Problemi është me Prishtinën, jo me komentet online

Postuar në 05 Tetor, 2023 20:59
Skerdilajd Zaimi

 

Në një intervistë të dhënë gjatë një aktiviteti në samitin e Granadës, kryeministri Edi Rama, ka folur edhe për situatën e fundit në Kosovë, raportet me të dhe Serbinë. Zoti Rama ka mbrojtur pikëpamjen se Shqipëria është përherë në funksion të Kosovës, duke shtuar se situata si kjo që ndodhi u shfrytëzua nga patriotizmi i rremë. 

Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës që në të drejtën e tyre bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe të njohjes përfundimtare të Kosovës me zërin e vetë dhe nga ana tjetër, kam parë po ashtu që si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza të kinse patriotizmit që siç thotë ajo fjala, është streha e fundit e maskarait

citohet z. Rama.

Në planin formal kryeministri ka të drejtë. Shqipëria nuk do t’i mbajë iso analizave që bëhen në Prishtinë, ajo ka dhe duhet të ketë qëndrimin e vet. Mirëpo qëndrimet e njërës palë dhe tjetrës për çështje të ndryshme komentohen, diskutohen, kundërshtohen e kështu me radhë. Në rastin e tanishëm, si përherë, z. Rama pretendon se qëndrimet e Shqipërisë keqkuptohen. Dhe kjo është me të vërtetë e pazakonshme, por është e vështirë të bësh bashkë idenë se “Shqipëria është në funksion të Kosovës për njohjen” me qëndrimin se Veriu i saj duhet të marrë statusin e një Republike të KFOR-it, term i qarkulluar nga vetë z. Rama. D.m.th mes dy qëndrimeve ka një depresion logjik që ndoshta për këtë arsye nxit "keqkuptimet". Por sqarimi i opinionit nuk është atribut i dashamirësisë budiste ndaj qeverisë, është detyrë e saj vetë. 

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë e ka politikë të jashtme të vetën njohjen e Kosovës fillimisht për solidaritet nacional, një plan ky ku janë elaboruar edhe interesat e vendit tonë, pastaj si qasje për stabilitetin rajonal. Të paktën ne kështu e perceptojmë, pasi nëse do të shihim marrëdhënien në një sens të ngushtë ekonomik, mundet që të na leverdiste dikur që të mbanim me prioritet marrëdhënie me Serbinë. Në këtë kuptim z. Rama nuk mund të flasë me teza autonome për Kosovën lidhur me sigurinë e saj, nuk mund të paralelizojë në qëndrime Prishtinën zyrtare, pasi në fund të fundit, është Prishtina ajo që vendos për fatin e vet. Sigurisht në politikë nuk ecet verbërisht, por për situatën e tanishme qëndrimet e z. Rama nuk kanë vuajtur nga pasiviteti, por nga një lloj proaktiviteti për një tezë të vetme. Apo propozim. Dhe për këtë z. Rama problemin e ka me autoritetet në Prishtinë më përpara sesa ta ketë me kanalet e ujërave të zeza të kinse patriotizmit.

Kryeministri i Shqipërisë nuk ka ekskluzivitetin apo monopolin për asgjë. Por kësaj radhe ai ka vënë  Edi Ramën përpara kryeministrit, ndërkohë që për kinse patriotizmin dëshmon se është peng dhe do mbetet peng i rrëmetit mediatik, ndonëse shtiret se e injoron. Lajthitje apo jo, termi patriotizëm që përdor këtu z. Rama është ku e ku më civil sesa nacionalizmi që shërben edhe për atë fjalën e urtë që referon zotëria që mesa duket kur vjen puna për të dialoguar shqip ka vetëm një synim: të rregullojë imazhin e vet, jo të thotë apo sqarojë ndonjë gjë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.