Të pashpresë për të ardhmen në Shqipëri!
Të rinjtë dhe pjesa më e madhe e moshës së mesme nuk kanë besim se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Një vëzhgim i kryer nga IDRA Research & Consulting tregon se grupmosha me më pak besim te e ardhmja është nga 18-35 vjeç.
Të pyetur nëse besojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin që duhet, 54% e kësaj grupmoshe përgjigjen JO. Optimistë nuk janë as individët e grupmoshës pasuese. 49% e 36-55 vjeçarëve mendojnë njësoj.
Skeptikët për drejtimin në të cilin po ecën vendi përkojnë pjesa më e madhe me grupmoshën e të larguarve nga vendi në mënyrë masive gjatë viteve të fundit dhe një pjesë tjetër me atë të prindërve të tyre.
Zyrtarisht nuk ka ende një shifër të të larguarve nga Shqipëria vitet e fundit. Opozita pretendon për mbi 500 mijë, pjesa më e madhe të rinj, të larguar përgjatë viteve 2010-2019. Por për të konfirmuar këtë duhet të presim censusin e radhës, i shtyrë disa herë, për t’u fiksuar përfundimisht në shtator të 2023-shit.
Problemi më i madh me të cilin përballen shqiptarët është ekonomia (kostot e jetesës dhe çmimet e larta). 52% e të pyeturve e rendisin ekonominë të parën në listën e vështirësive që hasin, të cilat vijojnë me papunësinë dhe korrupsionin.
Mungesa e shpresës për të rinjtë reflektohet edhe në përgjigjet që të anketuarit japin për pyetjen: A mendoni se gjenerata e sotme e të rinjve mund të ketë një të ardhme të mirë në Shqipëri? Vetëm 28% përgjigjen PO, 68% nuk besojnë se një e tillë mund të vijë.
Add new comment