Një rol i ri i Britanisë në Ballkan: "Aleancë SHBA-Britani-Kosovë për shqetësimet imediate të sigurisë"

Postuar në 30 Shtator, 2023 15:44

Perëndimi po ruan ende një sens përmbajtjeje ndaj Serbisë, që mund të rezultojë me pasoja. Ndonëse është e drejtë të vlerësohet se përgjigja zyrtare do të duhet të jepet pas zbardhjes së ngjarjes së Banjskës, është tanimë evidente se përgjegjësia për atë që ka ndodhur është te pala serbe. Shtimi i kontigjentit të KFOR në Kosovë lidhet me çështje të sigurisë dhe synon të shkurajojë çdo aventurë të mundshme të Beogradit që nuk ka më hapësirë manovrimi. Por ky veprim është në një farë mënyre sinjalizim se brenda Perëndimit koniunktura po ndryshon. Konkretisht kontigjenti që po vjen është britanik, ndërkohë që trupat e para ishin turke. Diçka që nuk mund ët interpretohet mirë në Serbi.

Nga ana tjetër, segmenti politik që prodhoi kaq probleme, Borrell – Escobar – Lajçak është izoluar për shkak se dështimi është i gjithëpranuar. Një mesazh tjetër që nuk është e papritur, por flet se interesat serbe në Ballkan, në mënyrën si i sheh ato Beogradi, kanë kundërshtarë shumë të fuqishëm, vjen sërish nga Britania e Madhe. Alicia Kearns, deputetja konservatore që drejton Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë, ka bërë thirrje dje përmes një opinioni që komuniteti ndërkombëtar të rishikojë qasjen e vet, të vendosë në plan të parë llogaridhënien. Kearns shkruan se incidenti i fundit në Banjskë, armatimi i kapur ngre dyshime serioze për implikimin e Beogradit.

Llogaridhënia për këto veprime është kryesore, sidomos për Beogradin, që u ka ikur vazhdimisht pasojave. Radoiçiç duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë…Por llogaridhënia shkon përtej këtij akti imediat. Është urgjent një rivlerësimi që vendos ndershmërinë dhe balancimin në qasjen tonë ndaj marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës

shkruan Kearns.

Më tej ajo thekson se Kosova duhet ndihmuar qoftë edhe duke patur parasysh shifrat reciproke të shpenzimeve ushtarake mes të dyja vendeve, ndërkohë që për sa I takon Britanisë, Kearns sugjeron një rol më aktiv në dialog.

Pasiviteti ynë i tanishëm nuk qëndron më në dritën e situatës së paqëndrueshme. SHBA dhe BE-ja duhettë adoptojnë një qëndrim të vendosur kur adresojnë rolin e lidershipit serb në nxitjen e destabilizimit…Presidenti Vuçiç nuk duhet përjashtuar nga kritikat…Ne duhet të negociojmë nga një pozicion force dhe të rrisim masat parandaluese duke rritur në 4 500 numrin e trupave të KFOR. Po ashtu Britania e Madhe duhet t’i ri-bashkohet EUFOR-it në Bosnje në muajin nëndor. Nëse Rusia vë veton, atëherë NATO-ja duhet të jetë gati për të dislokuar një mision alternativ paqeruajtës në Bosnje për të shmangur boshllëkun

shton Kearns që i kërkon edhe qeverisë së Kosovës të shprehet hapur dhe qartë për mbështetjen e komunitetit serb.

Më e rëndësishmja, Kearns propozon një aleancë mes SHBA-Britanisë dhe Kosovës dhe ndonjë “vendi tjetër të NATO-s që do të keët dëshirë” deri në momentin kur Kosova do të jetë anëtare e NATO-s për të “adresuar shqetësimet imediat të sigurisë dhe për të hapur rrugën për stabilitetin afatgjatë në rajon…Dështimi nuk është një opsion në kohën e diplomacisë parandaluese dhe veprimet duhen ndërmarrë tani”.

Mesazhet në fjalë kanë rëndësi sepse ato vënë në dukje nismën për një politikë të re ballkanike që ka në fokus sigurinë. Dhe kjo politikë ua heq nga duart rolin deri më tani gati të absolutizuar të burokratëve të ndryshëm, që në fund të fundit provuan se nuk ka marrëveshje efektive, apo të mundshme kur mjedisi i sigurisë është kaq i paqëndrueshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.