“Alarm ajror” në Tiranë për sulmet ndaj Perëndimit

Postuar në 18 Shtator, 2023 22:07

Albin Kurtin e kanë shtyrë në këtë rrugë perëndimorët që hiqen sikur e kritikojnë. Kështu shprehet vazhdimisht presidenti serb Vuçiç që e paraqet konfliktin me Prishtinën si episodin e radhës të qëndresës serbe ndaj një rres htimi global. 

Albin Kurti po çon Kosovën në konflikt me Perëndimin. Thonë në Tiranë. Njëherë se është marksist, pastaj delirant, më tej se mashtron.

Albin Kurti pra qenka misteri i madh sot në Ballkan. Në fabulën e Perëndimit që po kontestohet në të vërtetë vijnë në vështrim qëndrime emisarësh dhe burokratësh që me të vërtetë ndjekin politika institucionale, por në praktikë kanë marzh manovre të imponojnë aspekte teknike në vende si ky yni. Ta zëmë kur z. Rama shkonte në drekën e Krokodilit, aty patjetër që ishte një diplomat i BE-së, por nuk është se presidenti i KE-së së kohës lexonte me vëmendje transkriptet e bisedave mes anëtarëve të delegacionit shqiptar. Jo. Thjesht informohet mbi gjërat e përgjithshme.

Në rastin e tanishëm negociimi që po ndiqet është fare periferik: Kosova njihet ndërkombëtarisht, ajo është pjesë e një rajoni të paqëndrueshëm dhe në janar përfiton heqjen e vizave. Kosova merr rëndësi këtu sepse me të po synohet të luhet pazari me Serbinë që të bashkohet me sanksionet ndaj Rusisë. 

Në një Europë ku Hungaria, Polonia dhe Çekia kërkojnë pavarësi nga Brukseli për çështje sistemike të demokracisë, një Serbi që mban dyert hapur Moskës është dhimbje koke më shumë. Dhe publikisht nuk mund të lihet në heshtje. Zgjidhjen e kësaj situate e marrin dorë diplomatë që premtojnë në emër të politikave zyrtare të realizojnë diçka. Ky është roli i Lajçak dhe Borrell që në suazën e një negociate kanë marzh të propozojnë gjithçka që mundet për të arritur marrëveshjen. Ndaj nervozizmi i dyshes europiane lidhet sa me dështimin personal, aq edhe me faktin se koha po mbaron. 

BE-ja do të detyrohet t’i kthehet Serbisë me një ultimatum në raport me Rusinë. Kështu që sulmet e Kurtit do të ishin ndaj Perëndimit nëse do të refuzohej procesi si i tillë. Jo çështjet teknike. Nëse besojmë presidentin serb, do mund të supozonim se Kurti edhe në sulmet e tij ndaj Lajçak, ka mbështetje nga vende perëndimore. Që po investohen të kthejnë politikën. Njësoj si dy vjet më parë kur aktorë të caktuar ndaluan zbatimin e planit të shkëmbimit të territoreve. 

Ajo që diktohet mirë dhe është për të ardhur keq, është se arsyet e sulmit të vijueshëm ndaj Kurtit në Tiranë nuk lidhen me perëndimin, as me shqetësimet se Kosova po del jashtë kontrollit. Jo. Arsyet lidhen me defaktorizimin e Tiranës në çështjet e rajonit, me ngushtimin e hapësirës së saj për veprim dhe akumulimin e problemeve. Këtu vjen në vështrim edhe ndikimi i humbur i z. Rama qoftë edhe brenda botës shqiptare, ku është ndjerë i pakonkuruar deri më tani. Janë po ato arsye si të Borrell dhe Lajçak që duan një sukses për ta ri-investuar për karrierën e tyre, pa folur se mundet që të kenë afilacion të natyrshëm me Serbinë. Kjo nuk përbën problem veçse kur je ndërmjetës. 

Dhe meqë jemi të sulmet dhe kemi zakon të bashkojmë polemikën me tradhëtinë ndaj kauzës, është interesante p.sh sesi mediat pranë qeverisë kanë prirjen që tensionet mes Ramës dhe Mitsotakis për çështjen “Beleri” të mos i interpretojnë si agresivitet apo ndërhyrje të Greqisë, por si një duel mes dy kryeministrave. Sepse kështu është më mirë që ky i Tiranës të shesë ndonjë fitore publicitare. Apo jo? 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mister i madh eshte per ty ky Albin Kurti. Per mu eshte kokrra e legenit. Me flamurin e patriotizmit nuk eshte e veshtire te marresh vota. Por kur Thaci nuk e pranoi Lajcak si ndermjetes Kurti e shpalli Thacin armik te perendimit. Cfare udheheqesi eshte ai qe ne cdo fjale a veprim mundohet te shtoje ndonje vote.
Me kete sjellje gjithe Kosova rurale len koken per te dhe do ta votoje deri ne vdekje. Por a eshte produktive sjellja e tij? A ka mundesi te tjera per te eksploruar? Sigurisht. Por jo per Albinin. Ai eshte i zene me zgjedhjet e ardhshme. Dhe pret qe populli ta votoje.
Por ai nuk eshte ne ate post per te percjelle vullnetin e popullit. Nga momenti qe eshte zgjedhur, populli ja ka percjelle pushtetin atij. Ai eshte aty per re zgjidhur hallet e popullit ne menyren me te mire per popullin edhe nese populli eshte kunder.
Te pretendosh pastaj qe Europa e ka nxjerre ne shitje Kosoven (interesat e saj) sic pretendon Skerdi eshte e tepert.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.