22 vende do të trefishojnë kapacitetin bërthamor deri në 2050
Shtetet e Bashkuara dhe 21 vende të tjera u zotuan në samitin e klimës të Kombeve të Bashkuara në Dubai për të trefishuar kapacitetin e energjisë bërthamore deri në vitin 2050.
Përkrahësit e energjisë bërthamore, e cila furnizon 18 për qind të energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara, thonë se rritja e prodhimit të saj është domosdoshmëri për uljen e emetimeve të karbonit në dekadat e ardhshme.
Britania, Kanadaja, Franca, Gana, Koreja e Jugut, Suedia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin ndër 22 vendet që nënshkruan deklaratën për të trefishuar kapacitetin nga nivelet e vitit 2020.
Trefishimi i kapacitetit të energjisë bërthamore deri në vitin 2050, i cili do të ndihmonte Evropën të reduktonte varësinë e saj nga nafta dhe gazi i Rusisë, kërkon investime të konsiderueshme. Në ekonomitë e përparuara, të cilat kanë gati 70 për qind të kapacitetit bërthamor global, investimet kanë ngecur pasi kostot e ndërtimit janë rritur, projektet kanë mbaruar buxhetin dhe po përballen me vonesa. Përveç kostos, një pengesë tjetër për zgjerimin e kapacitetit bërthamor është se centralet janë më të ngadalta për t'u ndërtuar se shumë forma të tjera të energjisë.
John Kerry, i dërguari i Presidentit Biden për klimën, tha se SHBA ka "triliona dollarë" në dispozicion, për t’i përdorur ato në investime për centralet nukleare.
Energjia bërthamore nuk çliron karbon. Një raport i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë vitin e kaluar doli në konkluzionin se energjia bërthamore është thelbësore për të ndihmuar në uljen e emetimeve të karbonit në përputhje me objektivat e Marrëveshjes së Parisit, të vendosura në 2015.
Add new comment