçantë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, Gjykata çmon se PSSH ka interes legjitim në kuptim kushtetues për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshjeje…

Për ta kuptuar më mirë se me çfarë kemi të bëjmë dhe sesi edhe Gjykata Kushtetuese është një instrument politik, mund të referojmë një vërejtje të ekspertit kushtetues, Erind Mërkuri për këtë çështje. Në punimin e tij, “Aspekte proceduriale dhe organizative të Drejtësisë Kushtetuese në Shqipëri”, ndër të tjera Mërkuri shkruan:

…mund të konkludohet se arsyeja pse Gjykata Kushtetuese legjitimoi vetëm një parti, është sepse kjo parti, në dallim nga të tjerat, kishte një përfaqësim prej 65 deputetësh në Parlament, që do të thotë se kishte një numër të mjaftueshëm vendesh(jo më pak se 1/5 e deputetëve) për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast, Gjykata bëri një dallim mes partive politike, bazuar mbi parfaqësimin e tyre në Parlament. Ky pozicion i Gjykatës Kushtetuese në argumentimin se Partia Socialiste, duke qenë partia më e madhe opozitare dhe se si e tillë përfaqson një pjeë të madhe të popullit në Parlament, që për pasohë mund të të kërkojë mbrojtjen e interesave kombëtare edhe në kontrollin paraprak të një marrëveshjeje ndërkombëtare, kritikohet nga doktrina si e deformuar. Edhe në pikëpamjen time, dallimi i hequr mes partive të ndryshme politike është kontroversal. Në fakt, Kushtetuta nuk bën dallim mes partive politike…dhe për pasojë as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta bëjë një gjë të tillë…

Për më tepër në arsyetimin e Gjykatës, nuk ka një argument për të justifikuar se pse ky entitet nuk iu drejtua Gjykatës përmes anëtarëve të Parlamentit dhe jo si parti politike. Arsyeja në këtë rast ka të bëjë me argumente politike më tepër sesa ato të natyrës ligjore dhe kjo ishte e dukshme kur u nënvizua se kandidatët fitues të kësaj partie politike kishin refuzuar të hynin në Parlament dhe për pasojë nuk ishin betuar(Kushtetuta, neni 72). Për këtë arsye, ata nuk ishin në gjendje të vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Arsyet për një veprim të tillë, pra bojkoti Parlamentit, për më shumë se një vit…u gjykuan si ligjërisht të pajustifikueshme nga Gjykata Kushtetuese(vendimi 44/2011). Në këtë kuptim, ne mund të themi se vendosja e barazisë që Gjykata Kushtetuese ka vënë mes forcës politike dhe nivelit të përfaqësueseve të saj në Parlament(për llogari të shqyrtimit të kërkesës së sipërcituar) është e deformuar nga pikëpamja ligjore.

E thënë në një gjuhë gazetareske: Gjykata ka njollosur veten. Nuk kemi të bëjmë me çështje të një intepretimi të hollë, por për aplikim të qartë të dy standardeve.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.