Një Belul i papërsëritshëm në krye

Postuar në 12 Tetor, 2023 12:32

Ka dalë sot në Parlament, në një shfaqje personale të sukseseve imagjinare kryeministri i Shqipërisë. E gjithë bota shqiptare, ajo politike, nuk e kupton këtë njeri. Vizionin e tij. Është politika e tij e madhe që ka lënë në hije katundarinë e Ballkanit, janë hapat prej gjigandi që e bëjnë të pakapshëm këtë njeri të rrallë të lindur në tokën e Facebook. Përtej gjyqit personal që i bëri botës dhe kohës ku jetojmë, ky Belul i papërsëritshëm i Shqipërisë Politike ka deklaruar ndër të tjera se ai vetë, madje vetëm Ai, i ka dhënë Shqipërisë një dinjiitet që se ka patur kurrë.

Ne na kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare që të presim e organizojmë samite të rëndësishme. Ne e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel të ri, politikën e jashtme në një stad tjetër. Të qenit të Shqipërisë si një faktor paqeje e stabiliteti i kemi dhënë një rrezatim të ri

është shprehur ndër të tjera z. Rama.

Dikush duhet ta sqarojë këtë zotëri sepse ngatërrohet shpesh me veten. Shqipëria nuk mund të jetë një faktor paqeje në Ballkan, pasi që një vend apo entitet të jetë i tillë, varet nga mënyra dhe qëllimet e përdorimit të dispozitivit të forcës që ajo ka. Dhe me forcë kihet parasysh potenciali imponues, ekonomik dhe ushtarak i politikave të veta. Shqipëria e z. Rama ka forcën zero. ZERO. Nuk e llogarit kush në asnjë gjë, në asnjë rrethanë. Para disa ditësh një ndër drejtuesit e ushtrisë shqiptare deklaronte se Shqipëria nuk përmbush dot standardin e rekrutimit as në 50% ndërkohë që nga 4500 trupa forcë aktive, 1 900 duan të ikin. Për çfarë faktori po flasim këtu? E vetmja krizë rajonale që provokon Shqipëria është ajo e mbetjeve në Drin që i merr deti e i nxjerr në Kroaci, aq sa ky problem është ngritur edhe në nivel presidentësh. Edhe gomonet, edhe kanabisi, edhe e ashtuquajtura Mafie e madhe shqiptare, janë krijesa dhe dukuri të liçencuara nga të tjerë. Të mos bëhemi si leshko kot. Kur u deshën të mbyllen, u mbyllën me një ditë.

Shqipëria nuk merret parasysh në asnjë lloj llogarie jashtë suazës së NATO-s, të cilës i detyron edhe kapelet që mbajnë në kokë gjeneralë si Bajram Begaj. Ajo që ka parasysh rajoni për Shqipërinë sot është se Shqipëria nuk është Burim Krize. Por këtë ne nuk e dimë pse: se askujt nuk ja mban, se të gjithë i kanë bërë dalje kësaj haleje, apo se kështu është vizioni i Belulit. Dhe ka një dallim të madhe mes të qenit Faktor Paqeje dhe të mos qenit një Burim Krizash. Edhe pse njerëz si ky që flasin sot, referonin statusin e anëtarit të NATO-s edhe kur protestonte Lulzim Basha e hidhte dy flakadanë pa Zarar.

Çfarë komedie të shohësh këtë lloj politike, që sigurinë kombëtare e ka dorëzuar në mirëbesim gjetkë, kapardisjen e ka ngritur mbi hajdutërinë dhe krimin si ekonomi dhe dukjen se po bën politikë të madhe mbi vetëbesimin e gjysmëidiotit që ka iluzionin se gjërat janë kështu si janë se ashtu vendos ai!

s.zaimi

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.